Politike

Ministri Sandër Lleshaj: Ja pse vendosëm ta nisim me financat e krimit, SPAK ka rol shumë të rëndësishëm në këtë aksion

Ministri Sandër Lleshaj: Ja pse vendosëm ta nisim me financat e

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka treguar dje arsyet se përse goditja ndaj krimit të organizuar nisi nga pasuritë e tyre. Duke folur në analizën vjetore të prefekturës në Vlorë, Lleshaj tha se shumë të rinj po nxiten të futen në e botën krimit përmes pasurive kriminale. “E gjithë kjo përpjekje e madhe e Qeverisë dhe e Ministrisë së Brendshme, dhe e Policisë së Shtetit do të synojë të godasë ato segmente të krimit të organizuar, të cilat për arsye tashmë të njohura për qytetarët e vendit tonë, kanë ngelur të paprekura, kryesisht financat e krimit, financat dhe asetet e tjera kriminale, të cilat kanë bërë të mundur që krimi të persistojë që financat e tij të angazhohen për të zgjeruar krimin tjetër. Po ashtu, kanë bërë të mundur që financat dhe asetet kriminale të paraqesin një model biznesi negativ, i cili pse jo ka inkurajuar edhe të tjerë të rinj që të futen në këtë rrugë të rrezikshme”, tha ai. Ministri u shpreh se njësia Forca e Ligjit do të sjellë reduktim të krimit në vend. “Qëllimi i gjithë përpjekjes së tanishme është që ky model biznesi të shkatërrohet përmes goditjes së financave dhe aseteve kriminale, duke siguruar kështu që me shterimin e këtyre burimeve, që e mbajnë gjallë krimin, të kontribuohet në reduktimin e përgjithshëm të kriminalitetit dhe krimit të organizuar në vend, duke krijuar në të njëjtën kohë kushte normale për jetesën e qytetarëve, duke i hapur rrugë zhvillimit të vendit dhe duke i hapur perspektiva integrimit të tij në familjen europiane”, tha ai. Ai ka kërkuar që të gjitha strukturat në Vlorë të jenë në gatishmëri. Po ashtu u ka dërguar një mesazh institucioneve të SPAK. “Në këtë kuadër do të kërkohet nga gjithë strukturat e Prefekturës së Qarkut, por sidomos edhe të Policisë angazhim i jashtëzakonshëm në këtë proces, i cili përfshin shumë institucione. Pavarësisht se është Policia e Shtetit ajo që ka detyrën e hapit të parë, e më tej SPAK-u apo Gjykata e Posaçme, janë edhe një sërë institucionesh të tjera të shtetit shqiptar që kanë detyra shumë të qarta në kuadër të këtyre ndryshimeve, të kësaj përpjekje të madhe kombëtare për këtë hap të ri në luftën kundër krimit dhe kryesisht janë ato organe që merren me tatimet, që merren me taksat, që merren me hipotekat dhe që merren me aspekte të tjera të zyrave të shtetit shqiptar, të cilat kanë përgjegjësi konkrete për të kryer në këtë proces të rëndësishëm”, tha ai.