BREAKING NEWS

Dhunohet kryetari i bashkisë në Vlorë, dalin dyshimet e para, vihet në pranga një 57-vjeçar (DETAJE)

Dhunohet kryetari i bashkisë në Vlorë, dalin dyshimet e para,
x
BREAKING NEWS

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të pasurive korruptive nis menjëherë ndjekja penale, 223 politikanë në lupën e SPAK

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të
x
BREAKING NEWS

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e Berishës është e humbur, akuzon ithtarët e ish-kryeministrit se u pasuruan kur ishin në pushtet

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e
x
BREAKING NEWS

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me reagimin e rëndësishëm: Të nisin negociatat pa vonesa!

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me
x

Politike

Nga “Gërdeci”, te Kompleksi Partizani, kreu i SPAK zbardh detajet e hetimeve për dosjet e bujshme dhe paralajmëron reprezalje si në Kroaci e Rumani

Nga “Gërdeci”, te Kompleksi Partizani, kreu i SPAK zbardh

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja ka folur dje për dosjet e bujshme që po hetohen nga SPAK. Në një intervistë për “Top News”, ai u shpreh se SPAK është ngritur sipas shembullit kroat dhe rumun dhe la të hapur mundësinë që do të shkohet drejt këtij modeli. Në këto dy shtete janë arrestuar ish-kryeministra, deputetë, ministra e funksionarë të lartë. Nga ana tjetër ai foli për dosjen e Gërdecit, ku shpjegoi se përse u kërkua gjykimi për Mediun. Ndërkohë u ndal dhe të një tjetër dosje korruptive, si ajo e privatizimit të Kompleksit Partizani, ku deklaroi se po bëhen hetime dhe po shihet me shumë detaje se çfarë ka ndodhur realisht me pronat e klubit sportiv. Duhet theksuar se për këtë dosje janë paditur ish-kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Kraja foli dhe për hetimet ndaj të ngelurve në veting, ku dha sinjale se mund të kemi të tjera sekuestrime pasurish. Sa u takon sulmeve politike, ai deklaroi se SPAK nuk i trembet dhe nuk ndikohet aspak nga politika.

-Si do e shikoni institucionin e SPAK në raport me drejtësinë sot?

SPAK është një strukturë e re e krijuar që padiskutim do ndikojë për ta rritur edhe më shumë efektivitetin edhe drejtësinë në Shqipëri, në goditjen e krimit të organizuar, korrupsionin, por edhe në drejtim të ndryshimit për konceptin mbi pandëshkueshmërinë e atyre që kryejnë vepra penale.

-SPAK ka realizuar edhe analizën e parë vjetore apo jo dhe ka përmbushur vitin e parë kalendarik të plotë, nga ana historike do të mbahet mend, por nga ana cilësore që është ajo më me rëndësi, ju si do ta vlerësoni?

Ka qenë një vit tepër i ngarkuar sepse SPAK është një strukturë e re, është filluar nga e para çdo gjë duke filluar nga prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore, administrata, por edhe nga ngarkesa e punës. Kështu që ka patur ngarkesë, shto dhe vitin e kaluar, pandemia, problemet e rikonstruksionit që kishim në objekt dhe normalisht nuk kemi punuar me kapacitetin e plotë. Këtë vit po bëhet analiza për 1 vjetorin ku do raportojmë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, do raportojmë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për treguesit e punës që kemi pasur. Nga pikëpamja statistikore kemi pasur tregues shumë të mirë me produkt të mirë pune. Janë hetuar rreth 564 procedura penale gjatë vitit të kaluar për të cilën kemi patur rreth 700 persona nën hetim nga të cilët kemi arritur të dërgojmë për gjykim rreth 70 procedime penale me 260 persona të pandehur brenda një viti. Kanë përfunduar gjykimet për 114 persona, të cilët të gjithë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga gjykatat dhe pjesa më e madhe e tyre faktikisht kanë qenë për korrupsion dhe për krim të organizuar, kështu që nga pikëpamja statistikore dhe të dhënave ka një produkt të mirë. Por në raport me pritshmëritë e publikut ne e kuptojmë që ka ende punë për të bërë sepse duhen më shumë rezultate konkrete.

-Si e gjykoni pritshmërinë e publikut?

