BREAKING NEWS

Çfarë po ndodh? Zjarr i madh në Vlorë, zjarrfikësit shkojnë menjëherë në vendngjarje

Çfarë po ndodh? Zjarr i madh në Vlorë, zjarrfikësit
x

Politike

Qeveria rinis operacionet për shfarosjen e kanabisit, angazhohen 1.600 forca policie për të ndaluar kultivimin

Qeveria rinis operacionet për shfarosjen e kanabisit, angazhohen 1.600

Qeveria ka rikthyer aksionet për shfarosjen e kanabisit. Policia e Shtetit ka deklaruar ditën e djeshme se janë angazhuar për kontrollin e territorit, Drejtoritë Vendore të Policisë, Policia Kufitare, Forcat e Lëvizshme Operacionale, nën drejtimin e grupeve të posaçme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. “1600 forca policie, prej ditës së djeshme dhe paradites së sotme, kanë ushtruar kontroll masiv të territorit në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, për marrjen e masave për kontrollin periodik të territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit, mbajtës dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, ka deklaruar dje policia. Me nisjen e kontrollit deri më tani, sipas njoftimit të policisë, janë evidentuar dy raste, një rast në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis. “Po në kuadër të kontrollit të territorit, vijon monitorimi nga ajri nga ana e Guardia di Finanza, duke bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me grupet e kontrollit nga toka, me qëllim verifikimin e çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike. Kontrolli i territorit dhe monitorimi nga ajri do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në përmbushje të prioritetit kryesor, atë të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, ka njoftuar ditën e djeshme policia. Ndër të tjera policia ka deklaruar se çdo Drejtori Vendore të Policisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e ka pajisur me dron, me qëllim kontrollin sa më të mirë të territorit, edhe në vendet ku forcat e policisë e kanë të vështirë të kontrollojnë për shkak të terrenit. Ndërkohë ditën e djeshme mbi këtë deklaratë ka reaguar edhe ish-deputeti i PD-së Xhemal Gjunkshi i cili e ka ironizuar këtë nismë të marrë nga Policia e Shtetit. “Narko-shteti paska aktivizuar 1600 forca policie për të zbuluar 133 bimë narkotike? 133 bimë narkotike i asgjëson minimumi vetëm një polic. Kush e dha urdhrin për të aktivizuar 1600 forca policie”, ka shkruar ditën e djeshme në profilin e tij në Facebook, Xhemal Gjunkshi.