BREAKING NEWS

Paralajmërimi i bujshëm i John Bolton: Ju tregoj si do të ndikojë roli i Joe Biden në bisedimet Kosovë – Serbi (VIDEO)

Paralajmërimi i bujshëm i John Bolton: Ju tregoj si do të
x

Politike

Ngritja e Kushtetueses me procedurë të përshpejtuar rrezikon tjetër konflikt, Kuvendi e Presidenca duhet të koordinohen për emrat

Ngritja e Kushtetueses me procedurë të përshpejtuar rrezikon

Kuvendi dhe Presidenca rrezikojnë të shkojnë drejt një konflikti të dytë sa u takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Sot Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të zhvillojë një mbledhje të gjatë, qëllimi i së cilës është që Kushtetuesja të jetë funksionale brenda vitit. Edhe pse më herët KED ka marrë 5-6 muaj kohë për të verifikuar kandidatët, për dy vakancat më të fundit të Kuvendit dhe Presidencës janë bërë verifikime për shumë pak javë, me qëllim që gjykata të jetë funksionale. Por ky nxitim mund të sjellë një konflikt Presidencë-Parlament. Nëse shohim kandidatët, janë të njëjtët njerëz që kanë aplikuar për të dyja vakancat. Altin Binaj, Ardita Buna Alsula dhe Ilir Haznedari janë 3 emra të cilët kanë shfaqur interes për të dyja vakancat e shpallura, pra dhe nga Presidenca dhe nga Kuvendi. Por edhe në listën e Presidencës, e cila ka në përbërjen e saj 10 emra, bien në sy 3 kandidaturat që kanë aplikuar për vakancën e Kuvendit. Ata janë: Zoti Aleksandër Toma; Zoti Altin Binaj; Zonja Aldona Sylaj; Zonja Ardita Buna (Alsula); Zoti Eugen Papandile; Zoti Ilir Haznedari; Zoti Klajdi Mone; Zonja Orkida Totojani; Zoti Përparim Kalo; Zoti Shaqir Hasanaj. Por nëse marrim rastin më të mirë të mundshëm që të tre kandidatët të plotësojnë kriteret dhe të kualifikohen, atëherë është shumë e domosdoshme bashkëpunimi mes institucionit të Presidencës dhe atij të Kuvendit, në mënyrë që të shmanget një konflikt i dytë si ai i një viti më parë. Ndërkohë KED e ka ndarë në disa faza procesin. Në mbledhjen e sotshme do të shqyrtohen gjetjet për Altin Binaj dhe Ilir Haznedari si kandidatë për vakancën e Kuvendit datë 24.09.2020. Ndërsa për vakancën e Presidencës do të shqyrtohen gjetjet për kandidatët: Aleksandër Toma, Altin Binaj, Eugen Papandile, Ilir Haznedari, Orkida Totojani.

Zgjedhja e kandidatëve nga presidenti

Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet. Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.

Emërimet nga Kuvendi

Ashtu si Presidencës edhe në rastin e Kuvendit, KED i dërgon atij listën me tre emra. Më pas, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.