Është normale sepse pas një periudhe të gjatë ku drejtësia kishte problemet e veta ku u pasqyrua pastaj me vetingun dhe largimet nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mosfunksionimi normal i sistemit të drejtësisë është normale që të kishte pritshmëri të madhe. Midis pritshmërisë së njerëzve dhe mënyrës sesi ne punojmë ka një diferencë të madhe sepse pritshmëria ndikohet nga ambienti dhe nga faktorë të ndryshëm kurse ne jemi të detyruar të referojmë provat sepse nuk mund të bëhemi arbitrarë pavarësisht opinionit që mund të kemi.

-Kur ka pritshmëri nga publiku ju bën kjo të besoni që ka edhe besim?

Padyshim është një forcë dhe një nxitje për të punuar. Jo vetëm nga publiku, por edhe nga pikëpamja e të dhënave ne kemi një numër të lartë personash që po bashkëpunojmë me drejtësinë. Ky është një tregues që edhe vetë personat që janë të përfshirë në aktivitet kriminal kanë filluar të besojnë që është një strukturë që mund të gjejë një suport apo mbështetje për të dhënë shpjegime të drejta dhe të sakta për të ndëshkuar persona që thyejnë ligjin.

- Gjatë këtij viti në fakt ju keni sekuestruar miliona asete kriminale, keni çuar para drejtësisë grupe të strukturuara, politikanë, biznesmenë dhe gjyqtarë të korruptuar. Sërish qytetarët kërkojnë “peshqit e mëdhenj”, a është kjo që po flisnim së bashku?

Koncepti i peshkut është figurativ, ne kemi konceptin e zyrtarit, funksionarit dhe kategorive të caktuara. Padiskutim që kushdo që do bëjë vepër penale do jetë nën hetim nga SPAK dhe do shkojë pranë gjykatës. Nuk shkohet me opinione apo përshtypje, por shkohet me prova dhe për të arritur aty duhet kohë dhe punë. Ne s’kemi ende Byronë Kombëtare të Hetimit. Vitin e kaluar ne kemi qenë të ngarkuar përveç punës së përditshme, por edhe me përzgjedhjen e Byrosë Kombëtare. U përzgjodh drejtori, pastaj hetuesit. Kemi arritur tani grupin e parë ku këtë javë emërohet grupi i parë i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Janë 28 hetues të Byrosë, të cilët po vazhdojnë po trajnohen në FBI, në DEA, në Itali dhe nga autoritetet këtu në Shqipëri dhe besojnë se në fund të muajit korrik do të jenë efektivisht të gatshëm për të filluar detyrën.

-Modeli i SPAK u krijua sipas modelit kroat USKO, që do të thotë pra se në Kroaci janë arrestuar ish-kryeministra apo edhe ministra. A do ketë në Shqipëri hetime të këtij niveli?

SPAK nuk është krijuar vetëm mbi bazën e USKO, por edhe mbi eksperiencën e vendeve të rajonit edhe Rumania ka figura të ngjashme po ashtu edhe Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe koncepti i këtyre strukturave është një grup njerëzish të përzgjedhur dhe të specializuar dhe një trupë gjykuese të tillë dhe pastaj produkti vjen vetvetiu padiskutim.

-Pra mund të arrijë edhe në nivele të tilla?

Nuk mund të paragjykojmë asgjë.

-Sa e vështirë është të hetosh krimin e organizuar në Shqipëri?

Krimi i organizuar në Shqipëri ka histori të konsoliduar, ka një lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, është i shtrirë në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë ku del përditë nga hetimet një fakt i tillë kështu që padiskutim ka vështirësi. Ka personazhe që janë të përfshirë qoftë nga asetet dhe kapacitetet financiare që ata kanë, të cilat i përdorin jo vetëm për të ushtruar aktivitetin kriminal, por edhe për të blerë punonjës të administratës publike apo për të siguruar mbrojtje për vete, kështu që është e vështirë vërtet.

-A ju çojnë hetimet deri tek drejtues të administratës publike?

Hetimet në përgjithësi sidomos kur lidhen me korrupsionin, me shpërdorimet në fondet publike apo në rastin e shkeljes së barazisë në tendera që janë kompetencë e prokurorisë sonë, padiskutim aty të çojnë pasi aty janë zyrtarët që ushtrojnë këto funksione. Por në raport me krimin e organizuar më pak ka.

