Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Reforma në arsim, pasojë e injorancës dhe babëzisë së qeverisë!

Reforma në arsim, pasojë e injorancës dhe babëzisë së qeverisë!

Postuar: 08/08/2014 - 20:04

Ish kryeministri Sali Berisha ditën e sotme zhvilloi një takim me gazetarët ku foli për mbylljen e disa universiteteve private dhe disa nga filialet shtetërore.
 
Madje në këtë takim është folur edhe për një tjetër  çështje aktuale ajo e skandalit në Bankën e Shqipërisë.
 
Biseda e plotë Berisha-gazetarë:
 
Përshëndetje! Jam sot para jush për një problem që, në bindjen time, është themelor për çdo komb, shoqëri dhe çdo vend, problem që nuk ka një të dytë më të rëndësishëm se atë, problemin e arsimit të lartë.
 
Ky fillim gushti shënoi një ofensivë, një sulm të paimagjinueshëm, të babëzisë dhe injorancës së bashku, ndaj sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri. U zgjodh fillimi i gushtit si periudha në të cilën pabesia qeveritare mund të kalojë pa ndëshkuar. Por këto janë llogari të gabuara. Edi Rama, një njeri me arsim gjysmak, që nga klasa e parë deri tek e fundit nuk ka marrë dot një koncept tjetër të saktë përveç bojërave, për shkak të arkeotipit të tij psikik. Me një të rënë të lapsit vendosi të mbyllë dyert e universiteteve publike, për 1/3 e maturantëve të Shqipërisë, të ulë përqindjen e hyrjeve, pranimin në universitet të maturantëve  nga 72% në 43%.  Unë dua të informoj shqiptarët se tre dekadat e fundit kanë mbi trefishuar në botë numrin e studentëve. Se në tërësi në dekadat e fundit, pa përjashtim, vendet e lira kanë adaptuar politikën e dyerve të hapura në universitet e tyre. Pse kjo? Pse ky vendim i komunitetit të vendeve të lira? Për tre arsye themelore.
 
Së pari, universitet nuk kanë qenë kurrë për të pasurit një ‘mollë e ndaluar’, ato në shekuj kanë qenë një mollë e ndaluar përtë varfërit. Hapja e dyerve të universiteteve ishte një hap madhor social ndaj atyre që universitet i kishin patur ‘mollë të ndaluara’.
Së dyti, zhvillimet e furishme të revolucionit teknologjik dhe post teknologjik, kanë bërë që sot 1/3 e vendeve të punës, rreth 30% e vendeve të punës, të kërkojnë detyrimisht diploma universitare.
 
Së treti, proçesi i shkollimit të lartë është një proçes edukimi dhe asgjë nuk e konsolidon më shumë demokracinë se sa shkollimi dhe arsimimi. Edhe ky është një nga qëllimet madhore pse vendet e lira hapën dyert e universiteteve për fëmijët e qytetarëve të tyre. Ku ishte Shqipëria?!  Shqipëria deri në vitin 1990 eci me konceptin e ‘çunave të bllokut’, koncept sipas të cilit universiteti u jepet pakicave dhe u mohohej shumicës së shqiptarëve. As nuk kanë interes sot shqiptarët ta dinë, por mund t’ju citoj krahina të tëra ku në një qëndrim armiqësor ndaj tyre, fëmijët e tyre nuk shkolloheshin. E kam edhe sot në memorie ku nga Hasi, një nga krahinat më punëtore të Shqipërisë, në vitet e diplomimit tim kishte vetëm 3 të rinj të diplomuar dhe kjo për një qëllim armiqësor ndaj Hasit, etj. Pra, ne erdhëm në vitet 90 si vendet me nivel ndër më të ulëtit në përqindjen e qytetarëve të diplomuar në universitete. Ne erdhëm me konceptin se universiteti ishte privilegj që duhet t’u jepej disave dhe kjo jo vetëm në vitin ’90. Unë dua t’ju them se ishte e mjerë përqindja në vitin 2005. Në vitin 2005 përqindja e shqiptarëve me diploma ishte vetëm 50% e përqindjes botërore. Duhej hapur një kapitull i ri. Kapitull i një vendi të lirë. Kapitull i një vendi që respekton ëndrrën universitare por mbi të gjitha që respekton thelbin e njeriut, që është liria e tij. Dhe thelbi i lirisë është zgjedhja. Duhet të kalonim pra në një koncept të ri filozofik mbi arsimin e lartë, dhe e vendosëm këtë, të bindur se një rrugë e gjatë i duhej Shqipërisë për të arritur cilësitë dhe horizontet e saj, por kurrë notin nuk e mëson po nuk u hodhe në ujë, kurrë fëmijët nuk rriten në qoftë se një të sapolinduri i kërkon detyrat e një 25-vjeçari, ka një durim dhe ka një përpjekje.
 
Në këtë kontekst, nga një nivel shumë i ulët në 2005, 12 student për 1 mijë banorë, katër herë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, u hapën dyert, u rrit buxheti dhe u bë gjithçka që të ecim drejt standardit europian, në një kohë kur ne ishim kombi me numrin më të madh të të rinjve si përqindje në Europë, por ëndrrat universitare i rrëmbenin, burokracia shqiptare i shkatërronte dhe i rrënonte ato.
 
