BREAKING NEWS

Përplasje me armë zjarri në Vlorë/ Dalin emrat e të plagosurve, xhaxhai i 28-vjeçarit rrëfen si ndodhi ngjarja: Ishim duke pirë kafe, kur dëgjova...

x

Politike

Rama: S'ka dorëheqje e mocion mosbesimi, ne i kemi bërë të gjitha detyrat, shtyrja e negociatave për shkak të problemeve të BE

Kryeministri Edi Rama, deklaroi dje në konferencën për shtyp, se Shqipëria ka bërë përpjekjet maksimale, për të marrë konfirmimin nga BE, për hapjen e negociatave. Rama, u shpreh se problemi për qëndrimin negativ, qëndron tek Bashkimi Europian, pasi Franca kërkon reformim të brendshëm të BE dhe një transformim të vetë procesit të integrimit. “Dua tu them se kam marrë shumë mesazhe nga një pjesë e kryeministrave të pranishëm në takim, kam komunikuar edhe me Macron dhe faktikisht nëse duam të shikojmë drejt në sy të vërtetën, është ajo që kam thënë prej kohësh se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë. Gjermania bëri një lëvizje për kompromis, duke i vendosur një por, PO-së dhe nuk ka pasur nga Makron asnjë hapje. Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces, kërkon një reformim të brendshëm të BE, kjo që ka ndodhur rezultat i mos arritjes së konsensusit mes vendeve anëtare, është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj çështje. Në këtë situatë jo ne dhe Maqedonia, por edhe ata që janë tashmë në BE s’do kishin marrë konsensus për arsye se tema është spostuar gjetkë. Kemi marrë një refuzim, por nuk kemi marrë asgjë më shumë se kaq. Rruga jonë është e njëjta”, tha Rama. Lidhur me justifikimin e Makronit, se Shqipëria u pezullua nga azilantët, sipas Ramës, janë thjesht “bishta”, duke shtuar se liderët e BE-së, e thanë njëzëri se vendi ynë ka bërë progres. "Është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore: jo po azilantët, jo po kjo, jo ajo, këto janë bishta”, deklaroi Rama, në konferencë.

Qëndrimet për Holandën dhe Danimarkën
Rama, gjatë fjalës së tij në konferencë, replikoi mbi deklaratën e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, se Shqipëria ka bërë progres, por jo mjaftueshëm. “Dëgjova kryeministrin e Holandës që thotë se nuk është bërë mjaftueshëm. Mjaftueshëm në raport me çfarë? Nëse e konsiderojmë progresin në lidhje me gatishmërinë për t'u bërë pjesë e BE-së është i pamjaftueshëm, por nëse krahasojmë me çfarë na është kërkuar dhe çfarë kemi bërë është shumë”, tha Rama. Ndërsa, më tej, kryeministri, ka zbardhur bisedën me kryeministren daneze. “Nëse një vend do të thoshte ka dështuar qeveria e Shqipërisë, atëherë mbase do të mund ta diskutonim këtë si një rezultat që lidhet edhe me ne. Është më skrupuloze Danimarka, apo Holanda, apo Franca se Gjermania, Suedia në raport me korrupsionin apo krimin? Kanë të njëjtat standarde. Por nga ana tjetër i thua një vendi ndërro emrin, dhe çfarë po i jep, çeljen e negociatave, nuk po i jep anëtarësimin”, tha Rama.

Nuk ka dorëheqje

Edi Rama ka shuar shpresat e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Kryeministri deklaroi se qeveria ka shumë për të bërë dhe do të vijojë axhendën pavarësisht refuzimit për hapjen e negociatave. "Përsa i përket votëbesimit për të plotësuar një nga pikat për të kënaqur ata, unë mendoj që ne e kemi absolutisht shumë gjëra për të bërë dhe nuk kemi kohë për të humbur, kemi plot punë për të bërë dhe as nuk bëhet fjalë për cilindo që nuk ka punë, flas për ata që merren me politikë dhe thonë kemi çuar platformën dhe thonë zbatojeni ose hapni krahun, nuk bëhet fjalë", tha Rama. Kreu i qeverisë u pyet për Metën dhe dekretin e tij për anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese. "Në 48 orët e fundit nuk kam pasur asnjë sekondë për Ilir Metën", iu kthye Rama gazetares./ Ornela ÇELPICA