-E justifikon SPAK besimin e shumë qytetarëve, në bazë të asaj që ka ndodhur brenda një viti?

Për atë duhen pyetur qytetarët, por ne po bëjmë maksimumin për të nxjerrë produktin më të mirë.

-Mbi 1 mijë persona të përgjuar në një vit, saktësisht 1175. A kanë kapur rrjetat e përgjimit persona të politikës në komunikim me persona të inkriminuar?

Përgjimi është një mjet mbi kërkimin e provës. Përdoret padiskutim në hetimet e krimit të organizuar dhe rastet e korrupsionit apo në shkeljen e barazisë së tenderave kështu që në atë aspekt ata persona që janë përfshirë në aktivitete kriminale dhe që janë pjesë e një hetimi sigurisht që bien pre edhe e përgjimeve.

-Le të flasim për çështje fikse në këto momente. Zbardhja e vrasjeve të Klodian Saliut dhe Vajdin Lames për shembull konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha dhe sinjal se SPAK e kishte seriozisht që në fillimet e tij. Ka shumë skeptikë mbi këtë hetim, a janë të plota provat?

Kjo është një çështje në hetim që unë s’mund të jap komente më tepër, por ajo që mund të them është se është një çështje që është hetuar shumë mirë deri tani, ka një vendim gjykate që ka miratuar çdo kërkesë tonën kështu që procesi vazhdon.

-Për të folur edhe për vrasjen e Devi Kasmit, një serial killer le të themi, që ishte një ngjarje mjaft e bujshme, është shqetësues depërtimi i këtyre kontingjentëve të rrezikshëm nga jashtë? Kemi patur edhe një rast tjetër ku një vrasës me pagesë italian ka kryer një krim në bulevardin Zogu i Parë.

Kjo tregon atë që unë thashë pak më parë që krimi i organizuar në Shqipëri ka lidhje me strukturat jashtë, me krimin e organizuar jashtë vendit. Dhe jo vetëm që po shkëmbejnë në kuptimin e trafikut të drogërave, por marrin edhe njerëz për të bërë vepra penale siç është rasti që ju thoni. Edhe ku është një rast që është hetuar shumë mirë, ne e kemi arritur në gjykim faktikisht kur u krijua SPAK dhe e përfunduam gjykimin, tani ka marrë formë të prerë, autori është dënuar me burgim të përjetshëm, kështu që mendoj se është një rast i suksesshëm në ndëshkimin e krimit të organizuar.

-Ndjeni që, që në momentin kur është krijuar SPAK të ketë patur një stepje në krimin e organizuar në Shqipëri?

Ato struktura funksionojnë normalisht, por ka stepje në momentin kur këto struktura goditen patjetër.

-Për të folur për një rast tjetër, gjyqtarja Hoxha u arrestua për lirimin e personazheve të rrezikshëm dënuar me burg të përjetshëm dhe ky u shndërrua në një fenomen dhe do doja të dija a ka gjyqtarë të tjerë që hetohen për skema të ngjashme si të gjyqtares Hoxha?

Ajo ishte një ngjarje shumë e rëndë nga pikëpamja e sistemit të drejtësisë sepse ishin disa raste që persona të dënuar për vepra shumë të rënda ishin liruar në mënyrë jo të rregullt. Kishim kryer veprime bashkë me policinë në dispozicion dhe rezultati ishte ai që ne arritëm me masat nga gjykata. Çështja është drejt përfundimit tani dhe do të shkojë në gjykatë, aty pastaj do ketë zgjidhjen përfundimtare.

-Po ky duket në fakt si një fenomen që ndodh rëndomtë nga gjyqtarë që shfrytëzojnë hapësirat ligjore duke lehtësuar masat. A ia dalim dot ta ndalim këtë gjë?

Ligi është i tillë që gjyqtari duhet të japë një vendim brenda një limiti të caktuar. Por në rastet kur një vendimmarrje është e lidhur me përfitim të parregullt kjo pastaj kthehet në problematikë si rasti i gjyqtares që përmendëm.

-Por që gjithsesi mund të themi që në gjyqtarë të ndryshëm mund të hasim të tilla raste?

