BREAKING NEWS

Një humbje e madhe / Koronavirusi i merr jetën aktorit dhe regjisorit të famshëm shqiptar

Një humbje e madhe / Koronavirusi i merr jetën aktorit dhe regjisorit
x

Politike

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI parti klienteliste, Basha në luftë të hapur me paraardhësin dhe Presidentin

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI

Turbullohen sërish ujërat brenda opozitës. Teksa zgjedhjet e 25 prillit janë më afër se kurrë, ka një betejë të ethshme brenda kampit demokrat dhe në raportet PD-LSI. Kryedemokrati Basha duket se po lufton fort për të mos pasur pas vetes ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta, të cilët po luftojnë fort për të kontrolluar PD. 25 prilli do të jetë vendimtar për fatin e Bashës dhe lideri i PD ka nisur të ndryshojë qasje, duke u shkëputur nga klika Meta-Berisha. Ai që e tregon shumë qartë një gjë të tillë është Genc Ruli, i cili duket se po jep mesazhe të qarta mbi atë se çfarë ndodh në raportet e Bashës me Berishën dhe Metën.

Ruli goditje Metës

Ish-ministri Genc Ruli u fut nga Basha në komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve, ndërsa dyshimet janë se Ruli është ai i cili ka shprehur publikisht mesazhet e Bashës. Ai është i vetmi që deklaroi pak kohë më parë se Berisha e ka mbushur qëllimin e tij dhe ka ardhur koha të largohet. Ruli ia bëri të qartë se ai nuk duhet të kandidojë për deputet dhe kjo solli përplasje Basha-Berisha pasi kishte dyshime se Ruli përçonte mesazhet e liderit demokrat. Mirëpo Genc Ruli këtë herë i ka dërguar një mesazh të fortë presidentit. Ilir Meta po lufton fort për të shpëtuar LSI dhe ka mosmarrëveshje me Bashën. Ruli në një intervistë televizive i dërgoi mesazhe shumë të forta Metës. Së pari ai tha se LSI është parti klienteliste. Nga ana tjetër është folur fort se Meta po tenton frenat e opozitës, ndërsa Ruli ia bëri të qartë se këtë nuk ka për ta rritur dot. “Meta, në fakt, ose ngaqë nuk i është dhënë mundësia, ose ngaqë e ka kuptuar, që asnjëherë nuk do të ketë një nga partitë e mëdha dhe nuk mund të jetë lideri i një partie të madhe. Ndoshta nuk iu është dhënë rasti deri më sot, ose ndoshta nuk do të arrijë dot kurrë të jetë. Unë nuk di ta shpjegoj këtë, por di që nuk ka për të qenë, i një partie të madhe. Për këtë arsye, prapë tregoi një intuitë politike që të gjente vendin e tij, në këtë fushë shahu që dominohej nga këta dy kuaj të mëdhenj. Dhe mendoj krijoi një organizëm politik, i bazuar më së tepërmi tek thirrjet klienteliste dhe klaniste, ku njerëzve u premtonte jo formula të përgjithshme që i premtohen elektoratit, por formula personale të plotësimit të dëshirave”, tha ai. Deklarata e Rulit duket se është një mesazh shumë i fortë për presidentin, duke ia bërë të qartë se ai nuk është drejtues i opozitës dhe nuk ka për të qenë ndonjëherë.

Beteja në opozitë

Basha nuk pranon që LSI të dalë në të njëjtën listë me PD në zgjedhje dhe kjo ka krijuar tension mes tij, Berishës dhe Metës. Ky i fundit i druhet një puçi si ai i 2017 dhe po ushtron shumë presion ndaj Bashës, ndërsa ish-kryeministri ka frikë se humbet kontrollin në parti dhe kërkon që të afrohen të besuarit e tij. Por përmes Rulit, Basha u ka dhënë të dyve nga një mesazh shumë të fortë. Ai po i kërkon Berishës që të deklarojë vetë se nuk do garojë në zgjedhje, ndërsa Metës po ia bën të qartë se nuk e kontrollon dot opozitën pasi ka një parti që bredh vetëm pas interesit. Ndërkohë dyshimet janë se kjo mund të jetë dhe një skemë e amerikanëve. SHBA dhe BE nuk e duan Metën e Berishën në Parlament dhe po punojnë fort. Meta në 2022 mund të jetë pa asnjë lloj funksioni nëse LSI është në opozitë, ndërsa e vetmja mënyrë për të larguar Berishën është duke i ndalur kandidimin. Ata shihen si rrezik për reformat e sidomos atë në drejtësi, por dhe për demokracinë në vend. Zgjedhjet janë afër dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, por përveç rivalitetit PS-PD kemi dhe një betejë brenda kampit opozitar, ku përfshihet dhe presidenti.