BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Politike

Rama i përgjigjet Metës për akuzat ndaj të atit: Baltosjet do i mbulojë pluhuri i harresës, veprat e mira do mbeten aty

Rama i përgjigjet Metës për akuzat ndaj të atit: Baltosjet

Kryeministri Edi Rama, në 22 vjetorin e ndarjes nga jeta të të atit, e ka kujtuar atë përmes një homazhi në rrjetet sociale, duke u dhënë dhe një përgjigje të qartë të gjithë atyre që kanë hedhur baltë ndaj tij. Në sallën e Parlamenti, të enjten kryeministri foli për të atin e tij, pasi u akuzua nga një deputet se është komunist. Rama deklaroi se i ati i tij vërtet ishte komunist, por ai vetë s’ka fare lidhje me komunizmin. Kjo deklaratë u përdor nga Ilir Meta për të sulmuar shefin e qeverisë. Në alarm për ndryshimet kushtetuese, Meta deklaroi se i ati i Ramës është përgjegjës për varjen e dy poetëve në Kukës. Por dje kryeministri ka preferuar të reagojë përmes një “homazhi” në rrjete sociale, pasi dje ka qenë përvjetori i vdekjes së Kristaq Ramës. “Im atë, Kristaq Rama, mori emrin e gjyshit të tij, Kristaq Ramës së parë, që ishte një ndër patriotët firmëtarë të pavarësisë në Durrës, e ia kushtoi jetën e pasurinë hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, në ato kohë kur gjuhës sonë amtare i kanosej fuqia e një armiqësie të madhe. Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t'ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër”, tha Rama. Më tej shefi i qeverisë ka kujtuar marrëdhëniet e tij me të atin. Por njëkohësisht u është përgjigjur dhe kritikave, mes të cilëve dhe presidentit. “Sot, si në çdo 31 korrik, kur unë e kujtoj me sytë e lagur tim atë, më rri përpara syve buzëqeshja e tij paqësore e pas çdo debati luftarak mes nesh gjatë viteve të rinisë sime të parë - kur unë flisja gjithnjë e më shumë dhe ai rezistonte gjithnjë e më pak. Prej meje, jetës sime në politikë, e cila nisi në ditën e funeralit të tij, arsyeja e mosarsyes politike ka sjellë shumë baltë mbi emrin e tim eti pas vdekjes. Por ajo buzëqeshje e shkrin dhe tret krejt baltën, mu si në çdo paradite feste kombëtare, kur qyshse për shkak të detyrës shkoj tanimë prej 20 vjetësh, tek Nëna Shqipëri a tek Heronjtë e Pavarësisë në Vlorë. Pasi vendos kurorën, përulem dhe pastaj ngre kokën drejt lartësisë së veprave që ai la dhe nga qielli më vjen buzëqeshja e tij”, tha ai. Rama u shpreh më tej se veprat e tij do të jenë aty bashkë me emrin e Kristaq Ramës, kur ata që e kanë baltosur tërë këto vite do të jenë mbuluar me kohë e me vakt, nga pluhuri i një harrese përfundimtare pa kthim. “Kishte të drejtë im atë, mos e harro asnjëherë, në këtë jetë ke ardhur për të lënë kujtimin tënd, tek fëmijët e tu, tek ata që të njohën vërtetë dhe në qofsh shumë i zoti, tek populli yt. Të tjerat i merr era dhe në fund edhe trupi i vetë njeriut erë bëhet”, e mbyll ai fjalën e tij.