Nuk e di nuk mund të them. Kur flasim, flasim për raste konkrete.

-E kuptoj! A ka emra të njohur nga ata 10, të cilët po kryejnë verifikime nga SPAK për pasurinë, flas për ish-gjyqtarë të shkarkuar nga vetingu?

Po kemi një procedim penal që e kemi bërë dhe njoftim publik. Ka një hetim patjetër ku deri në këto momente ne kemi konkluduar 3 nga ish-gjyqtarët bazuar në ligjin antimafia, kemi sekuestruar pasuritë me vendim gjykate dhe ndërkohë po vazhdon hetimi penal. Janë nën hetim për veprën deklarim i rremë të pasurisë. Pjesa tjetër pastaj është nën hetim.

-Rasti i Luan Dacit duket sikur tronditi disi procesin e vetingut nëse flasim konkretisht me emra. Shpesh ka patur akuza për anëtarë të tjerë të KPK dhe KPA, a po kryhen hetime të tilla për këtë kategori?

Rasti që thoni ju ka përfunduar në vendim të formës së prerë dhe gjykata ka shpallur fajtor zotërinë kështu që quhet diçka e mbyllur. Ajo tregon që SPAK është shumë korrekt dhe i vendosur për të hetuar këdo që i del përpara. Personi u hetua, u provua dhe u ndëshkua edhe nga gjykata. Në rastet e tjera pastaj ka patur padiskutim shumë, qoftë kallëzime nga subjekte të shkarkuara të cilët janë vlerësuar rast pas rasti, nuk janë konkluduar me përgjegjësi penale të dikujt tjetër.

-Një rast tjetër konkret është edhe ai i zonjës Zamira Rami, e hetuara e parë nga SPAK e zgjedhur me votë, ndërkohë kemi edhe rastin e dënimit të një ish-kryebashkiaku, atij të Hasit, dosje që në fakt është iniciuar nga Prokuroria e Kukësit.

Po janë 2 raste që ne kemi hasur 2 drejtues të pushtetit lokal. Janë dërguar për gjykim, ku njëri është në Apel dhe pritet vendim ndërsa tjetrit nuk i ka përfunduar ende gjykimi.

-A kemi raste të tjera nga prokuroritë për zyrtarë në të tilla nivele flas?

Nga prokurimet e rretheve gjyqësore vijnë shumë raste sepse njerëzit mund ta referojnë kudo një vepër penale. Në momentin që dalin elementë që janë në kompetencën tonë do sjellin tek ne. Ka në mënyrë të vazhdueshme, ka. Siç u dërgojmë dhe në raste që janë në kompetencat e tyre kur nisim hetimet dhe nuk dalin kompetencë e jona.

-Një tjetër sukses, të paktën është cilësuar i tillë, padyshim ka qenë edhe goditja e grupit të tjetërsimit të tokave në Lezhë. Po çfarë po bëhet për pjesën tjetër të bregdetit, të mos harrojmë çfarë është bërë në Vlorë në Gjirin e Lalzit dhe Velipojë me tokat?

Është një fenomen shumë negativ, shumë i keq kriminal ku personazhet e botës së krimit të organizuar kanë tjetërsuar prona të shtetit në mënyrë masive dhe kanë tentuar t’i përdorin për qëllime biznesi. Rasti i Ranës së Hedhun në Shëngjin është tipik për këtë. Ka qenë një procedim shumë i suksesshëm, i cili përfundoi me kthimin e gjendjes në favor të shtetit të 300 mijë metra katrorë tokë në bregdet dhe është një mekanizëm që është përdorur edhe në zonat e tjera. Por jemi duke vlerësuar hap pas hapi pasi kërkon shumë punë dhe ka shumë volum për të evidentuar çfarë ka ndodhur.

-Është një çështje që tërheq vërtet vëmendje në fakt, a mendojmë se do të shkojmë drejt një zgjidhjeje?

Unë besoj që do kohën e vet sepse janë fenomene që kanë kohë të gjatë që ndodhin, por kam besim që do të shkojnë aty ku duhet.

-Gjatë këtij viti kemi parë goditjen e disa grupeve kriminale dhe sigurisht sekuestrimin e parave, jo të rëndësishëm në emrat e tyre, por të rëndësishëm në botën e krimit. Sa i takon kësaj çështje a kemi dosje të mëdha në proces hetimi dhe a kemi emra VIP të përfshirë në to?

