Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin gjatë natës Shqipërinë, ja ku ishte epiqendra dhe sa ballë

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin
x

Politike

Prapaskenat, për zgjedhje të parakohshme vendoset pas vendimit për negociatat, PS nuk lëshon qeverinë, del kundër modelit maqedonas

Prapaskenat, për zgjedhje të parakohshme vendoset pas vendimit

Vendimi nëse do të ketë zgjedhje të reja në vend, do të vendoset pas Samitit të Zagrebit, i cili mbahet në muajin maj në Kroaci. Opozita jo parlamentare e kryesuar nga Partia Demokratike ka rritur presionet ndaj mazhorancës qeverisëse, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në të njëjtën ditë. Por gazeta ka mësuar detaje nga Partia Socialiste, teksa shumica e zyrtarëve të kësaj partie nën zë, apo dhe publikisht kanë dalë kundër krijimit të qeverisë transitore dhe çuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, sikundër kërkon opozita.

Socialistët të prerë kundër qeverisë teknike

Ka qenë kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se mazhoranca nuk do t’i pranojë kërkesat e opozitës për qeveri kujdestare 100 ditore para zgjedhjeve, pasi sipas tij, mandati i popullit nuk negociohet. Po ashtu, zoti Balla theksoi se nuk ka arsye për të pasur zgjedhje të parakohshme, ndërsa shtoi se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në qershor të vitit tjetër. “Hallin e vjetër, ua ritheksojmë që nuk ua zgjidhim dot. Në qeverisje vihet vetëm përmes votës dhe shumicës në Parlament. Qeveri jashtë votës dhe vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë. Nuk do të ketë më kurrë marrëveshje të cilat ndajnë pushtetin. Zoti Basha duhet t’i përdorë këto 14 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme si një mundësi të mirë për të ringjallur PD-në”, deklaroi Balla. Ndërkohë, kundër kërkesë së opozitës joparlamentare, dje u rreshtua edhe sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri teknike, siç kërkohet nga opozita. “Unë besoj që ne nuk jemi në kushtet e Maqedonisë. Çdo lloj qeverie kujdestare apo teknike, në 6 muaj nuk do të bëjë asnjë punë tjetër, por do të merret vetëm me procesin zgjedhor dhe për rrjedhojë ekonomia e vendit do ta ndjekë këtë mungesë. Duhet të fillojmë të piqemi dhe të kemi më shumë besim te njëri-tjetrit”, deklaroi Pëllumbi. Pra, këto deklarata të artikuluara nga dy prej zyrtarëve më të lartë të PS, janë një mesazh edhe për kryeministrin Edi Rama që mazhoranca nuk ka arsye të pranojë kërkesat e opozitës për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Për zgjedhje të parakohshme vendoset në maj

Pavarësisht këmbënguljes së mazhorancës për të mos plotësuar asnjë nga kërkesat e opozitës joparlamentare, duket se muaji maj do të jetë vendimtar, pasi do të vendoset nëse kriza politike në Shqipëri do të venitet apo thellohet. Gazeta ka mësuar se në prapaskenë janë disa variante që ndodhen në tryezën e kryeministrit Edi Rama. Sipas informacioneve, mësohet se nëse do të ketë përsëritje të zgjedheve vendore, do të vendoset pas vendimit të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë në muajin maj. Në këtë kontekst, mësohet se nëse gjatë samitit të Zagrebit Shqipërisë i jepet drita jeshile, gjasat janë që vendi edhe mund të shkojë në zgjedhje lokale. Kjo pasi në zgjedhjet vendore të 30 qershorit në shumë bashki socialistët nuk kishin kandidatë rivalë, ndërkohë edhe për faktin se aktualisht disa bashki, sikundër janë ajo e Durrësit, Shkodrës dhe Vorës janë pa kryetar. Mirëpo, situata ndryshon sa i takon zgjedhjeve të parakohshme, pasi nëse hapen negociatat për Shqipërinë, shanset për të pasur zgjedhje parlamentare siç kërkon opozita janë zero. Nga ana tjetër, nëse nuk do të ketë çelje të negociatave për Shqipërinë, situata mund të ndryshojë dhe mund të ketë të papritura. Kështu që, nisur nga të gjitha këto, të gjithë sytë janë tek muaji maj, kohë e cila është tejet vendimtare për Shqipërinë.