Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Për fitoren e merituar me gurë e hunj në duar!

Për fitoren e merituar me gurë e hunj në duar!

Ajo që të çudit gjatë këtyre ditëve është ashpërsimi i gjuhës së komunikimit të përfaqësuesve politik të cilët kanë shpërthyer në një batare kërcënimesh të pashpjegueshëm dhe të patolerueshme. Retorikë sulmi, gati revolucionare e denjë për betejat mes ushtrive kundërshtare që luftojnë për jetë a vdekje, jo për pushet, po për të mbrojtur atdheun e vet. Kërcënimet, ngjallja e frikës, akuzat për vjedhje të zgjedhjeve, bërja fakt i kryer se zgjedhjet do përmbysen, manipulim të votave, duket se kërkohet me ngulm për të nxjerrë jashtë vetes tmerrin nga vota e popullit. Llogaritë për fitore të shpallura orë e minutë, janë më shumë fantazi se realitet dhe sondazhet me sa duket e nxjerrin opozitën ndryshe nga sa deklarohet, të humbur në 25 prill 2021. Që opozita lufton për të ardhur në pushtet dhe kërkon rotacion politik, kjo është një e drejtë që buron nga vullneti i popullit, rotacionet demokratike, ligjet dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Në këtë kuptim është në të drejtën e vet morale, ligjore, tradicionale dhe demokratike beteja për pushtet. E drejtë e Bashës dhe e liderëve të reshtuar në koalicionin opozitar. Shndërrimi i fushatës elektorale normale në betejë luftarake, si të jenë përballë armikut më të egër të shqiptarëve, është kapërcim galopant nga rrugët demokratike, fitores përmes votës në marrjen e pushtetit përmes dhunës. Jo më kot, dy nga zërat e njohur të opozitës, Petrit Vasili nga LSI dhe Edi Paloka nga PD nuk flasin për votë, fushatë, takime me qytetarët, premtime, programe, aksione demokratike të opozitës, kontakte me njerëzit e thjeshtë, bindje të elektoratit për të shprehur vullnetin e tyre me zgjedhje të lira dhe demokratike sipas ligjit zgjedhor, po për armatosje me shkopinj, hunj, drunj, gurë, siç i cilësojnë ata armët e zgjedhura në emër të opozitarizmit, armë që në realitet i kanë përdorur, jo pa efikasitet në këto tetë vjet. Po pse kërcënojnë dy funksionarët, zëvendësa të kryetarëve të partive aleate, si të ishin një trup, një mendje, një gojë, në sinkron të plotë, me të njëjtën gjuhë kur ata e kanë të sigurtë fitoren edhe sipas llogaritjeve dhe leximit të sondazheve të kryera në vijimësi dhe të publikuara me mburrje për një fitore plebishitare të koalicionit opozitar? Kur e kanë fitoren të garantuar përse u nevojitet druri dhe huri, guri e molotovi dhe kundër kujt do t`i përdorin këto mjete goditëse që i përkasin kohës kur sapo lindi njeriu i parë në tokë? Përse i duhen këto mjete luftarake opozitës kur ajo ka votën popullore, frymën, energjinë, besimin, armë të demokracisë, garante të fitores? Përse janë karikuar negativisht dy zëvendësat e partive aleate? Ata janë të sigurt në fitore dhe votimi është thjesht një formalitet, deri sa është e sigurtë fitorja me njëqind deputetë, siç kanë deklaruar drejtuesit kryesorë të opozitës?! Përse nuk i kursejnë hunjtë si mekanizëm kopaçe kundër kundërshtarëve për t`i përdorur atje ku duhet, si përshembull në ndërtimin e gardheve? Me sa duket llogaritë e brendshme të partive opozitare janë ndryshe dhe ato që afishohen, janë fiktive jo reale. Ndryshe opozita do ishte e qetë, liderët opozitarë nuk do kërcënonin, Edi Ramën as me hunj as me gurë e drurë se kështu nuk do ta mundnin kurrë! Kërcënimi nuk është baras me frikësim të kundërshtarit. Nuk është çarmatosje e tij. Trembje apo thyerje e vullnetit për të luftuar për të rifituar. Jemi në shekullin e njëzetë e një dhe jo në fillimet e erës së re kur edhe në ato vite demokracia ishte e drejtpërdrejtë dhe ogaraja, sheshi, ku qytetarët debatonin dhe zgjidhnin prijësit e vet. Kemi tri dekada demokraci po opozitës i ka mbetur ora në prehistori. Një opozite serioze nuk i shkon fare të flasi e të veprojë në këtë mënyrë, si të ishte fëminore dhe të kishte zbritur në mes të shqiptarëve si jashtëtokësore. Kërcënimet nuk trembin askënd. Nuk frikësojnë popullin. Nuk ndrydhin qytetarët. Nuk detyrojnë askënd që është në pushtet të lërë zyrat e të ikë me bisht në shalë për t`iu shpëtuar hunjve