BREAKING NEWS

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19
x

Politike

Presidenti vijon “luftën” e dekreteve, i kthen Kuvendit ligjin “Për Shërbimet e Pagesave”, ja argumentet që jep

Presidenti vijon “luftën” e dekreteve, i kthen Kuvendit ligjin

Presidenti Ilir Meta ka vijuar edhe dje betejën me mazhorancën përmes dekreteve, ndërsa ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e miratuar më 30 prill “për shërbimet e pagesave”. Në një dokument prej 14 faqesh, Meta ka shpjeguar me detaje arsyet e rikthimit të ligjit duke renditur të gjithë pikat që sipas tij janë shqetësuese dhe duhen rregulluar për të shmangur abuzimet. Në arsyetimin e tij, kreu i shtetit thekson se ligji ka mungesa në përcaktimin e kritereve të licencimit të institucioneve të pagesave; përcaktimin e shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave; përcaktimin e funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje. Sipas Metës, identifikimi nominal i aksionarëve është i nevojshëm për të eliminuar çdo hapësirë për kompani offshore duke shtuar se ligji nuk jep asnjë garanci. Gjithashtu në ligj sipas presidentit nuk përcaktohet as kriteri që të gjithë aksionerët të mos kenë qenë të dënuar më parë. “Të gjitha këto mangësi të konstatuara cenojnë parimet kushtetuese të sigurisë juridike, lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, trajtimit të barabartë përpara ligjit, duke mos garantuar plotësisht jo vetëm sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, por edhe duke krijuar rrezikun potencial të keqpërdorimit të tyre me qëllime kriminale, si ato të pastrimit të parave apo të financimit të terrorizmit”, shkruhet në arsyetim. Më tej, përmes kthimit të dekretit, presidenti Ilir Meta iu bën thirrje deputetëve që të reflektojnë, ndërsa iu liston edhe nenet për të cilët ka rezerva dhe kundërshti. “Shqetësimet e parashtruara më sipër për nenet 7, 9, 11, 12, 15, 19, 21, 23, 25, 27, 30, 35, 39, 42, 56, 66, 67, 88, 92, 94, 95, dhe çështjet e tjera të ngritura në këtë arsyetim, duhet të merren në shqyrtim nga ana juaj për të përcaktuar rregullime të qarta dhe transparente sa i përket mënyrës së licencimit dhe të ushtrimit të mbikëqyrjes ndaj subjekteve që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e shërbimit të pagesave. Kuvendi i Shqipërisë duhet të gjejë vullnetin për t’u përqendruar në shqetësimet e Presidentit të Republikës për ligjin nr. 55/2020, pasi ato kanë shumë rëndësi në mbarëvajtjen e veprimtarisë ekonomike në fusha të tilla kaq delikate e me kaq ndikim për jetën në vend dhe ruajtjen e interesave të shtetit dhe të qytetarëve të Shqipërisë”, thuhet në argument.

Më të lexuarat