Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Reforma në drejtësi është vendimtare”/ ‘Financial Times’ artikull për Shqipërinë: Salla e Gjykatës së Lartë është mbushur me... (E plotë)

Postuar: 16/06/2019 - 17:59

Prej më shumë se dy vitesh Shqipëria po reformon tërësisht sistemin e drejtësisë me asistencën e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht përmes misioneve EURALIUS dhe OPDAT.

Ndërkombëtarët kanë përmendur jo pak herë se reforma në drejtësi që po kryhet në Shqipëri është model që duhet ndjekur nga vendet e tjera të Ballkanit por edhe nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian si Polonia, Hungaria, etj.

Prestigjozja “Financial Times” i ka kushtuar një artikull këtij rasti ku mes të tjerash theksohet se reformimi i sistemit të drejtësisë është një kartë e fortë që vendit ti hapen negociatat për aderim në BE.

Shkrimi i plotë i Financial Times:

Salla e Gjykatës së Lartë është mbushur me stivat e dosjeve të mbetura pa shqyrtuar dhe duket sikur koha ka ndaluar për këtë hallkë të gjyqësorit. “Kjo sallë gjykate është kthyer në një magazinë” ankohet Ardian Dvorani, një nga gjyqtarët.

Puna në gjykatë ka ndaluar plotësisht, pasi vetëm dy nga 17 gjyqtarët — z. Dvorani dhe një koleg i tij — mbeten në detyrë pas procedurës së rreptë të vetingut, që u zhvillua për të hetuar akuzat lidhur me korruptimin e gjyqësorit. Ky pastrim bëhet edhe për të kënaqur një nga partnerët më të rëndësishëm dhe më të vështirë të Shqipërisë: BE-në.

“Asnjë vend tjetër në botë nuk ka zhvilluar një reformë drejtësie kaq të thellë,” deklaroi Luigi Soreca, Ambasadori i BE-së në Shqipëri për Financial Times.

Megjithatë as ky spastrim i sistemit të drejtësisë, që ka shkaktuar grumbullimin pirg të 30,000 cështjeve gjyqësore të Gjykatës së Lartë,lënë pa shqyrtuar, dhe as bashkëpunimi me trupat e sigurisë kufitare të BE-së nuk kanë mjaftuar që Shqipëria të marrë deri tani ftesën e shumëpritur për të filluar bisedimet zyrtare për anëtarësimin në bllok.

Komisioni Europian, organi ekzekutiv i BE-së në Bruksel rekomandoi që blloku të fillojë negociatat këtë vit. Por shtete anëtare, të cilat do të kenë fjalën e fundit, janë ende të lëkundur si për Shqipërinë ashtu edhe për fqinjin e saj, Maqedoninë e Veriut, ndërsa pritet takimi kyc i javës së ardhshme.

Vecanërisht pas zgjerimit më madhor të BE-së në vitin 2004, kur iu bashkuan 10 anëtarë të rinj, përfshirë shtetet nga ish-Blloku Sovietik, anëtarësimi konsiderohet si një mënyrë e BE-së për të rritur ndikimin dhe për të shpërndarë vlerat e saj, përfshirë respektimin e të drejtave të njeritu dhe shtetin ligjor.

Por pakënaqësia me standartet e qeverisjes në shumë nga shtetet anëtare, ka sjellë një lodhje nga zgjerimi në BE. Tirana mund t’ia dalë të bindë shtetet si Franca, Gjermania dhe Holanda të nisin bisedimet në vjeshtë.

Shtetet që janë dakort për fillimin e negociatave me Shqipërinë thonë që vendi po bën më shumë se sa kanë bërë vende që janë anëtarësuar kohët e fundit, duke zhvilluar reforma rrënjësore, dhe prandaj duhet shpërblyer.

“Mund të shohësh Hungarinë, Rumaninë, Sllovakinë, Poloninë, ose shtete të tjera të cilat janë anëtarësuar së fundmi, sektori më problematik në të gjitha shtetet mbetet sistemi gjyqësor. Në retrospektivë, do të kishte qënë më mirë që këto shtete të kishin zbatuar një proces të ngjashëm,” tha një komision zyrtar i nivelit të lartë në Bruksel për Financial Times.

Që pas daljes nga një prej diktaturave komuniste më të ashpra në Europë, Shqipëria ia ka dalë me vështirësi të ndërtojë institucione të pavarura. Korrupsioni i gjyqësorit është shumë i përhapur: një studim i 2017-ës nga UNDP deklaronte se më shumë se 70% të shqiptarëve nuk kishin besim se sistemi i drejtësisë mund t’i mbronte.

“Të shkoje në gjykatë në Shqipëri ishte si të shkoje në Sotheby’s, ku vendimi shkonte në favor të atij që paguante më shumë,” thotë Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe krahu i djathtë i Kryeministrit Rama, që drejton Partinë Socialiste.

Nën presion të madh nga Uashingtoni dhe Brukseli, parlamenti shqiptar votoi në mënyrë unanime ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, nisur nga tre kritere : integritetin e tyre, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale, duke vlerësuar edhe cështjet e mëparshme të gjykuara prej tyre. Nga 150 persona që janë vlerësuar, gati 60% janë pushuar ose kanë dhënë dorëheqjen. Ka akoma qindra që duhen vlerësuar.