Aktualisht sigurisht që kemi dosje në hetim qoftë për krim të organizuar ose korrupsion, por ajo që ne i kemi vënë synim vetes është çështja e pastrimit të parave që ka qenë një fenomen shumë shqetësues në Shqipëri. Në këtë rast janë marrë dënimet e para, në rastin e Hasit u dënuan tre persona edhe në rastin e tokës së Shëngjinit u dënuan 2 persona për pastrim produktesh. Kemi edhe një rast tipik që duhet të vlerësohet, është rasti kur në bashkëpunim me autoritetet daneze u hetua për pastrim produktesh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal ku gjithë aktiviteti kriminal kishte ndodhur në Danimarkë ndërkohë paratë ishin investuar në Shqipëri në biznese dhe aty kemi marrë dënim të personave me vendim të gjykatës si dhe konfiskim të pronave, të cilat rridhnin nga aktiviteti kriminal.

-Në Shqipëri vëmendje të madhe marrin edhe ndërtuesit e objekteve të ndryshme, shpesh përdoren emra të tjerë personash pasi dikush tjetër i posedon ato, apo hetohen grupet kriminale për pastrim parash në fushën e ndërtimit?

Ka hetime pasurore i themi ne, në Operacionin Forca e Ligjit që patëm rreth 251 raste të referuara nga policia, të cilat u zgjidhën nga ana jonë, ku ka patur shumë verifikime për investime të kryera nga persona me aktivitet kriminal. Por edhe në bazë të ligjit antimafia ne e zbatojmë shumë verifikimin pasuror për konfiskimin e pasurive.

-Mundet të vijë një ditë që s’do të kemi probleme për këtë situatë, a është e lehtë të vijë ajo ditë?

Është një luftë e vazhdueshme nuk mund të themi që do të përfundojë sepse vazhdon bashkë me jetën e njeriut. Çështja është sa arrijmë ne ta reduktojmë këtë situatë.

-Cila është pika më problematike në Shqipëri?

Në pikëpamjen e korrupsionit ka më shumë problematika, por edhe nga pikëpamja e tregut informal, ka shumë informalitet të vështirë për të evidentuar dhe të mbledhësh provat për një verifikim konkret.

-A ka pasur diçka që në momentin që keni marrë detyrën që ju ka surprizuar dhe nuk e prisnit?

Ka pasur, por jo që lidhet me punën, diçka administrative e ambienteve të punës që ne u vendosëm.

-Për të folur për një ngjarje, e cila vërtet mori një vëmendje të madhe, që është cilësuar si sukses i SPAK është ajo që ndodhi me grabitjen e Rinasit ku ende në kërkim është Talo Çela, i dyshuar për ngjarje të tjera kriminale. A janë zhvilluar operacione për kapjen e tij?

Ai është person në kërkim dhe ka vendim gjykate, normalisht që strukturat përkatëse të policisë janë duke u marrë me këtë rast dhe duke e bërë detyrën e tyre përditë. Po merren përditë me informacione për të verifikuar vendndodhjen dhe për ta kapur, më shumë nuk kam çfarë të them.

-Javën e kaluar u diskutua shumë në media mbi njoftimin që bëri SPAK sa i takon edhe një herë tjetër hapjes së hetimit për çështjen e Gërdecit. Unë kam intervistuar edhe zotin Fatmir Mediu, por edhe zonjën që i është drejtuar gjykatave në lidhje me këtë çështje. Megjithatë lidhur me kërkesën e gjykimit ndaj ish-ministrit Mediu a kemi veprime shtesë hetimore apo prokuroria bazohet në ato prova që kishte më parë?

Kjo është një kërkesë që na erdhi nga familjarët e viktimave, të cilët kërkonin që të rihapet procesi gjyqësor ndaj zotit Mediu. Morëm kërkesën dhe bëmë verifikimet e nevojshme dhe rezulton që Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2009 e ka dërguar për gjykim zotin Mediu me një akuzë konkrete në kuadër të ngjarjes së Gërdecit. Një pjesë e dosjes është veçuar dhe ka përfunduar në vendim të formës së prerë ndërkohë që pjesa e përgjegjësisë penale e zotit Mediu nuk është shqyrtuar fare nga gjykata sepse ai ka pasur imunitet në atë periudhë. Në situatën e tanishme kjo pengesë nuk ekziston më, imuniteti nuk është më pengesë për hetimin dhe gjykimin e tij. Pra kemi një rihapje të procesit gjyqësor, i cili as nuk ka filluar dhe as nuk është shqyrtuar ndonjëherë deri më tani.

