BREAKING NEWS

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e
x

Politike

Pas presionit ndërkombëtar, PD-LSI kthehen në tryezën e reformës zgjedhore, Rama përshëndet vendimin, reagojnë edhe SHBA-BE

Pas presionit ndërkombëtar, PD-LSI kthehen në tryezën e

Opozita ka vendosur të kthehet në tryezën e reformës zgjedhore. Pas ultimatumit të ambasadores amerikane Yuri Kim, kreu demokrat Lulzim Basha mblodhi menjëherë aleatët dhe u vendos që të mos ketë largim nga Këshilli Politik. Përfundimi i reformës zgjedhore brenda një kohe sa më të shpejtë është shpallur si një nga prioritetet më të rëndësishme politike të PD dhe një mënyrë më e sigurt për të shkuar drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Vetë kryedemokrati deklaroi në një dalje për media se do i rikthehet tryezës së reformës zgjedhore, për të realizuar një nga kushtet për integrimin e vendit në BE. Sipas tij, qytetarëve shqiptarë duhet t’u jepet e drejta për t’iu drejtuar kutive të votimit. “Loja e Edi Ramës me shpresën se duke shkatërruar Teatrin Kombëtar do të shkatërronte edhe reformën zgjedhore dhe shanset për t’iu dhënë shqiptarëve një orë e më parë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të merrte peng procesin e integrimit europian të vendit tani doli zbuluar. Të gjithë e kanë parë, shqiptarë dhe të huaj këtë plan mafioz që ka për qëllim të pengojë reformën zgjedhore, të pengojë integrimin europian të vendit dhe të lejojë Edi Ramën të përdorë të njëjtat mekanizma që ka përdorur edhe më parë për të manipuluar vullnetin e shqiptarëve dhe për ta mbajtur Shqipërinë peng të krizave ciklike. Ne jemi të vendosur të mos e lejojmë këtë. PD dhe opozita e bashkuar është e vendosur që t’iu japë shqiptarëve një orë e më parë garancitë për t’iu drejtuar kutive të votimit dhe për t’u bashkuar në një votë plebishitare për të larguar këtë të keqe”, deklaroi Basha. Por deklaratën e kreut demokrat për t’u kthyer në tryezën e reformës zgjedhore e ka mbështetur kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Përmes një reagimi, ajo tha se do angazhohen maksimalisht për të realizuar sa më parë realizimin e kësaj reforme, duke shtuar se do u kthehet legjitimiteti qytetarëve shqiptarë. "LSI nuk ka asnjë qëndrim të ndryshëm nga qëndrimi që ka bërë të njohur në emër të Opozitës së Bashkuar kryetari i PD-së, zoti Lulzim Basha. Përmbushja e të gjitha detyrimeve ndaj reformës zgjedhore ka qenë dhe mbetet prioriteti im si kryetare e LSI-së, ndaj do të vazhdoj të bëj të gjithë presionin e nevojshëm, që ajo të realizohet me konsensus dhe sa më parë, si kusht i rëndësishëm për të rikthyer legjitimitetin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë”, tha ajo.

Rama përshëndet vendimin e PD-LSI

Kryeministri Edi Rama përshëndeti ditën e djeshme deklaratën e Lulzim Bashës, i cili u shpreh se opozita nuk e ka braktisur reformën zgjedhore duke nënkuptuar rikthimin në tryezë pas bojkotit. Përmes një postimi, ai tha se koha nuk pret dhe palët duhet të arrijnë sa më parë një konsensus për ta përmbyllur sa më parë. "Kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e reformës zgjedhore një kthesë për t'u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus", tha Rama.

Reagon SHBA-BE

Por për rikthimin e PD-LSI në tryezën e reformës zgjedhore reaguan edhe SHBA-BE. Përmes një reagimi të shkurtër, ambasadorja Yuri Kim tha se e mirëpret vendimin e opozitës jashtëparlamentare për t’u rikthyer në tryezë. "E mirëpresim vendimin e Lulzim Bashës për t'u ulur në tryezë për reformën elektorale. Presim që liderët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë", tha Kim. Edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka përshëndetur kthimin e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore. "Mirëpresim vendimin e Lulzim Bashës për të rifilluar punën ndër-partiake për reformën zgjedhore në Këshillin Politik. Ajo shërben për interesin më të lartë të Shqipërisë dhe kontribuon për të përfunduar këtë reformë të rëndësishme pa vonesë, në mënyrë që të përmbushë kushtin e vendosur marsin e kaluar Komisioni Europian", tha ai.