Të lësh jashtë universiteteve publike, me një të rënë të lapsit, 1/3 e maturantëve të Shqipërisë, është një vepër e mirëfilltë kriminale e babëzisë dhe injorancës së qeveritarëve të sotëm. Çfarë bëri qeveria në këtë fillim gushti? Në një akttë pa përgjegjshëm, rriti tarifat universitare me 30%. Unë dua të informoj qytetarë shqiptarë se tarifat në universitetet e Shqipërisë, nominalisht, janë 5 deri në 6 herë më të larta se në të Zvicrës. Janë 2 deri në 3 herë më të larta se në të Austrisë. Janë rreth 6 deri në 10 herë më të larta sesa në universitetet e Sllovenisë. Se tarifat në universitete,  në shumicën e vendeve të Ballkanit, Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Greqi, etj  nuk ekzistojnë, por tarifat e universiteteve nuk ekzistojnë edhe në një seri vendesh të Europës. Me rritjen që ju bëri tarifave të universiteteve, Edi Rama vendosi nga tarifat më të larta nominale që ekzistojnë në kontinent. Të gjitha vendet praktikojnë dy tarifa, tarifën për studentët e kombit të vet dhe tarifën për studentët e vendeve të tjera. Kjo që them u referohet tarifave për studentët e kombeve përkatëse. Po. Kanë tarifa shumë të larta Britania e Madhe, ka tarifa shumë të larta SHBA, por unë po flas për Europën Kontinentale. Nëse e marrim në proporcion, nëse e marrim tarifën krahasuar me rrogën mesatare, tarifa e Shqipërisë del më e larta në Europë.
 
Tetë vite në pushtet unë jam përballur me një presion të jashtëzakonshëm të universiteteve dhe autoriteteve financiare, të cilat kërkonin me çdo kusht rritjen e tarifave, nuk kam çeduar as edhe një herë të vetme. I vetmi lëshim që unë kam bërë dhe që ka qenë i domosdoshëm ishte indeksimi me inflacionin, se përndryshe ai që hynte sivjet në universitet i takonte të paguante shumë më pak sesa ai që ka hyrë para 5 vjetësh dhe ky është një vendimi para tre viteve. Nga njëra anë kemi të bëjmë me përjashtim nga universitet të 1/3 të maturantëve shqiptarë, maksimumi sepse janë më shumë, sepse janë dhe ata që janë vjeshtakë që s’janë llogaritur akoma, ka pra shumë më tepër, nga ana tjetër kemi të bëjmë me një rritje të tarifës. Kush është ai që përfiton në mënyrë korruptive nga ky kufizim? Është arsimi privat. Unë që flas këtu para jush kam qenë dhe do të mbetem mbështetësi kryesor i arsimit privat, i palëkundur në bindjet e mia se është në interesin më të mirë të kombit dhe vendit, por mbështetje të bazuar në parime të shëndosha, dhe kurrë mbi baza korruptive. Tetë vite në pushtet kam qenë mbështetës kryesor. Kemi vendosur heqjen e TVSH për arsimin privat, kemi miratuar ligjin “tokë për shkollë” për t’u dhënë tokë falas për kampuse universiteteve private, por nuk kam pranuar kurrë presionin e tyre të fuqishëm që unë të ulja kuotat e universiteteve publike, asnjëherë, dhe kishin marrë një “Jo” kategorike nga unë.
 
Unë nuk jam përgjegjës, unë jam i detyruar si shtet të mbaj dyert e hapura të universiteteve publike për të rinjt e vendit tim. Cilido që do të vijë tek ju le të vijë! Askush nuk pengohet të bëjë zgjedhje, por askush nuk duhet të vijë tek ju sepse ika dyert e mbyllura të universitetit dhe ky është parimi i ndershëm, dhe ky është parim që praktikohet kudo. Kurse qeveritarët përzien aksionet dhe kanë bërë gati liçensat për universitet e tyre private, nxorrën nga universitetet publike 1/3 e maturantëve të vendit.
 
