BREAKING NEWS

CNN trondit demokratët në SHBA: Ja zgjidhjet ligjore dhe kushtetuese që Trump të qëndrojë në detyrë

CNN trondit demokratët në SHBA: Ja zgjidhjet  ligjore dhe kushtetuese
x

Politike

Milva Ekonomi: Ja pse u shty amnistia fiskale, pretendimet e PD për inceneratorët nuk qëndrojnë, detajet çfarë do të sjellë buxheti i ri

Milva Ekonomi: Ja pse u shty amnistia fiskale, pretendimet e PD për

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi ka komentuar situatën politike dhe ekonomike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Ekonomi ka shpjeguar edhe njëherë arsyet se përse u shty amnistia fiskale, ndërsa ka dhënë detaje se çfarë do të sjellë buxheti i ri i vitit 2021. Sa u takon pretendimeve të PD për inceneratorët, deputetja socialiste Ekonomi theksoi se nuk qëndrojnë.

-Zonja Ekonomi, ju jeni kryetare e Komisionit të Ekonomisë dhe jeni një nga mbështetëset e amnistisë fiskale. A mund të na thoni se çfarë po ndodh me projektligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, pasi kur u shty votimi në Parlament në fund të muajit korrik u tha që ai do të miratohet këtë sesion të ri parlamentar?

Amnistia fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive, ishte një projektligji i ri që kërkonte një punë paraprake edhe koordinim mes institucioneve financiare edhe atyre të drejtësisë. Ky projektligj ndoqi të gjitha hallkat e procesit ligjvënës. Grupet e interesit kërkuan që të plotësohej e gjithë paketa ligjore, pra edhe me draft aktet, përpara se ligji të kalonte në miratim final, por edhe organizatat ndërkombëtare sollën sugjerimet e tyre. Plotësimi i të gjithë kuadrit ligjor për një guidë praktike, për zbatim të këtij ligji në praktikë dhe reflektimi i sugjerimeve po i jep kohë procesit të miratimit.

-Nga ana tjetër dy masat e fundit të qeverisë “Rama 2” si rritja e pragut të TVSH deri në 10 milionë lekë dhe heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri 14 milionë lekë duket se janë mirëpritur nga grupet e interesit, për shkak se janë jo vetëm masa lehtësuese për tatimpaguesit, por pritet të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në formalizmin e ekonomisë. A mund të na e shpjegoni me fjalë të thjeshta çfarë do të thotë kjo?

Ndihma ndaj biznesit të vogël, përfaqësohet nga një masë shumë agresive mbështetjeje. Një masë, e cila është unikale në rajonin tonë dhe përkon me zotimin tonë për ta mbështetur fuqimisht çdokënd që krijon punë për vete e për familjen, krijon punë edhe për të tjerët dhe që bëhet pjesë e komunitetit të biznesit të vogël. Ne Kuvendin e Shqipërisë, në muajin korrik u miratua ligji që bizneset e vogla, të cilat kryejnë një xhiro deri në 14 milionë lekë të reja, nuk paguajnë asnjë tatim-fitim. Ndërsa bizneset e vogla, që kryejnë një xhiro deri në 10 milionë lekë të reja, nuk paguajnë as TVSH. Me këtë mbështetje biznesi i vogël në Shqipëri, është i vetmi komunitet në gjithë rajonin që e gëzon veprimtarinë e vet, pa taksa dhe pa TVSH deri në 10 milionë lekë të reja. Pa taksa dhe me TVSH nga 10 deri në 14 milionë lekë të reja. Nuk duhet të harrojmë se në vitin 2013, biznesi i vogël paguante 10% taksë, tatim-fitimi dhe zhvillonin aktivitet si subjekte të biznesit të vogël me xhiro nga zero deri në 8 milionë, rreth 60 mijë tatimpagues. Këto biznese, jo vetëm paguanin tatim-fitim mbi të ardhurat personale 10%, por paguanin dhe një tatim-fitim tjetër për pushtetin vendor. “Tatimi i dyfishtë”, i asaj kohe, që më pas të zhbëhej, kulmoi në këtë moment historik për biznesin e vogël.

-Por pavarësisht se qeveria ka miratuar heqjen e taksës për biznesin e vogël deri në vitin 2029, ka një kakofoni, pasi kreu i PD, Lulzim Basha në takimet që po zhvillon me bizneset sidomos atë të vogël premton se kur të vijë në pushtet do t’i çlirojë ata/ato nga taksat e vendosura nga qeveria e PS. Si qëndron e vërteta dhe janë hequr apo jo taksat?

