Politike

Partia Demokratike denoncon: Kutitë e votimit me logot e PS, farsa që zhbën autonominë e zgjedhjeve në universitete

Partia Demokratike denoncon: Kutitë e votimit me logot e PS, farsa që

Zgjedhjet universitare u mbajtën në të gjithë vendin me datë 30 Korrik, ku pati pjesëmarrje të lartë nga ana e pedagogëve, por munguan studentët, ku vetëm 14.5% e tyre morën pjesë në Universitetin e Tiranës, ndërsa në të gjithë vendin morën pjesë rreth 25 mijë studentë. Zgjedhjet janë shoqëruar me debate që para se të zhvilloheshin, ku grupe të ndryshime studentore, si Lëvizja Për Universitetin dhe Qëndresa Qytetare kanë bërë thirrje për bojkot. QQ po ashtu i ka kërkuar presidentit Ilir Meta, që të ketë të qartë se cilat janë shkeljet që po bëhen në këtë proces, madje ata kanë bërë edhe një takim me presidentin. Ndërkohë LPU ka mbajtur një fushatë online mbi bojkotin e zgjedhjeve, ndërsa ditën e zgjedhjeve shpalosën një banderolë ku dënonin zgjedhjet. Sakaq Partia Demokratike ka dalë kundër zgjedhjeve duke denoncuar faktin se disa prej kutive mbanin logon e Partisë Socialiste. Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi, ka denoncuar zgjedhjet në universitete, si një farsë që zhbën autonominë. Vokshi thotë se zgjedhjet u zhvilluan pa fushatë, pa garë dhe pa ide. Ajo i ka krahasuar ato me zgjedhjet e 30 qershorit. “Njësoj si zgjedhjet politike të 30 Qershorit vjet, zgjedhjet në universitetet sot ishin të paracaktuara, pa garë, me shumicën e studentëve të përjashtuar nga zgjedhjet me vendim qeverie. Fituesit ishin të paracaktuar. U zhvillua e njëjta skemë si në zgjedhjet lokale, u bë i njëjti shantazh dhe presion ndaj studentëve e ndaj pedagogëve. U përdor e njëjta infrastrukturë partiake, edhe kutitë e votimit ishin më logo të PS, gjë që ndalohet kategorikisht nga ligji i arsimit të lartë. Pa fushatë, pa garë, pa ide, pa programe, pa alternativa dhe me kandidatë të paracaktuar nga Edi Rama dhe Partia shtet”, është shprehur Vokshi. Më tej ish deputetja e Partisë Demokratike është shprehur se procesi i zgjedhjeve ka qenë kriminal. Sipas Vokshit është dhunuar e drejta kushtetuese për të votuar. “Në një proces kriminal, të dhunuar në të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar e për të votuar, të shantazhuar për notë apo për të ardhmen e tyre, studentët u detyruan të qëndronin me orë në turma përpara Fakultetit të Drejtësisë, pa maska a distancim social në rrezik ekstrem për shëndetin dhe jetën e tyre. Kandidatët për rektorë, dekanë, anëtarë të KIZ ilegjitim qëllimshëm caktuan datat e provimeve sot, për të rritur pjesëmarrjen e studentëve, duke rrezikuar shëndetin e tyre, me qëllimin e vetëm uzurpimi dhe pushteti”, tha ajo.

Më të lexuarat