Goditja e dytë e madhe e sistemit të arsimit të lartë po përgatitet më të ashtuquajturën pseudo-reformë që po vazhdon. Prapë unë duhet të informoj shqiptarët se, jo me sharlatanë por me specialstë ndër më tëshquar e planetit, të kontraktuar dhe të sjellë për Shqipërinë nga Banka Botërore, kemi punuar 2 ose 3 vjet për reformën e arsimit të lartë dhe ne fund, në bindjen time më të thellë, u tërhoqa nga forma e financimit. Po pse thoni ju? Për dy arsye. Sepse ai financim ishte një taksë e re e çmenduar mbi familjet shqiptare, ai hiqte barrën e arsimit nga buxheti i shtetit dhe jua lëshonte familjeve të varfra shqiptare, të cilët do të merrnin kredi për të shkolluar fëmijën e pare, fëmijën e dytë dhe kështu me radhë. Dhe do të futeshin gjithë jetën në një borxh që do t’ju lidhte këmbët atyre dhe që ato nuk e meritonin. Zoti Rama publikisht në çdo takim premtoi se do të rriste buxhetin 5% të GDP për arsimin. Dhe ky premtim ju garantoj se ishte 100% i mundshëm. Një gjë e tillë nuk ishte e mundshme për mua, sepse ne kishim një përqendrim të jashtëzakonshëm të buxhetit në infrastrukturë dhe absolutisht e quaja shumë të drejtë. Por pas asfaltimit të 11 mijë kilometrave rrugë, qeveria që vjen ka të gjitha mundësitë që të alokojë më shumë për arsimin, që të alokojë me shumë për shëndetësinë, që të alokojë më shumë për qytetarët. Nuk them se nuk do të ndërtojë, do të ndërtojë dhe ajo rrugë dhe ajo vepra publike, por tani hapësirat i ka shumë më të mëdha. Dhe ky zotëri me këtë draft e me këtë projekt kërkon që t’ua kalojë në kurriz familjeve shqiptare te gjithë financimin e fëmijëve të tyre në universitet. Kjo nuk ka për të ndodhur. Unë do të ndalem njëherë tjetër më gjerësisht tek ky projekt, i cili është i turpshëm, i shkruajtur në një injorancë totale, në dhelpërira primitive dhe ju këshilloj ta lexoni. Në 80 faqe nuk gjen një kosto financiare kund. Në tërësi po përgatitet një goditje tjetër e madhe e shkollimit të fëmijëve shqiptar, e krahasimit të qytetarëve shqiptar, të shoqërisë rurale shqiptare me 45% me shoqërinë e Britanisë së Madhe. Njërën nga më zengjinet e të gjitha kohërave të Europës dhe të planetit. 
 
Në mënyrë absurde, antiligjore, me një të rënë tëlapsit Rama me zëdhënësen e tij, që në historinë e pluralizmit shqiptar është e paekuivalente përsa i përket koeficientit intelektual, që mund ta ketë më të lartë vetëm sesa bossi i saj, vendosin mbi një raport, që nuk e pa kush kurrë, pa paraqitur qoftë edhe një shkak të vetëm ligjor, një argument, një defekt, mbylljen e 29 shkollave të larta të vendit  dhe 2 universiteteve. Sot u paraqit raporti nga një anonim, që kryesonte një komision kryekëput anonim dhe që nxorri konkluzionet, por jo raportin. Të pasnesërmen, Edi Rama ekzekutoi këto propozime kryekëput antiligjore dhe mori duartrokitje të injorancës, të babëzisë dhe të korrupsionit.
 
Qeveritarët kanë krijuar firmat e tyre të ndërtimit, qeveritarët mbyllën lojërat e fatit për t’i marrë anturazhi Edi Ramës dhe rrethi i tij, qeveritarët po mbyll universitetet për t’i marrë po këta. Ju ishit në konferencën e shtypit të zëdhënëses së Ramës ku ishte edhe vetë Rama. Në momentin kur zëdhënësja e Ramës u deklaroi shqiptarëve se këta studentë të shkollave të larta që mbyllen do të rregullohen në universitet publike dhe shkollat private. Ndaluni pak këtu. “Dardha e ka bishtin prapa”, bishti i kësaj dardhe është korrupsioni.
 
Qeveria mund të rregullojë cilin të dojë mbi bazën e kritereve në universitete publike, por qeveria nuk mund të dërgojë qoftë edhe një student të vetëm në universitetet private, kurrë. Por qeveria do t’i dërgojë sepse ka firmosur dhe ka arritur marrëveshje të dërgojë në universitetet ku Rama-Meta dhe të tjerët kanë aksionet. Ndryshe kjo është e paimagjinueshme. Të vijmë tek akti. Shqipëria, në mënyrë të padiskutueshme, sistemi i saj arsimor i lartë ka pasur dobësi të pamohueshme, ka nevoja të domosdoshme për reformim, por mbi të gjitha ka nevoja për konsolidim. Ti sot mund t’ja mbyllësh Gjirokastrës universitetin, por ti e shkreton qytetin, në një kohë kur ti mund të dyfishosh buxhetin për të rritur cilësinë dhe për të mbajtur qytetin. Ti vërtet ia mbyll universitetin Beratit, po nëse ka një qytete në këtë komb që meriton universitet është Berati. Universitet i cili, në një kohë rekord brenda 3-4vitesh, u bë me mijëra student. Nuk mbroj as edhe shkeljen më të vogël të tyre. Por nga ana tjetër ato mund të penalizoheshin vetëm mbi bazën e rating-ut. Në vitin 2011 Shqipëria bëri një rating. Me cilën kompani? Me atë kompani që sot Komisioni Europain ka zgjedhur si kompaninë numër një për rating-un e universiteteve në Europë. Kosova ka bërë një rating me një kompani britanike që i mbylli të gjitha universitetet private, përveç njërit. Jam absolutisht kundra kësaj forme ratingu. Po pse?! Po pse do të marr unë shembullin më ekstrem dhe nuk do të ndjek shembullin e shumicës së vendeve? Rating-u behët, bëhen paralajmërime, njoftohen studentët se ky universitet renditet në këtë nivel, dhe ne nuk të themi mos ta dërgosh fëmijën por ama duhet ta dish që renditet në kaq pike, është kaq i lire, është kaq i dobët, të gjitha këto dhe ndërkohë jepet një kohë dhe i thuhet se me kete renditje nuk ke të ardhme, nese do të ndryshosh mire, nuk do të ndryshosh për dy vjet je jashtë sistemit. Vijmë tek ratingjet dhe une ju ftoj juve të shpenzoni pak kohë në internet për të parë rating-et e universiteteve.
 
