Politike

Patozi: Shqipëria është shndërruar në një shtet kartoni, qeveria është e korruptuar dhe e inkriminuar, zgjedhjet e lira i japin fund krizës

Patozi: Shqipëria është shndërruar në një shtet

Kreu i Bindja Demokratike, Astrit Patozi vijon të ketë bindjen se fajtorët e vërtetë që kanë provokuar krizën politike në vend janë mazhoranca dhe opozita. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive nga ku komentoi takimet që delegacioni i Venecias zhvilloi gjatë ditëve të fundit në vendin tonë, Patozi theksoi se Shqipëria është shndërruar në një shtet kartoni, ndërsa shtoi se asnjë institucion më nuk funksionon siç duhet. Sipas tij, të gjithë institucionet janë lënë në rënie të lirë pa frena dhe pa doganë, duke bërë që ekspertët e Venecias të merren tashmë me çështje që duhet të kishim dhënë zgjidhje vetë. “Kur shikoj se eksponentët e Venecias vijnë në Tiranë me çanta në duar çdo dy ditë me vjen keq se ne u kemi dërguar aq shumë çështje sa jemi bërë qesharakë. Ne na ka plasur cipa dhe çështjet atje mund të jenë dhe më shumë se vetëm ato që kemi çuar. Kjo tregon se të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë në një rënie të lirë pa frena dhe pa doganë. Nuk dua të interpretoj nëse ka apo jo të drejtë presidenti në emërimet, por di të them se vonesa e Kushtetueses është e qëllimshme, pasi të gjithë palët kanë futur duart në vonesën e saj pasi e cilësojnë si një pikë të rëndësishme, të cilat kanë dosje për fatet politike të disa personazheve. Mungesa e Kushtetueses në një shtet prej kartoni siç është Shqipëria mund të përdoret dhe po keqpërdoret, në një vend tjetër mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk do të ndodhte. Kjo bëhet sa për ta shtyrë si çështje, presidenti thotë Kushtetuta është e imja, Kuvendi nga ana tjetër është e imja”, deklaroi ai. Më tej, zoti Patozi shpërtheu në akuza në adresë të kryeministrit Edi Rama, teksa theksoi se qeveria është e korruptuar. Sipas tij, vetëm zgjedhjet e lira i japin fund krizës politike. “Paketa anti-KÇK ka pranuar kapitullimin e saj, ka pranuar se për 6 vjet e gjysmë ka rrahur ujin në havan. Kjo që demonstron qeveria sot nuk është shenjë force por dobësie, se të ishte e fortë nuk kishte nevojë për anti-KÇK. E rëndësishme është që t’u themi njerëzve se cila është e vërteta dhe më pas të merremi se është apo jo e blinduar makina e vëllait të kryeministrit. Kjo është një qeveri e korruptuar dhe me fije të kapura me krimin. Kështu që, zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë është përmes zgjedhjeve të lira”, nënvizoi kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi.

Më të lexuarat