-Gërdeci është një temë shumë delikate ku shqiptarët janë shumë kuriozë të dinë sesi do të procedohet me vijimësinë ndaj po ju pyes a ka veprime shtesë hetimore apo do të vijojë baza në ato çfarë kanë qenë?

Deri tani nuk ka veprime hetimore shtesë, është krijuar vetëm rihapja e procesit gjyqësor. Në qoftë se në procesin gjyqësor mund të dalin prova të reja atëherë do të vlerësohen patjetër.

-Në fakt në intervistën me zotin Mediu, ai e cilësoi si një sulm politik megjithatë do doja të dija kjo çështje kufizohet vetëm tek emri i zotit Mediu apo ka dhe persona të tjerë që ia kanë hedhur drejtësisë në procesin e parë?

Unë të thashë është një çështje që është pezulluar në gjykim dhe rihapet po në gjykim me të njëjtin status që ka qenë, pra vetëm zoti Mediu është i akuzuari në këtë proces.

-SPAK gjithashtu ka nisur një hetim për çështjen e privatizimit të terreneve të kompleksit “Partizani”, në çfarë faze janë hetimet?

 Hetimi është në proces e sipër duke vazhduar. Nuk mund të them më tepër.

-Zoti Kraja ju dhe kolegët tuaj a ndiheni të kërcënuar nga bota e krimit?

Prokurorët janë njerëz, të cilët punojnë me personazhe të rrezikshëm të lidhur me botën e krimit kështu që ka presione pa diskutim, por aty ne jemi përzgjedhur të gjithë për t’i përballuar këto presione, kemi kushte shumë të mira pune dhe trajtim të mirë kështu që po e kryejmë aktivitetin tonë si normalisht pa asnjë problematikë. Një pjesë e prokurorëve janë nën mbrojtje për shkak të rasteve që kanë proceduar ose janë duke proceduar. Megjithatë kjo nuk na pengon të vazhdojmë punën tonë.

-Kur them të kërcënuar jo vetëm nga grupet e krimit të organizuar, por edhe nga politika e cila ndonjëherë mund të bëhet pjesë!

Politika ka punën e saj ndërsa ne kemi punën tonë. Ne kemi bërë një marrëveshje me njëri-tjetrin që duhet të jemi në rregull me ligjin dhe standardin që ne kemi pastaj se çfarë thuhet nëpër studio televizive apo çfarë thonë politikanët nuk kanë fare rëndësi për ne.

-Ndonjëherë segmente të caktuara politike ose mediatike vijojnë të sulmojnë SPAK, sa ju shqetësojnë sulmet politike?

Unë i marr në sensin pozitiv pasi mundohem të shoh çfarë duhet të përmirësojmë.

-Për shembull a ishte e çuditshme të dëgjoje zotin Mediu atë ditë në intervistë kur u shpreh se ky është një sulm tjetër i Edi Ramës?

Nuk dua të debatoj më shumë për këtë histori.

-Siç iu thashë në studio ishte edhe zonja, e cila ka bërë kërkesën e rihapjes së procesit gjyqësor për çështjen e Gërdecit dhe ajo ishte besimplotë se SPAK do ta zgjidhte në të kundërt do t’i drejtohej Strasburgut. Mendoni që mund t’ia dalim ta zgjidhim në Shqipëri këtë çështje?

Zonja ka të gjitha të drejtat e ligjshme për të qenë palë në proces pasi është viktimë dhe padiskutim do të jetë pjesë e procesit sepse e parashikon ligji. Pastaj sesi do arrihet e vendos gjykata.

-Kur flasim për kompleksin “Partizani” kemi edhe emra të rëndësishëm, ju më thatë që është një proces në hetim apo jo?

Është një proces në hetim nuk ka ndonjë emër të regjistruar, por thjesht po hetohet rreth faktit për të sqaruar çfarë ka ndodhur.