Në rating-un botëror të universiteteve, mbi 25 mijë universiteteve, Shqipëria nuk mund të krenohet me këtë rating. Nuk mund të krenohet sepse Shqipëria 20 vjet më parë ishte në fundin e dheut. Përveç “shkencave teknike” në tërësi dominonte mashtrimi gënjeshtër në shkollën shqipe. Por për hir të së vërtetës do të gjeni një gjë tjetër, do të gjeni që një pjesë e universiteteve shqiptare nuk janë në 1/3 e fundit të universiteteve të botës, nuk janë as në 1/3 e pare të universiteteve të botës, pra janë në 1/3 e mesme të universiteteve të botës. Është ky pozicion i këndshëm? Jo. Por është pozicion premtues për t’u përmirësuar, dora dorës, për të ecur drejt 1/3 së pare, për të ecur drejt horizonteve të reja. Por nëse studioni këto ratingje serioze do të gjeni që një pjesë e universiteteve të Shqipërisë apo 1/5 e tyre qëndrojnë në grupin e fundit të universiteteve, por ama 9 të 10-tat e këtij grupi janë të vendeve të tjera, dhe kur them të vendeve të tjera janë të vendeve të Rajonit, dhe kur them të vendeve të Rajonit janë edhe të vendeve që kanë histori universitare 700-800 vjeçare krahasuar me Shqipërinë, dhe ato nuk i mbyllin. Ato bëjnë përpjekje për t’i përmirësuar. I rankojnë, bëjnë transparencën, u japin afatet. Është Shqipëria në një pjesë të universiteteve prapa, por në atë nivel, në 100 universitete nëse 7-8 janë të Shqipërisë të gjitha të tjerat janë të vendeve të Rajonit dhe më gjerë se Rajoni. Edhe këto qeveri i dinë ku i kanë këto universitete por edhe rating-u lidhet me njëseri faktorësh dhe kudo ekziston potenciali për të përmirësuar. Unë ju them juve se në universitetet  e vendit më dobët se të gjitha renditet Universiteti i Mjekësisë, sepse ka një vit krijim. Universiteti i Mjekësisë ka bazën absolute më të shkëlqyer se çdo universitet tjetër ne vend për të ecur ne renditje shumë lart, por ai është renditur në vitin e parë të themelimit të tij. Janë renditiur edhe disa të tjera poshtë tij, nuk ekzistojnë më, sepse janë mbyllur pa u hapur.
 
Pra kjo alergji e piktorit dështak, e një njeriu qënuk ka një koncept të vërtetë për arsimin, përveç orës së vizatimit, edhe atë e ka të dobët, shndërrohet në një rrezik të madh kombëtar. “Arsimi, thotë Zhan Zhak Ruso, është çështja më serioze e një kombi”, në këtë drejtim jam absolutisht për të bërë çdo përpjekje për ta bërë gjithnjë e më serioz, më të avancuar arsimin në këtë vend. Por me këto masa, foshnja vritet sapo ka lindur. Me këto masa, vulgu dhe injoranca i bëhet mur dijes dhe dritës. Me këto masa, shqiptarët ecin drejt trashëgimisë së tyre të hidhur të etërve të Edi Ramës.
 
 
Pyetje: Zoti Berisha sigurisht që arsimi është një shqetësim që trajtohet gjerë e gjatë, mund të indinjojë një numër të madh qytetarësh po ndoshta dhe jo pasi ka një numër të madh qytetarësh që kanë marë diploma fallco, unë dua të ndalem në një çështje tjetër pasi problem madhor është edhe vjedhja e Bankës së Shqipërisë ku ka edhe protesta dhe kërkesa të vazhdueshme për dorëheqjen e guvernatorit të bankës i cili është votuar nga qeveria juaj dhe mbështetur nga qeveria e sotme për ruajtjen e kursimet e shqiptarëve. Keni nje reagim, pse nuk bëhet një kërkesë nga deputete për shkarkimin e Fullanit?
 
