BREAKING NEWS

Lëkundjet e forta të tokës në Tiranë dhe Durrës, shënohet viktima e parë nga tërmeti (Emri)

Lëkundjet e forta të tokës në Tiranë dhe Durrës,
x

Politike

Reforma në drejtësi përfundon në kaçamak sorosian, spekulanti famëkeq përdhos procesin, ja si e ka kapur qeverinë, opozitën dhe shtetin

Reforma në drejtësi përfundon në kaçamak sorosian,
Komprometohet, katandiset dhe përdhoset reforma e famshme në drejtësi. Nisi si reformë madhore që do t’i hapte Shqipërisë dyert e integrimit, që do të shënjonte fundin e tranzicionit dhe të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, por mjerisht po përfundon si kaçamak sorosian, si konspiracion, si gjueti shtrigash dhe intrigë e madhe e spekulantit famëkeq George Soros. Nuk është më reforma në drejtësi, por është një lojë dhe skenar sorosian për të turbulluar dhe tërhequr politikën e Tiranës, në vorbullën e konflikteve. Panorama është sa qesharake aq edhe dramatike. Kemi drafte që hartohen natën dhe tërhiqen ditën. Kemi projekte të fshehta, zhbërje dhe bërje të lloji-lloji institucionesh me një të rënë të lapsit. Kemi asgjësim institucionesh dhe vizatim të strukturave të çuditshme në sistemin e drejtësisë.
 
Gjithçka po luhet fshehtas. Gjithçka ngjan me një cicmic të burgosurish. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kudo që fut hundët spekulanti i bursave George Soros, me anë të beniaminëve të çirakëve të tij në Tiranë, produkti është i pashmangshëm; Sabotim, konflikt, përmbysje, kapje dhe larje hesapesh. Nuk ka më asnjë dyshim se, tre draftet e derisotme për reformën në drejtësi, dy të parët të rrëzuar nga Venecia dhe palët në Tiranë, kanë dalë nga mëngët e spekulantit George Soros. Nuk ka më asnjë dyshim se ashtu si në ligjin për arsimin e lartë, në draftin e tretë për reformën në drejtësi, janë vizatuar interesat e George Soros. Por, mbetet i paqartë synimi real dhe përfundimtar i Sorosit. Dilema konsiston nëse kemi të bëjmë me një skenar sorosian për të marrë nën komandë sistemin e drejtësisë apo me një plan për të sabotuar reformën në drejtësi. Teksa të dyja mundësitë duket se ekzistojnë, duhet të kujtojmë se George Soros, me anë të strukturave që ka ngritur në Tiranë, është protagonist i të gjitha reformave të njëanshme dhe i sabotimeve gjatë viteve të fundit. 
 
Kudo George Soros
 
Dora e George Soros fshihet par ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit të 2008, të cilët futën vendin në një spirale krizash politike. Dora e George Soros fshihet pas ndryshimeve në ligjin zgjedhor, me qëllim asgjësimin e disa partive politike dhe fuqizimin e disa të tjerave. Strukturat e George Soros kanë diktuar ligjin për arsimin e lartë në Shqipëri, zbatimi i të cilit do të rrënojë përfundimisht universitetet publike në Shqipëri, ndërsa fut duart e një universiteti privat në buxhetin e shtetit. Fondacioni Soros po tenton të diktojë edhe reformën e ardhshme zgjedhore. 
 
Ky fondacion ka publikuar zyrtarisht një paketë me rekomandime paralele me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Çdo formulë e re zgjedhore, e cila synon të ndryshojë konfiguracionin politik në Shqipëri, del nga ky fondacion. Në këtë kuadër, gatimi i reformës në drejtësi nga ekspertët e Soros duket si diçka e natyrshme. Por, ekspertët e Soros kanë nisur gjithashtu të hartojnë mbi 41 ligje organike dhe aktet nënligjore në kuadër të reformës në drejtësi. Është e vërtetë se disa nga ekspertët nuk e kanë parë derën e Partisë Socialiste apo të Partisë Demokratike, por është po kaq e vërtetë se shumica e tyre, janë produkt i Fondacionit Soros në Shqipëri. Ndërkaq, tashmë dihet hija e Soros mbi Partinë Socialiste, mbi Partinë Demokratike, mbi qeverinë, Bashkinë e Tiranës dhe institucionet shtetërore. Çdo nismë e dyshimtë që del nga qeveria, me impakt në jetën publike, mban vulën e Soros.  
 
Adriatik Doçi