BREAKING NEWS

Vrau gruan me levë dhe më pas e masakroi me gërshërë, flet dhëndëri i familjes Tosuni nga Durrësi dhe tregon shkakun përse ndodhi krimi monstruoz

Vrau gruan me levë dhe më pas e masakroi me gërshërë,
x

Politike

PD vijon akuzat, publikon dokumentin e Gjykatës së Janinës për kryebashkiakun e Vorës dhe kërkon të arrestohet

PD vijon akuzat, publikon dokumentin e Gjykatës së Janinës

Partia Demokratike ka vijuar edhe dje me akuzat e saj në adresë të kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmaku. Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili ka publikuar ditën e djeshme një dokument të Gjykatës së Janinës, ku pretendohet se shtetasi Jorgo Toto është Agim Kajmaku, kryetar i Bashkisë së Vorës. Përmes një statusi në rrjetet sociale, teksa i referohet dokumentit, Bardhi bën me dije se Jorgo Toto ka pasur gjyqin në Gjykatën e Janinës në datën 13 shtator të këtij viti, për akuzat e falsifikimit të kartëmonedhave, duke theksuar se kjo gjë vërteton pretendimet e demokratëve. “Gjykata e Janinës konfirmoi të gjithë denoncimet e Partisë Demokratike se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin Jorgo Toto dhe ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit. Seancat gjyqësore për Jorgo Toton e Bashkisë së Vorës, të zhvilluara në Janinë për 4 ditë, u japin fund zvarritjeve të prokurorisë për zbulimin e identitetit të kandidatit të Edi Ramës. Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi duke mbyllur çështjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi. Vendimi konfirmon se Agim Kajmakut, alias Jorgo Toto, nuk i lejohej nga ligji i dekriminalizimit të kandidonte për kryetar bashkie”, deklaroi ai. Më tej, demokrati Bardhi i ka bërë thirrje organit të akuzës që të arrestojë menjëherë kryebashkiakun Kajmaku, pasi sipas tij, ai ka konsumuar disa vepra penale. “Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto ka gënjyer në Formularin e Dekriminalizimit, duke kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto. Për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjëherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”, nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Kujtojmë që, sipas ligjit në kësisoj rastesh kur një funksionar publik ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit rrezikon të ndiqet penalisht.