Politike

Patozi flet për koalicionet: Shoh zero mundësi bashkëpunimi me Bashën, do të garoj me ata që kanë të njëjtën kauzë si ne

Patozi flet për koalicionet: Shoh zero mundësi bashkëpunimi me

Kryetari i partisë “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi reagoi ditën e djeshme në lidhje me kandidimet dhe koalicionet. Patozi u shpreh se mundësitë për një koalicion me kryedemokratin Lulzim Basha sipas tij janë zero. Ai tha se ka qëllime dhe vizione krejtësisht ndryshe nga Basha, koordinatori i Bindjes Demokratike u shpreh se i sheh tentativat për arritjen e paktit si pazar për vende të sigurta në listë. “Ne gjykojmë që me zotin Basha na ndan së pari vizioni që kemi për politikën dhe e dyta qëllimi. Po vazhdojnë pazarin e tyre për të gjetur hapësira të sigurta në listë, që është një shëmti, në rrafshin estetik, sepse tregon që për ata nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Patozi. Sipas tij i vetmi koalicion që mund të ndërtojë është ai me partitë e reja që kanë të njëjtën kauzë. Patozi u shpreh se mund të ndërtojë një koalicion me Jozefina Topallin sepse mendohet se kanë një kauzë të përbashkët. “Me Topallin, është nevoja dhe kauza e përbashkët që ne kemi për të dalë në një listë dhe besoj do e arrijmë qëllimin. Ne e duam Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë”, tha Patozi. Sipas tij pazari mes partive që grinden dhe bëjnë presion për të zënë vend në listë, është zbavitës. Patozi i quajti forcat politike të stërkonsumuara dhe të keqpërdorura. “Më zbavit shumë dhe nuk më çudit aspak ky pazari i këtyre ditëve mes partive, që duan të garojnë nën të njëjtën sigël më 25 prill. Sepse të gjithë po grinden dhe bëjnë presion për një apo më shumë vende në pjesën e sigurt të listës. Si për të treguar se gjithçka do të jetë si më parë me të njëjtat forca politike të stërkonsumuara nga keqpërdorimi i gjatë dhe pothuajse me të njëjtat personazhe çdo katër vjet”, u shpreh Patozi. Sipas tij “Bindja Demokratike” është zgjedhja e vetme për të shpëtuar nga skllavopronaria politike me 3-4 sundimtarë të cilët duan vetëm të jenë të përfaqësuar. Patozi tha se duke shpëtuar nga kjo, vendoset postblloku i parë për tu kualifikuar më tej. “Bindja Demokratike dhe çdo parti tjetër, që pranon dhe aplikon pa mëdyshje parimin e listës së hapur në zgjedhjet e 25 prillit, janë i vetmi shans për shqiptarët e lodhur nga kjo skllavopronari politike me 3-4 sundimtarë. Nuk është kushti i vetëm për të qenë i besueshëm dhe i pranueshëm, por është padyshim postblloku i parë për t'u kualifikuar në raundin tjetër”, tha kryetari i Bindjes Demokratike.