Berisha: Së pari lidhur me pjesën e parë të pyetjes, një pasojë tjetër katasrofale e qeverisë për të mbyllur 31 institucionet e arsimit të lartë, të cilat janë shumë të ndryshme nga njëri –tjetri dhe ka shumë prej tyre që renditen në nivel fare, për grupin e universiteteve shqiptare, të mira, është gjithashtu një lëndim shumë i madh për diplomat që janë marrë në këto universitete. Njerëz që kanë studiuar, janë diplomuar dhe tani del një gjysem i shkolluar, siç është Edi Rama dhe shkelmon mbi diplomat e tyre, por atyre u them se ky është një revansh i injorancës, shumë nga këta janë graduar në universitete më të mira në perëndim, në shkollën e Magjistraturës në Shqipëri dhe gjetiu.
Tani vijmë tek pjesa e dytë e pyetjes. PD ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe unë jam krejtësisht dakord.  E ka vlerësuar një krim të shëmtuar dhe të rëndë, dhe i tillë është, në mënyrë të padiskutueshme. Nëse me thoni ju mua, çfarë ngjashmërie ka me vjedhjen e thesarit të Krrabës unë ju them juve se ngjashmëria qëndron pasi janë vjedhur në të dy rastet kasafortat më sekrete të shtetit, ky përbën një   problem shumë të madh, plus dëmi i humbjes së parave, por kurrë mos kërkoni nga unë të krahasoj më të pa krahasueshmen, nuk ia sugjeroj askujt. Cfarë ndodhi në vitin 2000. Në vitin 2000 një oficer i guximshëm, i cili la jetën në burgje më bën një mesazh dhe me thotë se në tunelin e Krrabës është vjedhur thesari numizmatik i shtetit. Merrem me të , dhe prokuror të çështjes rrëfejnë se gjurmët e këpucëve ishin të freskëta. Pra thesari u vodh ose një natë para vitit të ri, ose natën e vitit të ri, ose një ose dy ditë prapa dhe unë të gjitha këto ia them mediave publikisht. Cili ishte reagimi? Reagimi i parë ishte nga guvernatori që është sot ministër, i cili eagon dhe thotë se në tunelin e Krrabës nuk ka pasur flori, në një kohë kur raporti që kishte bere vetë ai për Bankën e Shqipërisë dhe asetet, dhe unë e ftoj Prokurorin e Përgjithshëm të japë çështjen, pavarësisht se e kanë mbyllur në mënyrë më kriminale paraardhësit e tij, thotë se nuk ka pasur flori. Del Ilir Meta dhe bën deklaratë se, doktori po flet kot, atje në Kamzë ka qymur po flori nuk ka. I keni të gjitha në media të botuara këto. 
 
 
Nëse ka ndonjëherë një ngjarje që e ka bërë Shqipërinë si një principatë të romaneve të Garcia Markesit është kjo. Jo tha (Meta) atje ka qymyr dhe nuk ka flori dhe ne vazhdojmë betejën me te huajt por nuk hapej asnjë çështje penale, dhe vetëm pas 6 muajsh kryeministri Ilir Meta urdhëron që të nisin hetimet penale për këtë çështje, kjo pas gjashtë muajsh, janë të gjitha në media. Ka qenë muaji qershor kur në dijeninë time me një ndërhyrje të fortë të faktorit ndërkombëtar u hapen hetimet. Kush arrestohet? Oficeri që më njoftoi mua i pari. Një njeri i ndershëm. Kush u arrestua tjetër? Fshatarët që në jetën e  tyre nuk kishin hyrë në atë tunel apo në atë kasafortë. U arrestuan edhe ata se policia tha se unë gjeta flori në shtëpinë e tyre. Ky ishte i vetmi hetim. Ama dëmi aty, në vlerësimin konvencional, ishte mbi 40 milion dollarë, në vlerësimin real ishte qindra milion, sepse floriri numizmatik nuk kishte çmim shumë herë më i kushtueshëm. Çfarë ndodhi tani? Ndodhi hyrja e kasafortës së shteti më të mbrojtur, nuk kemi më të mbrojtur se kasafortën e Bankës. Atë kemi. Prokuroria veproi menjëherë me energjizëm të plotë, nuk marr përsipër thellësinë apo cilësinë e hetimit, ka ndaluar 8 apo10 persona dhe po vazhdon hetimet. Në vlerësimin dhe dijeninë time Banka po bashkëpunon ngushtësisht me prokurorinë. Ne nuk mbrojmë në mënyrë absolute asnjë person nga asnjë hetim, por duhet të jeni të sigurte që deri në këtë moment Ardian Fullani nuk ka kërkuar asnjë lloj mbrojtje asnjë lloj mbështetje. Por nga ana tjetër, ne jo vetëm në këtë rast por në asnjë rast për hir të ruajtjes së stabilitetit bankar të vendit, ne nuk vërsulemi me tërbim siç vërsulej Edi Rama në 2008-2009 ndaj bankave dhe bënte thirrje për të tërhequr kursimet. Unë ju bëj thirrje shqiptareve të kursejnë se nuk kanë humbur kursime aty se Banka ka mekanizma të tjerë, por para të qytetareve kanë humbur, si ka të vetat ai. Gjithçka është është e publikut në Shqipëri. Kështu që të vazhdojnë të kursejnë, sistemi  bankar ka pësuar një goditje por plotësisht të rikuperueshme.  Ajo është para publike, mekanizmi i krijimit të saj është objekt i hetimit. Në këto kushte, duke bërë thirrje për hetimin me rigoroz, dhe më të paanshëm mendoj se deri tani janë zbatuar në rastin e dytë plotësisht praktikat e shtetit ligjor. Më thoni ju mua kur është njeriu gabim? Kur mbështet një praktikë të shtetit ligjor, apo kur krahason një praktikë të shtetit ligjor me maliqin ligjor? Unë them se e para është detyra e njeriut të qytetëruar. Ky është qëndrimi ynë i palëkundur, shumë i qartë. Ata që protestojnë ushtrojnë të  drejtën demokratike për protestë.
 