Gjatë viteve 2006-2013 qeveria i ka marrë biznesit të vogël, 19 miliardë lekë tatim. Ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2019, biznesi i vogël ka paguar vetëm 5.3 miliardë lekë për shtetin. Sot që flasim, janë 93,743 biznese ose 77% e numrit total të bizneseve që paguajnë zero tatim mbi fitimin. Janë më pas 14% që paguajnë 5% tatim. Të dyja së bashku këto kategori, pas kalimit të ligjit nr. 106/2020 për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar miratuar me datë 29.07.2020 e kanë zero këtë taksë.

-Por meqenëse jemi tek kreu i PD, le të komentojmë pak një deklaratë të tijën që ju adresohet juve. Z. Basha deklaroi pak ditë më parë se kryeministri dhe qeveria kanë në plan të shkarkojnë kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, për çështjen e inceneratorëve, ndërsa në krye të kësaj bashkie t’ju emërojnë juve që të firmosni sipas tij shkresën që i hap rrugë “vjedhjes së parave”. Keni një përgjigje?

Lëri të flasin kuturu, se shohin vetëm ëndrra me të keqe dhe nuk e dinë nga u vjen e mira!

-Po në lidhje me debatin e fundit ku opozita akuzon qeverinë se po grabit qytetarët me 3 inceneratorët dhe se ata nuk janë funksionalë keni një koment?

Po çfarë të them më shumë se sa vepra vetë! Gjithë këto ditë janë shqiptarët janë informuar mbi madhësinë e tre veprave, teknologjinë moderne që po përdoret në përpunimin e mbetjeve dhe rehabilitimin e dramës së vendgrumbullimeve, llojin e kontratave, matjen e sasisë së mbeturinave të djegshme si dhe sasinë dhe vitin e prodhimit të energjisë së fituar nga djegia. Psh impianti i Elbasanit do të djegë në kapacitet maksimal deri në 140 ton mbetje në ditë për të prodhuar 2,85MW/orë, ndërsa impianti i Fierit është projektuar për të përpunuar 250 ton mbetje në ditë dhe për të prodhuar 3,85 MW/orë. Ajo që është më e rëndësishme është të pastrohet territorit i vendit nga mbeturinat dhe të shërbehen më mirë qytetarët. Në vitin 2013 vetëm 50,7% e popullatës mbulohej me shërbime grumbullim mbetjesh, ndërsa në vitin 2020 kjo shifër arriti në 87,9%. Dhe trajtimi në pikat fundore të grumbullimit ka pësuar një ndryshim sanitar shumë domethënës, nga 15,9% në vitin 2013 shënoi një përmirësim në 68% në vitin 2020.

-Ndërkohë Këshilli i Ministrave ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2021 duke përcaktuar 5 prioritete kryesore. Në listën e prioriteteve janë procesi i rindërtimit, pandemia, subvencionimi i naftës së fermerëve, arsimi si dhe projektet infrastrukturore të mëdha si tuneli i Llogorasë, Unaza e re e Tiranës apo aksi Kardhiq-Delvinë. A mund të na jepni më shumë detaje rreth projektbuxhetit?

Projektbuxheti 2021 dhe ai afatmesëm bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Pas recesionit të fortë në vitin 2020, ekonomia pritet të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe pritet të konvergojë rreth nivelit prej 4% përgjatë periudhës afatmesme në vijim. Norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021 në nivelin 12.2% krahasuar me parashikimin e vitit 2020 prej 13.9%. Rritja ekonomike dhe punësimi, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.3% e PBB-së. Deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB. Në fund të vitit 2023, niveli i deficitit buxhetor parashikohet të ulet në 2.3% të PBB dhe balanca primare të kthehet në nivele pozitive, duke përmbushur objektivin madhor të qeverisë për uljen graduale të stokut të borxhit publik. Projektbuxheti i vitit 2021, programon të ardhura buxhetore në masën 479 miliardë lekë ose 28.5% e PBB. Ky programim bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi. Shpenzimet Buxhetore për periudhën 2021-2023 të programuara në masën 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë, si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike. Projektbuxheti 2021 garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për vijimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë.

-Po në lidhje me heqjen e akcizës së naftës për fermerët si do të procedohet për të shmangur abuzimet dhe në dijeninë tuaj sa është fatura?