dhe drurëve. Po realisht funksionarët e skalionit të dytë, kanë marrë përsipër të bëhen trima të çartur, të shpallen gladiatorë gati të shfaqen në arenë për të dalë fitimtarë me çdo kundërshtar. Si mekanizëm kanë zgjedhur kërcënimin, armë, hunj e drunj. Pse jo edhe tërë arsenalin e armëve deri sa Paloka deklaron se do luftojnë me të gjitha format. Nuk përjashtohen edhe pushkët që qëndrojnë kushedi në cilën armaturë?! Mos qoftë e thënë pasi opozita është garantja e lirisë në demokraci dhe jo e luftës për qeveri. Është vendi të kujtojnë, Vasili dhe Paloka se edhe kur kanë pasur në duar ushtri e polici, tanke e topa, SHIK e kanë provuar dhe nuk dolën të fituar. Le të nxjerrin mësime e të mos u hyjnë aventurave. Shqiptarët kanë tri dekada në demokraci dhe nuk do pranonin të bëheshin mish për top për asnjë nga ata që kërkojnë pushtet me forcë. Qytetarët nuk do i thonë po thirrjes për t`u armatosur kundër popullit. Kundër kujt do luftojnë? Kundër pushtuesit Edi Rama? Po cilin pushtet u ka marrë Rama me forcë, me dru e gurë, me molotov e dhunë? Pse duhet t’u bashkohen kërcënuesve shqiptarët që të futen në spiralen e dhunës si në vitin 1997? Mjafton ky kujtim, jo i largët për t’i thënë, jo të prerë iniciuesve të luftës dhe forcës. Mund të përkunden në djepin e ëndrrave të marrjes së pushtetit me forcë dhe kërcënime, me armatime e me sherre, po kjo është një ndërmarrje e pamundur, aksion i dështuar që nuk ka asnjë shpresë për t`i nxjerrë iniciatorët në bregun e fitores. Nëse i ftojnë shqiptarët, jo drejt kutive të votimit për të shprehur vullnetin politik, po hurit e gurit që tani e kanë të humbur pushtetin. Asnjëri nuk i trembet hurit e drurit, gurit e dinamitit, molotovit e gjithfarë armësh që mund të përdorin garuesit e pushtetit. Thirrja për linçim është lajthitje politike, arrogancë ekstreme, e dënueshme, objekt i drejtësisë, përçarëse, agresion kundër demokracisë dhe tregon sa pak demokratike janë zgjidhjet që synojnë partitë politike. Këto gjykime nuk janë të individëve. Ata flasin në emër të partive që përfaqësojnë, janë zëri i liderëve. Thirrja për luftë. Kërcënimet për të vrarë e prerë. Paralajmërimet se në këtë vend do bëhet hataja dhe do shkojë gjaku deri në gju ambalazhuar në emër të ruajtjes së votës, duke parashikuar vjedhjen e votave, mbajtjen e pushtetit me dhunë edhe pse i drejtohen individit Rama në realitet godasin shqiptarët. Aktorët e autorët e që të japin pushtet përmes votës. Vjedhja e votës, flet për makthet me të cilat erret e gdhihet opozita jonë e cila në mëngjes deklaron se fitorja është e sigurtë, në mbrëmje kërcënon se do përdor tërë armët moderne të prehistorisë për të penguar vjedhjen e votës?! Në realitet, kjo është një vjedhje imagjinare, fantaziste, e stisur, propagandë e mirëfilltë. Manipulatorët e këtyre tri dekadave, ata që kanë bërë gjëmën me votën, kanë përmbysur rezultatet e zgjedhjeve, sa herë i kanë organizuar, bërtasin për vjedhje të votave. Është paradoksi më i madh që do i shkonte vetëm sentenca: Hajduti, thërret, kapeni hajdutin! Zgjedhjet nuk i organizon një individ qoftë ai edhe kryeministri. Komisionet zgjedhore janë ta balancuara, vota është e sigurtë. Opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare do ketë në çdo hallk zgjedhore, nga fletët e votimit deri te komisionet e qendrave në fshatra dhe lagje, syrin dhe veshin e vet. Atëherë si do vidhen votat? Mazhoranca aktuale nuk do veproj kurrë si opozita e sotme, dje në pushtet që i përjashtoi komisionerët e majtë, nuk u dha asnjë dokument të rezultateve, përkundrazi i zhdëpi në hu i hodhi në humnera, i rrahu në mes të sheshit Skënderbej. I gjakosi. I sakatosi. Këto praktika kanë marrë fund. Ndaj Vasili dhe Paloka është mirë t`i lënë drunjtë e hunjtë, alibitë e fantazitë. Votën nuk ta jep huri e druri. Edhe diçka. Nëse mazhoranca prek votën nuk ka nevojë që opozita të rrëmbejë shkopin. Mjafton të dokumentohet vjedhja dhe cënimi i zgjedhjeve me prova e fakte dhe drejtësia e re ti vërë fajtorët para ligjit. Ndëshkim ligjor dhe jo hunj e gurë. Shqipëria ka nevojë për demokraci dhe jo për anarshi. Armatosja me hunj e gurë nuk të sjell në pushtet kurrë.