Pyetje: A mendoni se guvernatori Fullani ka përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dhe ndoshta dorëheqja e tij apo shkarkimi  nga parlamentit mund të ishte një instrument më i mirë për t'i kthyer besimin institucionit më të lartë financiar në vend?
 
Berisha: Koha e përgjegjësisë i ka kaluar ligjit. Mendoj se hetimi po ecën dhe jam i bindur se prokuroria ka të gjitha instrumentet  për të verifikuar përgjegjësinë e secilit, por nëse kërkohet të krahasoj të pa krahasueshmet unë këtë nuk mund ta bëj.
 
Pyetje: Në Prokurorinë e Përgjithshme është regjistruar një procedim penal për negociatoret e paktit detar, indirekt do të thotë hetim për kryetarin e opozitës në atë kohë ministër i jashtëm. Keni koment?
 
Berisha: Janë zbatuar të gjitha ligjet dhe rregullat e shtetit. Metoda e përdorur për përcaktimin e ndarjes së detit është e bazuar në traktatin ndërkombëtar të ndarjes së detit të Montreux. Ka dy praktika. Në 98% apo 96% të rasteve është kjo që është ndjekur dhe që quhet praktika e rregullit proporcional dhe që mund ta verifikojë cili të dojë, që ka nocionet elementare topografike dhe gjeometrike. Praktika e dytë, e cila është përdoruar edhe më pak se 2% të rasteve është praktika e gjireve të thella e vijës së kurbuar, kjo praktikë çfarë kërkon. Kërkon që palët të bien dakord njëra me tjetrën sa do të marrë njëra dhe sa mbetet tjetra. Kjo praktikë në Europë është përdorur jo më shumë se 2 apo 3 herë.  Një rast është përdorur mes Gjermanisë dhe Danimarkës dhe Gjermania ka bere gjenerozen dhe pranuar kërkesën e Danimarkës por në rastet e tjera kurrë nuk zgjidhte veçse në gjykatë. Këta zotërinj po i krijojnë vendit një problem shumë madhor dhe nuk duhet ta marrin të thjeshtë bllokimin e zgjidhjes së problemit. Jo. Pse nuk duhet ta marrin të thjeshtë. Me autoritet greke, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ne jua bëmë të qartë, që nuk ka absolutisht per kete qeveri asnjë rruge përveç zbatim të vendimit. Ndaj urdhëroni të shkojmë në gjykatë, të flasë gjykata. Në fakt gradualisht ato ranë dakord dhe kërkuan që të mos jetë gjykata e Hamburgut sepse kryesohej nga nje grek dhe pastaj dilnin probleme, por të jetë e Hagës dhe ne nuk patëm kundërshtim.  Kurse këta të zero problemit me fqinjët, këta zgjodhën rrugë tjetër për ta bllokuar. Une jam absolutisht i hapur për çdo hetim për cilindo nga prokuroria, por problemi është se këta e çojnë tani drejt zgjidhjes jo në gjykatë më. Po kush? Do ta zgjidhte, siç ka ndërhyrë në raste analoge, Komisioni Europian. Sepse po pate çështje territoriale nuk ecën dot pa zgjidhur ato, dhe raporti i fundit, ndaj të cilit vetëm unë reagova, nuk reagoi kush, i Komisionit Europian për rajonin ka futur këtë çështje, sepse Greqia është anëtare e Klubit, ne nuk jemi. E ka vendosur aty si një çështje për tu zgjidhur,  pra këta të zero interesit janë të zero zgjidhjeve. Kështu është problemi i tyre, por prokuroria le të bëjë punën e vet.
 
Pyetje: Unë dua të ndalem edhe njëherë tek Banka e Shqipërisë. Ligjërish është ajo që ju thatë por ka edhe një aspekt moral kjo çështje, kanë dalë disa foto të djalit të guvernatorit që janë koleksion orash që shkojnë edhe në 1 milion euro të vërtetuara. Në një situatë të tillë, kur kemi anëtar të Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që janë në shkelje të ligjit siç është Dhori Kule i cili merret edhe me politikë dhe që nuk lejohet sipas ligjit, cili është qëndrimi juaj.
Pyetja e dytë ka të bëjë me CEZ ju keni thënë se është një borxh i madh që i rëndon qytetareve shqiptarë. A keni përgjegjësi ju për këtë?
 