Nga 1 janari 2021 nafta për fermerët nuk do të ketë më taksa direkte. As akcizës (37 lekë), as taksë qarkullimi (27 lekë), as taksë ndikimi në mjedis (3 lekë). Të gjitha këto taksa së bashku duke shtuar edhe tatimin mbi vlerën e shtuar bëjnë 80,4 lekë, që nuk do të jenë më pjesë e çmimit me pakicë të një litër naftë nëse përdoret nga fermerët. Në 1 janar 2021, 1 litër naftë do të jetë 54% më lirë se sa është sot. Fatura mbështetëse do të jetë rreth 1,2 miliardë lek. Për çdo fermer që punon tokën, llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqe dhe kulturat e deklaruara në bazë të një normative të miratuar për punime tipike me mekanizim. Për atë sasi nafte sipas kulturës, llogaritet vlera e barrës fiskale, e cila do të përjashtohet. Kjo vlerë e përjashtuar do të konvertohet në sasinë e naftës, që do të jepet falas përmes një karte të veçantë për çdo fermer. Çdo fermer që ka tokë në pronësi apo me qera dhe që e punon atë është përfitues potencial i kësaj skeme, duke u siguruar që të ketë NIPT-in e fermerit. Sot kanë NIPT mbi 47 mijë fermerë. Fillimisht skema mund të shkojë në rreth 70 mijë fermerë të regjistruar dhe potenciali i skemës është për të shkuar më tej. Ndjekja do të jetë online. Të dhënat do të grumbullohen në bazë të një protokolli të programuar. Ministria e Bujqësisë ka disa kohë që po punon për të përfshirë teknologji të reja të monitorimit të mbjelljeve me anë të imazheve termike, apo fotografive ajrore.

-Ju jeni deputete e Qarkut të Durrësit. Si po shkon procesi i rindërtimit?

Ky tashmë është një proces që ka marrë shpejtësinë maksimale dhe nuk do ndalet më. Ndërtimi i ambienteve të përbashkëta për ata që janë përfitues të DS3 ka filluar, ndërtimi i shkollave të reja, me arkitekturë shumë bashkëkohore po vazhdon me ritme të larta, sitet e reja të rindërtimin janë hedhur në garë. Durrësi gëzoi edhe përfundimin e ndriçimit të “Lungomares”, veprës më të re publike në Durrës, duke u dhënë shpresë banorëve se e keqja u la pas dhe rehabilitimi po vjen. Por Durrësi falë edhe mbështetjes së Bashkimit Europian, po fillon procesin e rimëkëmbjes dhe rilindjes të pikave strategjike në hartën e pasurive tona të paçmueshme arkeologjike të qytetit. Por përtej rivlerësimit të objekteve që lidhen me identitetin qytetas apo kombëtar kulturor, i gjithë ky është një proces që sjell fuqizimin ekonomik dhe social të qytetit.

-Megjithatë le të ndalemi pak tek zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, ku edhe pse duhen disa muaj, partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës zgjedhore. Si po ecën procesi i riorganizimit dhe përse qytetarët shqiptarë duhet t’i besojnë Partisë Socialiste një mandat të tretë qeverisës?

Siç edhe e kam theksuar, besoj fort se për shqiptarët, është e qartë se Partia Demokratike dhe aleatet e saj braktisën Parlamentin, duke lënë në mes të rrugës edhe interesat e elektoratit që përfaqësojnë. Ndërkohë që Partia Socialiste vazhdoi të punonte për të çuar përpara reformat transformuese të vendit duke synuar rezultate që e afrojnë edhe më shume vendin me Bashkimin Europian. Raporti i Progresit për Shqipërinë, publikuar nga BE e theksoi fort këtë. Kjo së pari bën një dallim të qartë. Së dyti Partia Socialiste, tregoi deri në fund durimin për të bërë përmirësimet e propozuara nga ODIHR në Kodin Zgjedhor, duke negociuar me maturi dhe durim. Sot reforma zgjedhore, lejon lista të hapura dhe mundëson përfaqësim më të drejtë parlamentar. Së treti Partia Socialiste, ndërsa po punon për hartimin e programit të ardhshëm qeverisës të vendit, po mban aktiv edhe komunikimin me strukturat e partisë në territor. Ky komunikim po lejon që anëtarësia e partisë të vlerësojë deputetin sipas përfaqësimit që ajo/ai ka realizuar, por gjithashtu po u bën një thirrje kandidatëve të rinj të bashkohen për të dhënë kontributin e vet në parti dhe në Parlamentin e ardhshëm.