BREAKING NEWS

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri në 24 orët e fundit

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri
x

Politike

Pas ultimatumit amerikan, PS tërhiqet nga pazaret me opozitën parlamentare, pakti i 5 qershorit hidhet në votim më 23 korrik

Pas ultimatumit amerikan, PS tërhiqet nga pazaret me opozitën

Partia Socialiste duket se është tërhequr nga pazaret me opozitën paralementare sa i takon reformës zgjedhore. Opozita e re ka kushtëzuar votën e saj për marrëveshjen e dakordësuar mes mazhorancës dhe opozitës jo parlamentare mbrëmjen e 5 qershorit me justifikimin se ajo nuk do të kalojë në Kuvend pa u plotësuar më parë kërkesat e artikuluara prej saj, sikundër është ndryshimi i sistemit zgjedhor në lista të hapura. Për këtë arsye kryeministri Edi Rama dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kanë pasur disa takime me përfaqësues të opozitës paralementare, me qëllim gjetjen e gjuhës së përbashkët për të votuar draftin e 5 qershorit. Por deri më tani takimet mes palëve nuk kanë prodhuar asgjë, ndërkohë që koha po ikën, pasi po afron 30 qershori, kohë kur skadon edhe afati që kjo marrëveshje e dakordësuar mes PS, PD dhe LSI të votohet ose rrëzohet në Kuvend. Për këtë arsye, dje në zyrën e Taulant Ballës ka trokitur ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, “në tokën” e së cilës, u firmos marrëveshja në 5 qershor dhe që nuk përfshin askund ndryshimet kushtetuese të propozuara nga një tjetër palë, sikundër është opozita parlamentare.

Pas ultimatumit amerikan, PS tërhiqet nga pazaret

Gazeta ka mësuar se takimi i zhvilluar në kryesinë e Kuvendit kishte si qëllim ruajtjen e marrëveshjes së firmosur nën bekimin e ndërkombëtarëve, duke shmangur në këtë mënyrë debatin e dytë që po ndodh në Kuvend, ajo për ndryshimet kushtetuese që do duhet të ketë një konsultim shumë të gjerë sesa një grup deputetësh që politikisht nuk përfaqësojnë më as opozitën në Kuvend. Përpjekja e ndërkombëtarëve për të qëndruar tek pakti i parë, pa u fokusuar tek një tjetër debat që në thelb do të trazonte ekuilibrat politikë në vend, është një sinjal i qartë për vetë mazhorancën, se Kushtetuta nuk duhet të preket. Madje, sikundër theksuan burime nga ky takim, zonja Kim ia ka bërë të qartë zotit Balla, ndërsa i ka vendosur si ultimatum që të votojnë marrëveshjen e dakordësuar mes palëve në 5 qershor dhe se sipas saj, ky pakt duhet të kalojë në Kuvend ashtu siç 4 përfaqësuesit e Këshillit Politik ranë dakord.

Pakti i 5 qershorit më 23 korrik hidhet në votim

Por pas ultimatumit amerikan, Partia Socialiste duket se është tërhequr nga pazaret me opozitën parlamentare, me të cilën po bën lojën “tërhiq e mos e këput”. Sinjalet i ka dhënë dje vetë Taulant Balla, njeriu i cili ka marrë përsipër që në emër të Edi Ramës të negociojë me opozitën e re parlamentare. Nga foltorja e Kuvendit, por më pas edhe gjatë një mbledhje që zhvilloi me grupin parlamentar socialist, zoti Balla u ka bërë të qartë vartësve të tij se PS i qëndron vendimit për të zbatuar marrëveshjen me opozitën, të nënshkruar në rezidencën e ambasadores amerikane. Po kështu, sipas burimeve nga mbledhja e grupit, Balla ka dhënë edhe një datë për votimin e Kodit të ri Zgjedhor, që sipas tij do të jetë 23 qershori. “Me plotësimin e afateve sipas procedurës parlamentare do prezantohet në kohë në Komisionin e Ligjeve. Në dt 23 Korrik ne do të kemi vullnetin për të votuar Kodin Zgjedhor të ri sipas marrëveshjes. Ndërkohë, respektojmë vendimin e opozitës parlamentare në kërkesat e saj për përmirësimin e reformës zgjedhore në Shqipëri”, mësohet të jetë shprehur Balla. Ndërkohë, mësohet se kreu i grupit socialist, Taulant Balla ka zbuluar gjithashtu se votimin e reformës zgjedhore ia ka kërkuar edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim gjatë takimit që zhvilloi me të.