Politike

PPE reagon ashpër për ndryshimet kushtetuese: Qeveria nuk mund të ndërmarrë veprime arbitrare, negociatat me BE në rrezik

PPE reagon ashpër për ndryshimet kushtetuese: Qeveria nuk mund të

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend është komentuar ashpër nga Partia Popullore Europiane. Ka qenë zëdhënësi i PPE, eurodeputeti gjerman Michael Gahler, i cili përmes një postimi ka akuzuar mazhorancën se ka bërë ndryshime të njëanshme kushtetuese dhe sipas tij, u prish konsensusi mes palëve i arritur me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Gahler theksoi se qeveria ndonëse synon anëtarësimin e vendit drejt Bashkimit Europian, sërish i prishi rregullat e lojës dhe doli kundër Parlamentit Europian, Komisionit Europian, por edhe shteteve anëtare të unionit dhe miratoi pa unanimitet ligjet themelore për demokracinë. “Është për të ardhur keq dhe i shoh mjaft të diskutueshme qëllimet e vërteta që partia qeverisëse e Shqipërisë prishi konsensusin e arritur ndërkombëtarisht me opozitën dhe dje ndryshoi në mënyrë të njëanshme Kushtetutën. Nuk mund të pranohet për askënd që qeveria “Rama”, e cila kërkon negociatat e pranimit me BE-në, të fillojë të ndryshojë në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale. Nëse kjo qeveri do me ndershmëri negociatat e pranimit me BE-në, si mund të mohojnë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë”, tha Michael Gahler. Zëdhënësi i PPE shtoi në reagimin e tij se ata do vijojnë të vëzhgojnë të gjitha lëvizjet në vazhdim të aktorëve politik për Kodin Zgjedhor. Gahler kërkoi që mes palëve në Këshillin Politik të arrihet një konsensus, duke u kërkuar jo vetëm partive politike, por edhe qytetarëve të mbrojnë demokracinë e vendit dhe perspektivat evropiane. “Grupi i PPE do të vëzhgojë me vëmendje lëvizjet e radhës, në lidhje me Kodin Zgjedhor, dhe do të kërkojë fuqishëm të arrihet konsensusi me opozitën brenda Këshillit Politik. I takon partive dhe popullit shqiptar të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane”, u shpreh zëdhënësi i PPE, eurodeputeti gjerman Michael Gahler.

Reagon sekretari i PPE

Por pas zëdhënësit të PPE, reagoi edhe sekretari i marrëdhënieve me jashtë i Partive Popullore Europiane, Patrick Voller. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Voller u shpreh se ndryshimet kushtetuese që u ndërmorën dy ditë më parë nga mazhoranca në Kuvend është një vendim shumë i trishtë pasi ato nuk u zhvilluan në mënyrë gjithëpërfshirëse. Gjithashtu ai theksoi se këto ndryshime duhet të rregullohen me kodifikim. “Shumë i trishtuar që votat e fundit kushtetuese nuk u zhvilluan në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Duhet të korrigjohet me kodifikim!”, u shpreh sekretari i marrëdhënieve me jashtë i Partive Popullore Europiane, Patrick Voller në Twitter. Por reagimi i Patrick Voller vjen në vijim të një reagimi të unifikuar të faktorit ndërkombëtar, që njëzëri ka shprehur keqardhjen që ndryshimet kushtetuese, duke i cilësuar ato të njëanshme. Apeli i tyre është që reflektimi i këtij ndryshimi në Kodin Zgjedhor të bëhet me konsensus dhe palët të vijojnë punën në Këshillin Politik. Por ka pasur edhe nga ata, që dy ditë më parë e përshëndetën vendimin e Kuvendit, ku në deklaratat e tyre ishin më të moderuar dhe vlerësonin hapjen e listave.

Më të lexuarat