Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Patozi për zgjedhjen e kryeprokurorit: Rama po përdor “marrëveshjen”, Basha i zënë në çark

Postuar: 07/12/2017 - 21:35

Ish-deptuteti demokrat, Astrit Patozi, ka komentuar ftesën që kryeministri Rama i ka bërë kreut të PD-së, Lulzim Basha, për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, në mënyrë që kjo çështje mos të mbeten në ngërç. Në një postim në “Facebook”, Patozi shkruan se kreu i qeverisë po e përdor “mjeshtërisht këtë tezë, duke e nxitur thashethemnajën për marrëveshjen me deklarata dhe qëndrime, që e bëjnë atë edhe më të besueshme”.

Ndërsa sa i takon qëndrimit të kryedemokratit Basha për këtë thirrje për bashkëpunim, ish-deputeti demokrat thotë se Basha “është i vetmi i kapur në çark prej kësaj legjende shqiptare, por me plot elementë realë”.

Postimi i plotë i Astrit Patozit:

Përse nuk është gabim marrëveshja e Lulzim Bashës?

Pas dallgës së fundit që shkaktuan përmbytjet dhe në kohën që ngjan se po fashiten efektet politike të çështjes Tahiri, ka një rikthim të fortë debati nëse vazhdon ose jo marrëveshja mes Ramës dhe Bashës dhe a jemi këto ditë në fazën e një riciklimi të saj? Vetë kryetari i Partisë Demokratike, mesa duket i kompleksuar nga kjo temë e nxehtë, po bën ç’është e mundur të provojë që kjo nuk është e vërtetë. Por, as teatri i ditës së enjte në parlament, dhe as gjestet apo deklaratat e forta kundër qeverisë, shpesh herë artificiale, nuk duket se po e ndihmojnë atë që ta çlirojë veten nga dyshimi i fortë i publikut për këtë çështje.

Teoria e konspiracionit mbi marrëveshjen është kaq e përhapur, sa ajo afekton, jo vetëm shtypin e angazhuar, që si gjithmonë i fryn edhe më fort urave të zjarrit në Shqipëri, por edhe vetë atë pjesë të Partisë Demokratike, që nuk ka rezerva ndaj kryetarit dhe e pranon ende verbërisht çdo vendim të tij. Madje edhe mes vetë idhtarëve të Lulzim Bashës ka një ndarje të qartë, mes atyre që këtë e konsiderojnë si gabim apo “thikë pas shpine”, dhe të tjerëve që e quajnë si të vetmen shpresë për mbijetesë politike të PD.

Flakën e këtij debati e kanë ndezur më shumë vizitat e njëkohshme disa ditë më parë të Ramës dhe Bashës në Bruksel, por sidomos shpërthimi i konfliktit për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm. Vetë kryeministri po e përdor mjeshtërisht këtë tezë, duke e nxitur thashethemnajën për marrëveshjen me deklarata dhe qëndrime, që e bëjnë atë edhe më të besueshme. Dhe duke pasur parasysh gropën, ku gjendej disa javë më parë pas dosjes Habilaj, nuk është se po luan keq dhe ndjehet me kilometra larg që e ka kaluar të keqen më të madhe.

I vetmi i kapur në çark prej kësaj legjende shqiptare, por me plot elementë realë, duket se është Lulzim Basha, i cili ngjan të gjendet i hutuar mes dy zjarreve, pa e gjetur dot se kush prej tyre e përvëlon më shumë. Dhe arsyeja kryesore e këtij ngërçi është keqkuptimi që ai ka vetë për rolin dhe peshën e përgjegjësisë që i takon si udhëheqës i Partisë Demokratike.

Por mbi të gjitha, për shkak të fantazive që ka ushqyer mungesa e transparencës për atë që ka ndodhur mes tij dhe kryeministrit mesnatën e 17-18 majit, e cila në të gjitha rastet ka rënduar fort mbi shpinën e brishtë të Lulzim Bashës. E cila, në fakt, është tërësisht përgjegjësi e tij, si një refleks i konceptit të gabuar që ai ka për politikën dhe për shtetin në një shoqëri të lirë.

