Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Qeveria ndryshon metodën për shkarkimin e militantëve të LSI, Ministria e Financave dhe deputetët rol kryesor, konkurse dhe rishikim të strukturave të drejtorive

Postuar: 15/11/2017 - 08:24

Zbardhet skema që është përdorur nga qeveria për të larguar militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga administrata shtetërore. Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, pati një përplasje të fortë mes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe ish-kryetarit të LSI, Ilir Meta. Dhe kjo ka bërë që tani bashkëshortja e Presidentit të nisë një betejë të fortë me qeverinë. Akuzat e zyrtarëve të LSI-së kanë qenë shumë herë më të forta se ato të Partisë Demokratike, por Partia Socialiste ka vendosur që t’i përgjigjet në një tjetër mënyrë ish-aleates së saj në mandatin e parë qeverisës. Kështu, në mbledhjen e grupit socialist ditën e hënë, pati diskutime për çështjen e largimit të LSI nga administrata publike, ndërkohë që gazeta ka zbardhur të plotë porositë e Ramës dhe rrugët që do të ndiqen. Por ndryshe nga herët e tjera, kur udhëzimet për largimin e militantëve të LSI nga zyrat e shtetit kreu i ekzekutivit ua ka dhënë bazës dhe drejtorëve socialistë në thuajse gjithë vendin, këtë herë përgjegjësinë kryesore ia ka kaluar ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, por edhe deputetëve. Madje mësohet se Rama në mbledhje i ka kërkuar ministrit Ahmetaj që në buxhetin që pritet të miratohet, të rishikohet numri i punonjësve të administratës. Ndërsa po ashtu burimet thanë se Rama ka kërkuar që të bëhet një raport më i qartë dhe strikt sa i takon numrit të drejtorëve rajonalë dhe atyre në rrethe. Si duket një ndër taktikat që po përdor kryeministri Edi Rama për të larguar militantët e LSI është pikërisht, përmes rishikimit të buxhetit apo fondeve për dikastere të ndryshme. Nga ana tjetër, mësohet se kryeministri Rama ka qenë i prerë me socialistët, duke kërkuar që të përshpejtojnë procedurat e konkurseve të paralajmëruara nga ekzekutivi, në sajë të së cilës jo vetëm që do të largohen shpejt militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga administrata pasi tanimë janë edhe të identifikuar, por nga ana tjetër përmes konkurseve Rama iu jep mundësinë socialistëve që të rifuten në punë.

Konkurs për punësimet

Ndërkohë një tjetër fakt interesant ka të bëjë pikërisht me fazën konkursit e testimit të punonjësve të administratës. Dhe sa i takon kësaj, mësohet se kryeministri Edi Rama gjatë gjithë këtyre ditëve ka kërkuar nga ministrat dhe deputetët socialistë që të propozojnë njerëz të aftë për në vende të ndryshme pune. Ndërsa po ashtu, mësohet se Rama u ka thënë ligjvënëseve socialistë dhe ministrave se procesi i konkurseve dhe testimit të ecë shpejt. Ndërkohë burimet thanë se Rama ka kërkuar nga deputetët që për fazën e konkurrimit të përzgjidhen emra me integritet të lartë profesional, por që kanë edhe pëlqimin e bazës. Kësisoj të gjithë ata kandidatë që do dalin me rezultat negativ në testim, automatikisht largohen nga administrata. Si duket edhe kjo strategji e Ramës do funksionojë pasi shumica e militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë hyrë në punë duke mos plotësuar jovetëm kriterin arsimor por edhe profesional. Ndërkohë mësohet se nisjen e aksionit për spastrimin e administratës nga militantët e LSI kryeministri, Edi Rama e ka vlerësuar as më shumë e as më pak por si një emergjencë kombëtare. Po ashtu mësohet se kryeministri Rama ka kërkuar që të zhbllokohet edhe procesi i punësimeve, pasi në disa zona të ndryshme të vendit ka vende vakante pune por që për mungesë të drejtorit që është larguar nga puna, këto vende vijojnë të mbeten bosh. Gjithashtu, burimet thanë se edhe ditët në vijim, kryeministri Edi Rama do thërrasë ministrin Ahmetaj dhe deputetët për të raportuar rreth këtyre porosive.

Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/11/2017 - 15:17

Kryeministri Edi Rama replikon shpesh me komentuesit në rrjetin social “Facebook”. Kështu, pas postimit të një video në një takim që zhvilloi sot mbi rritjen e punësimit, lumë komentesh nisën në adresë të tij.

Postuar: 23/11/2017 - 14:42

Kryeministri Edi Rama u ka bërë një surprizë 100 mijë punonjësve të administratës shtetërore duke i lënë pushim të hënën e ardhshme në 27 Nentor, në prag të festave të 28 dhe

Postuar: 23/11/2017 - 14:34

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, me anë të një postimi në faqen e tij të Facebook, ka reaguar lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Përgjithshme, pasi

Postuar: 23/11/2017 - 14:13

Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla ka akuzuar kryetarin e PD, Lulzim Basha se ka paguar një milion dollarë për lobim në SHBA, nga të cilat 825 mijë dollarë vetëm në tre muaj

Postuar: 23/11/2017 - 13:51

Buxheti i Bashkisë Tiranës për vitin 2018 mund të konsiderohet edhe si buxheti i zonave periferike dhe rurale.

Postuar: 23/11/2017 - 13:50

Kryedemokrati Lulzim Basha ka fol sot në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.