Berisha: Të jem i sinqertë nuk mund të besoj në mënyrë absolute në publikimet e instagrameve. Sepse amatorë fusin objekte nga më të ndryshmet që unë nuk di nëse i posedojnë apo jo. Çfarë ka pozitive në këtë rast. Ana pozitive është se ka nisur hetimi i ILDKP prandaj ne të presim hetimin. Se objekte të gjetura në Instagram për mua nuk përbëjnë dot një prove përfundimtare, është një provë që duhet të verifikohet dhe ILDKP ka nisur verifikimin e çdo pasurie të guvernatorit. Guvernatori është subjekt që deklaron pasurinë pra ky është qëndrimi im për sa i përket çështjes së parë.
 
Për CEZ. Privatizimi i sipërmarrjeve të mëdha strategjike është pjesë e programit të PD. E vërteta është edhe e qeverisë së mëparshme dhe në teresi e çdo qeverie qe beson se me privatizimin përmirësohet menaxhimi. Privatizimi i CEZ është bërë me konsultën e plotë dhe të totale të IFC, të korporatës së financiare të Bankës Botërore, konsulent i kontraktuar për privatizimin e CEZ. Është bërë me një tender ndërkombëtar, është fituar nga një kompani që është e pesta në Europë. Çfarë ndodhi? Kjo kompani mori CEZ me rregulla dhe kushte të caktuara. Qeveria shqiptare bëri përpjekje të mëdha për suksesin e menaxhimit të kësaj kompanie, por kompania CEZ tregoi dobësi ekstreme në rritje ne menaxhim. Kompania CEZ nuk uli humbjet, ky ishte celesi i menaxhimit. CEZ jo vetëm që nuk uli dot humbjet por rriti në mënyrë të ndjeshme humbjet teknike dhe bëri gjithsej 8 milion investime, në një kohë që gjatë periudhës se menaxhimit të saj në mënyrë të pashmangshme mund të jene konsumuar dhjetera e dhjetera milion dollarë aparatura etj. CEZ cedoi gjerësisht në menaxhim. Kam bërë përpjekje të mëdha, gjithnjë me Bankën Botërore ne mes fatmirësisht, dhe janë të gjitha minutat, që CEZ të forcojë kapacitetet menaxhuese. Kam pritur në Tirane, nuk kam shkuar ne Prage sic thone, drejtorin e përgjithshëm Benesh dhe në atë kohë kishin dalë lajmet se CEZ do të tërhiqej nga Ballkani, ju e patë se çfarë ndodhi ne Bullgari me të pasi iku nga ne. Dhe përcaktuam një pakete masash nuk ju qëndroi pala çeke atyre. Gjithnjë me ndërmjetësimin e  Bankës Botërore. Pastaj CEZ nxori një fytyrë çnjerëzore të një korporate të pashpirt kur preu ujësjellsat. Kjo ishte e mjaftueshme per ta shpallur non grata në 24 orë, por natyrisht nuk e bëmë. Në këto kushte të një falimentimi të plotë, dhe i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetoje vjedhjet që janë bërë, sepse ka shumë indicie që janë bërë me qeveritarë shqiptarë. Po. Kjo firma që mblidhte të ardhurat që i ka transferuar në vende të tjera. Te hetoje, eshte zhdukur ai, hajduti. CEZ vendosi këto mekanizma dhe ato mekanizma ishin të pakapërcyeshme, dhe në përputhje me keto rregulla, ERE kontaktoi një nga kompanitë më të mira që e këshilloi për mënyrën e heqjes së liçensës, dhe e keni parë që e kanë shpallur armike këta Paton Boggs pse ka këshilluar ERE për te hequr liçencën, kontraktoi një studio ligjore ndërkombetare, me të cilën Shqipëria kishte fituar disa arbitrazhe, që deri atëherë vetëm i humbiste, dhe filloi punën për të shkuar në arbitrazh. Diku një marrëveshje e fshehtë u bë dhe pas ardhjes së tyre në pushtet ne ndonjë mënyrë dhe në disa mënyra është bërë thirrje që të heshtim. Kurrë, ka qenë përgjigja ime. Kam respektin më të madh për Çekinë, për qeverinë çeke, por këto janë çështje tregtare këto zgjidhen në arbitrazh dhe nuk mund të zgjidhen në mënyrë të tjera përveçse me rregulla. Avokati i shquar ndërkombëtar na tha se kjo çështje fitohet nga Shqipëria.  Akti i parë që bënë keta përjashtuan avokatin e kontraktuar nga të gjitha negociatat. Kë vunë në negociata? Kush ishte eksperti teknik i negociatave, ishte nje zonjë që kishte qenë drejtoreshe juridike e CEZ, që përfaqësonte Arben Malaj. Dhe që ju thoshte çdo tre minuat qe pala jonë e ka gabim dhe CEZ e ka të drejte,. Ajo thoshte ato që donte Edi Rama, ne konflikt te hapur interesi. Kush ishte tjetër në negociata, kjo krye avokatja e shtetit, Hicka, burrin e ka qe mbronte interesat e CEZ-it. Çfarë kërkonim ne? Nuk paragjykonim, ne kërkonim arbitrazhin ndërkombëtar. CEZ iu drejtua Komunitetit të Energjisë, ne Gjykatës Ndërkombëtare që të ballafaqoheshim. I kishim gjitha shanset për të fituar. Nëse CEZ ishte i sigurtë atehere pse mobilizoi gjithë potencialet e qeverise së tij. Nëse CEZ ishte i sigurtë sa dha për të blerë këta qeveritarë? Kjo është çështja. Ne nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse po mbrojmë interesin publik. Nëse mendon se një kryeministër me parimet më liberale ndaj tregut është përgjegjës për falimentimin e një kompanie kjo nuk qëndron. Përkundrazi, le të thotë se ku e lendoi qeveria e PD-se CEZ-in. Ata s'menaxhuan dot. Pse e beme privatizim ne? Për ti bërë menaxhim më të mirë. Ne e penguam atë të investoje. Kurrë. Ne e detyruar të vjedhë paratë e qytetareve shqiptarë? Është Edi Rama që në kulisa kohë para se të vinte ne pushte u lidh në këte mega-afere me madhja korruptive ne historine e vendit.
 