Dhe tani ka mbërritur në një pikë, që, nëse i ka mbetur ndonjë këshilltar jo dizastër rrotull tij, dikush duhet t’i thotë se nuk e ka pasur dhe nuk do ta ketë ndonjëherë problemin pse bën marrëveshje me kundërshtarin, ndaj nuk ka pse të gënjejë dhe as të kompleksohet prej kësaj.

Halli kryesor që ka sot Lulzim Basha është se përse, kur e kandisin apo e tundojnë të bëjë marrëveshje, fiton gjithmonë ai tjetri dhe humbet rëndë Partia Demokratike. Dhe si ka mundësi që në një botë që po bëhet çdo ditë e më e tejdukshme edhe për shkak të zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë, ai nuk bën trasparencën më minimale, se si e arrit dhe për çfarë e bëri nënshkroi marrëveshje. Është një borxh që ia ka publikut shqiptar, por nëse kapaciteti i tij nuk mbërrin deri aty, të paktën të shkonte deri tek anëtarët e Partisë Demokratike.

Ai nuk ka si ta dijë, por ne që kemi qenë këtu, e mbajmë mend se nuk ka qenë e lehtë edhe për vetë Sali Berishën që të qartësojë anëtarësinë e Partisë Demokratike për marrëveshjen me Fatos Nanon, që kulmoi me presindentin konsensual Alfred Moisiu. E cila, tek e fundit, rezultoi si prelud i fitores së zgjedhjeve të vitit 2005, që rikthyen në pushtet opozitën. Që do të thotë, se e çertifikoi historia, sepse i dha të drejtë. Po kryetari i sotëm i opozitës me çfarë do të mburret? Me rezultatet e 25 majit apo me shndërrimin e përvjetorit te 27-të të PD në një vaki politike?

Personalisht, kam qenë nxitës i marrëveshjes së 18 majit, duke i kërkuar në mbledhjen e grupit parlamentar Lulzim Bashës që të gjente një zgjidhje dhe të mos e linte Partinë Demokratike jashtë sistemit. Dhe unë, pavarësisht çfarë ka ndodhur, nuk i heq as një presje atij qëndrimi.

Natyrisht, që jam shumë i qartë, se po të ishte për mua, Lulzim Basha nuk do ta bënte kurrë atë marrëveshje, por kjo pak rëndësi ka. Ajo që ka vlerë sot për publikun dhe për anëtarët e Partisë Demokratike nuk është frika nëse vazhdon apo do të riciklohet marrëveshja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, por që ky i fundit është kaq i pazoti dhe i kompromentuar, saqë ia hedhin gjithmonë. Sepse ai, si të gjithë të dështuarit e kësaj bote, kërkon luftë, atëherë kur duhet të bëjë paqe, dhe bën paqe, atëherë kur duhet të shpallë luftë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 2

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 22:57

I ftuar në studion e lajmeve të “AbcNews”, ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta në drejtim të ambasadorit amerikan Donald Lu pas apelit që bëri sot se politika duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri.

Postuar: 12/12/2017 - 22:50

I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News24, avokati Spartak Ngjela ku është diskutuar zgjedhja e kryeprokurorit të ri.

Postuar: 12/12/2017 - 22:35

Avokati Spartak Ngjela thotë se mes shtatë kandidaturave të paraqitura për garën për Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm, ka emra të vlerësuar.

Postuar: 12/12/2017 - 22:18

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, i ftuar ne emisionin “Studio e Hapur” në News24 komentoi zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallë

Postuar: 12/12/2017 - 21:32

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka takuar anëtarë të shoqatës më të vjetër të diasporës shqiptare në Amerikë ”Vatra”.