BREAKING NEWS

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si është situata: Mbyllja e vendit do të...

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si
x

Politike

Rama dhe mjekët kritika të forta Bashës: Ka shkuar shumë larg me çështjen e viktimave, po hedh baltë mbi punën e bluzave të bardha

Rama dhe mjekët kritika të forta Bashës: Ka shkuar shumë

Kryeministri Edi Rama dhe mjekët kanë kritikuar kreun e opozitës Lulzim Basha mbi akuzën e fshehjes së numrave së të sëmurëve me Covid-19. Basha tha të enjten mbrëma në emisionin “Opinion” se numri i të vdekurve nga virusi është dyfish i raportimeve nga qeveria. Por kjo deklaratë është hedhur poshtë si nga kryeministri ashtu dhe nga personeli mjekësor. Kryeministri Rama gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se Basha kaloi çdo cak. “Për akuzën e pashembullt të Lulzim Bashës, e cila cenon drejtpërdrejt integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t'u drejtohem shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm”, tha Rama. Kreu i qeverisë shprehu solidaritetin dhe mbështetjen ndaj çdo stafi mjekësor duke shprehur mirënjohje ndaj mundimit të tyre. Ai përmendi gjithashtu se historia e mjekësia do të flasë kur Lulzim Bashës do t’i harrohet emri. “Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t'u jetë harruar emri, nami e nishani”, u shpreh kryeministri.

Reagojnë mjekët

Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, e shoqëruar nga mjekët që janë në frontin e parë për Covid-19, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të kryedemokratit, i cili pretendon se numrat e vdekjeve nga koronavirusi janë të fshehura. Sipas mjekëve këto situata janë tronditëse dhe vendosin në goditje profesionalizmin e tyre. “Shprehim publikisht habinë tonë për akuzat e bëra dje nga kreu i PD-së Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me Covid-19. Nuk duhej kurrsesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë që të merremi me deklarata publike, por përballë akuzash të tilla e kemi të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon”, tha drejtoresha. Sipas saj nuk është aspak e vërtetë që vdekjet me Covid-19 janë fshehur. Ajo u shpreh se pacientët që ndërrojnë jetë shoqërohen deri në morg me një kartelë të caktuar që tregon dhe arsyen e vdekjes. “Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga Covid-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit”, deklaroi Çomo. Mjekja vijoi më tej duke thënë se kartelën bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë dhe nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike të atyre që vënë në pikëpyetje humanizmin. Sipas saj kjo akuzë e bën stafin e mjekëve të përfshirë në një situatë monstruoze, e cila nuk është e vërtetë. “Kartelën bashkëshoqëruese të ndjerit nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorëve të tyre në një kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të parafytyrohej dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara”, tha drejtoresha.

Më të lexuarat