Pyetje: Nëse parlamenti do të ketë një nisëm për shkarkimin e Fullanit me votë ju do ta mbështesni këtë nisëm?
 
Berisha: Nëse nisma do të ishte jo politike plotësisht do ta mbështes. Një nisëm politike nuk e mbështes kurrë. Kjo është shumë e prerë. Parlamenti gjer sot ka marrë vetëm vendime politike. Një nisëm politike të kupolës të mafies shqiptare ne parlament nuk mund ta mbështes kurrë, sepse kreu i meduzës së saj është Edi Rama, të gjitha këto që bëjnë, të gjitha këto vendime për arsimin e kanë lidhjen se këta janë një kupolë milardjeresh të bërë milardiere duke vjedhur dhe duke fjetur dhe tani godasin më të varfrit ne Shqipërisë në shkollimin e fëmijëve në problemin më delikat.
 
Pyetje: Do të marrë pjesë PD në hartimin e Kodit Zgjedhor nëse bëhet  Dhe a do të marrë PD pjesë në zgjedhje nisur nga fakti që ju deklaroni se nuk e njihni hartën e re territoriale?
 
Berisha:  Të dy problemet janë specifike partie. Këto në daljen javore t’ia drejtoni direkt kryetrarit të partisë dhe jo mua një njeri që jam i pritur të zbatoj vendimet e partisë.
 
Pyetje: Këshilli i mbikëqyrjes së Shqipërisë ka në përbërje emra që janë të lidhur me politikën në kundërshtim me ligjin , reforma në bankën e Shqipërisë duhet të fillojë me guvernatorin dhe më pas me këshillin, kam parasysh z. Dhori Kule që është në strukturat e PD?
 
Berisha: Do të të lexoj një nen shumë interesant të Kushtetues së Shqipërisë. Ka një nen në Kushtetute që Forcat e Armatosura ndalohen me Kushtetutë të marrrin apo shprehen për problemet politike, “ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike”. Lexoni komunikatat e gjeneral-trafikut, shefit të shtabit, sikur të jenë shtypur të gjitha në selinë e PS. Më jep mua një deklaratë politike për financat e vendit të Dhori Kules dhe unë do të them ke të drejte. Dhori Kule është një personalitet i shquar i fushës akademike, i cili ka ditur të respektojë me rigorozitetin më të madh ligjin e Bankës. Nëse z. Kule ka një deklaratë të vetme me nuancë politike, jo vetëm për Bankën por për financat, atëherë unë të jap të drejtë. Por nëse lexon këtë nen të veprimtarisë politike dhe sheh Shefin e Shtabit të bërë vasal të Mimi Kodhelit dhe Edi Ramës, që se ka bërë ndonjëherë ndonjë shef shtabi ne 23 vjet kete, atehere nuk duhet të gjethet të pengojnë me pa trungjet. Trungjet janë më të mëdha.
Faleminderit! 
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/05/2019 - 23:59

Kryeministri Edi Rama e quan një lajm fantastik zbulimin e burimeve të reja të naftës në Shqipëri, pas testeve të para të kryera nga kompania SHELL.

Postuar: 24/05/2019 - 23:57

 Një ditë para protestës së opozitës së bashkuar, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi bën thir

Postuar: 24/05/2019 - 23:49

 Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku ka nxjerrë një udhëzim, ku i ngarkon Prokurores së

Postuar: 24/05/2019 - 23:23

Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike gjatë emisionit “Zonë e Lirë” edhe p

Postuar: 24/05/2019 - 23:05

Opozita e re e kryesuar nga Rudina Hajdari i ka bërë një kërkesë Kuvendit për të ulur në tryezë t

Postuar: 24/05/2019 - 22:56

I pyetur në “Zonë e Lirë” nëse do të donte të bëhej kryeministër,  Astrit Patozi

Postuar: 24/05/2019 - 22:38

Gazetari Arian Çani nuk i ka kursyer kritikat Astrit Patozi lidhur me vendimin për të krijuar par