-Si janë raportet me ndërkombëtarët, veçanërisht me partnerët tanë strategjikë pra SHBA?

Kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Vendosja e raportit me ndërkombëtarët ka një logjikë dhe sens sepse unë e thashë edhe më para që qoftë krimi i organizuar qoftë korrupsioni nuk shtrihet vetëm në vendin tonë. Por është i lidhur me rrjete në gjithë rajonin e më tej. Kështu që në këto kushte po qe se nuk ke kontakte me homologët jashtë vendit e ke të pamundur t’i luftosh. Një nga punët e para që kemi bërë sapo u krijua SPAK kemi bërë një marrëveshje me Prokurorinë Antimafia kundër terrorizmit në Itali me të cilën kemi një partneritet të mrekullueshëm. Kemi 7 skuadra të përbashkëta hetimore me Antimafien Italiane ku luftojmë krimin e organizuar dhe pastrimin e parave e të tjera me radhë. Kemi raporte shumë të mira edhe me strukturat e qeverisë së SHBA pranë nesh, të cilat asistojnë në mënyrë të përhershme për të ngritur struktura me mbështetje financiare në kuptimin e ndihmës me mjete dhe pajisje, por edhe suport teknik e trajnues. Është e domosdoshme të kesh bashkëpunim dhe të vendosësh besimin në autoritetet e huaja sepse ka patur stepje nga ana e tyre për bashkëpunim me autoritetet shqiptare, ishte një stepje që ekzistonte dhe prandaj ne jemi munduar ta thyejmë këtë. Po të shihni raportin 1 vjetor aty ka më shumë se dyfishim të rasteve ku autoritetet e huaja kanë kërkuar bashkëpunimin e SPAK në fushën e mbledhjes së provave. Pra kjo tregon një rritje të besimit.

-Shumë vëmendje në fakt gjatë periudhës zgjedhore ka marrë shitblerja e votës, një rast konkret që ne në studio e kemi bërë me dije me pamje ekskluzive zë dhe figurë, ka qenë e një prej kandidatëve nga LSI, zoti Etjon Joka, i cili ishte kandidati me numër 22 në listën e Tiranës. Është një person i cili duket qartë në video që blen votën duke e shtrirë më tej situatën duke kërkuar që edhe persona të tjerë të blejnë vota. Sigurisht mendoj se denoncime të tilla në SPAK ka patur shumë, por si procedohet me këta persona?

Nuk dua të futem në çështje konkrete pasi është çështje hetimi, por kemi patur shumë denoncime nga subjekte politike, policia por edhe nga mediat. Të gjitha janë vlerësuar me përparësi këtë periudhë. Gjithë sektori i krimit ekonomik ka qenë në dispozicion të rasteve të tilla kur ka qenë kompetencë e jona kemi filluar hetimet, ka patur shumë raste që nuk kanë qenë në kompetencat tona sepse kanë qenë kompetencë e prokurorive në rrethet gjyqësore. Ne kemi vetëm korrupsionin në zgjedhje, kështu që janë raste që po hetohen.

-Kur mund të themi që do të përfundojë dhe do të kemi një rezultat lidhur me këtë çështje?

Hetimi ka kohën e vet dhe afatin e tij ligjor dhe në momentin që hetimet do të përfundojnë ne do të bëjmë publike rezultatet në radhë të parë të atyre që kanë bërë kallëzimin.

-Pyetja e fundit ka të bëjë me ndërkombëtarët, në materialin e Ardita Becollit gjithçka niste me vendimin në Parlament ku gjithçka nisi dhe vihej re nga pamjet që ndërkombëtarët ishin ata që duartrokisnin më fort, a kanë duartrokitur këtë vit të parë të SPAK?

Unë mendoj që kanë dhënë suportin e tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe më shumë ka qenë nxitje për punë për të rritur efektivitetin. Unë në këtë sens e shoh pra ndërhyrjen e ndërkombëtarëve qoftë nga SHBA qoftë nga delegacion i bashkuar në Tiranë apo strukturave të tjera ndërkombëtare. Ka qenë suport për të ecur përpara dhe nxitjen se duhet bërë më shumë. Në këtë sens ka qenë ndërhyrja e tyre.

Më të lexuarat