BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Politike

Presidenti dekreton ligjin për dhënien e amnistisë, 175 të dënuar përfitojnë lirinë, ja kush do të ketë ulje të dënimit

Presidenti dekreton ligjin për dhënien e amnistisë, 175 të

Presidenti Ilir Meta dekretoi ditën e djeshme ligjin “Për amnistinë”, nga i cili do të përfitojnë liri plot 175 të dënuar, si dhe do të ketë ulje të dënimit. Ky projektligj u diskutua në komisionet parlamentare dhe më pas kaloi për votim në Kuvend, ku mori miratimin e shumicës së deputetëve. Duke pasur parasysh përplasjet e forta që kanë ndodhur mes Qeverisë dhe Presidencës, si dhe luftës me dekrete nga ana e kreut të shtetit, pritej që ky ligj të shkaktonte debate. Por përmes publikimit në faqen zyrtare të Presidencës, Meta bëri me dije se përveç dekretimit të ligjit të amnistisë, ka dekretuar edhe pesë ligje të tjera të qeverisë, të cilët kanë marrë më parë miratimin nga Kuvendi. Me dekretimin e ligjit të amnistisë nga Presidenti pritet të përfitojnë lirinë rreth 175 të dënuar. “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme shpalljen e gjashtë ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Konkretisht ligjet e dekretuara janë: Ligji nr. 5/2020 “Për dhënie amnistie”; Ligji nr. 6/2020 “Për pranimin e instrumentit të amendamentit të Kushtetutës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 1986”; Ligji nr. 7/2020 “Për ratifikimin e konventës së Minamatës “Për mërkurin”; Ligji nr. 8/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut”; Ligji nr. 9/2020 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aneksin VI të konventës ndërkombëtare detare “Për parandalimin e ndotjeve nga anijet, 1973”, të ndryshuar me protokollin e vitit 1978 (MARPOL 73/78)”; Ligji nr. 10/2020 “Për ratifikimin e protokollit të gjashtë shtesë të Marrëveshjes për Forcën Shumëkombëshe të Paqes në Europën Juglindore”, thuhet në dekretin e presidentit. Me dekretimin e ligjit për amnistinë, përfitojnë të gjithë të dënuarit që deri në datë 31 dhjetor të vitit të kaluar janë dënuar me vendim të formës së prerë. Përfitojnë burrat të dënuar deri në 2 vite dhe në moshën mbi 60 vjeç, që llogaritet se janë 150 në total, 23 gra dhe 2 të mitur, ndërsa 29 gra përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit.

Ja kategoritë që përfitojnë

Pjesë e përfitimit të amnistisë janë gratë dhe të miturit, të cilët janë të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë deri në 3 vjet, duke përfshirë këtu edhe dënimet e buta me gjobë. Por edhe gratë dhe të miturit të cilëve u ka mbetur 3 vjet vuajtje dënimi nga hyrja në fuqi e këtij projektligji, do të jenë përfitues të amnistisë. Një tjetër kategori që përfitojnë nga amnistia janë edhe gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat të cilët gjatë kohës që kanë kryer veprën penale kanë qenë nën 18 vjeç. “Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ; Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë; Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet; Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet; Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç”, thuhet në draft.

Ulje të dënimit

Për femrat dhe të miturit ka edhe një përjashtim tjetër. Në pikën 8, të nenit 3 thuhet se femrave dhe të miturve, që nuk përfshihen tek kategoritë përfituese, u zbriten 1/4 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndalues. Përjashtohen vetëm ata janë përsëritës të së njëjtës vepër penale.