“Pavarësisht disa prej problemeve që ka sistemi, kjo është gjëja më e mirë që ka ndodhur në Shqipëri në 20 vite; ky është sinjali i shpresës,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit Shqiptar për Shkencat Politike, i cili monitoron procesin e vetingut.

Dvorani thotë që nuk habitet nga numri i kolegëve që kanë dhënë dorëheqjen ose janë larguar nga detyra.

Shqipëria po bën edhe shumë reforma të tjera për të bindur BE-në që është gati të fillojë bisedimet për anëtarësim. Pranë fshatit juglindor të Kapshticës, në kufi me Greqinë, komandanti i policisë Emiljano Resulaj po bashkëpunon me 50 oficerë të BE-së nga forca kufitare Frontex për të shuar shqetësimet e tyre mbi trafikun e drogës dhe emigrimin e paligjshëm.

Në kufi, udhëtarët presin në rradhë që tu kontrollohen dokumentat dhe valixhet. “Policia shqiptare po punon shumë, ne duam të hyjmë në BE dhe të vërtetojmë që i plotësojmë standartet,” tha z. Resulaj.

Në raportin e botuar në Maj, Komisioni Europian vlerësoi se Shqipëria ka bërë një përparim domethënës në luftën kundër prodhimit të kanabisit, që përpara këtyre përpjekjeve prodhohej në sasi të shumë mëdha, si dhe në betejat për të shkatërruar grupet kriminale.

Megjithatë gjendja e brendshme politike tregon një anë aspak tërheqëse për BE-në. Që nga shkurti, partitë opozitare kanë bojkotuar parlamentin dhe kanë zhvilluar protesta të dhunshme, duke akuzuar partinë socialiste në pushtet për vjedhje votash dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Një nga ish-ministrat e drejtësisë së qeverisë Rama, do jetë gjykohet së shpejti për akuzat lidhur me trafikimim e lëndëve narkotike. Nga ana tjetër, Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, është thirrur në prokurori të hënën për tu pyetur mbi akuzat që rëndojnë mbi të për pastrim parash, të cilat ai i konsideroi akuza politike.

Javën e kaluar, Presidenti Ilir Meta deklaroi se do t’i shtynte zgjedhjet e përcaktuara për në fund të këtij muaji, por nuk caktoi një datë të re. Rama i kërkoi parlamentit të shkarkojë Presidentin Meta, por mungesa e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese e pengon mundësinë për shkarkimin e presidentit.

“Kam frikë se përshkallëzimi i situatës së brendshme është goditja e fundit,” thotë një diplomat nga Brukseli, duke theksuar se retorika e disa vendeve anëtare me ndikim të lartë, kërcënojnë “të shkatërrojnë besimin se politikat e zgjerimit bazohen në merita”.

Disa shtete anëtare që janë pro zgjerimit po mundohen ta mbajnë cështjen e Shqipërisë të lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut. Ata shpresojnë që Tirana do përfitojë nga dashamirësia për Shkupin, e cila sapo i dha fund një mosmarrëveshjeje shumëvjecare me Greqinë, duke ndryshuar edhe emrin, për hir të aprovimit nga BE-ja.

Ndërkohë, një nga shqetësimet është se të kërkosh nga të dyja shtetet të reformohen, pa vlerësuar përparimin e tyre me një datë të caktuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mund të ketë pasoja të dëmshme.

“Shumë ndryshime që janë bërë vinin prej faktit se një sasi e madhe e popullit e mbështet anëtarësimin në BE,” thotë Simonida Kacarska, drejtore e Insitutit të Politikave Europiane në Shkup. Nëse shtetet nuk marrin dritën jeshile deri në vjeshtë, sipas saj, «do të jetë e vështirë të justifikohen » reformat përpara një publiku kritik.

“Një mesazh negativ nga Brukseli mund të dëmtojë reformat për të cilat u deshën vite të tëra pune,” tha znj. Krasniqi. “Ne duhet të kemi një prespektivë, të dimë që ka shpresë për ne. Nuk bëhet fjalë për tu anëtarësuar, por për të nisur negociatat.” /Lexo.al/

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/07/2019 - 23:46

Duket se këtë verë nuk ka pushime për kreun e PD-së, Lulzim Basha pasi partia e tij la Kuvendin dhe bojkotoi zgjedhjet.

Postuar: 22/07/2019 - 23:23

Tre vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi, tashmë do kemi edhe një godinë që do e simbolizoj

Postuar: 22/07/2019 - 22:57

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi mohon të ketë pasur një takim sekret sot mes kreut

Postuar: 22/07/2019 - 22:42

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri publikoi një foto të një breshke në “Facebook”

Postuar: 22/07/2019 - 22:20

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma u shpreh se PD ka ndaluar vijimin e punës në Unaz

Postuar: 22/07/2019 - 22:13

Rumania mbylli Presidencën e BE-së, ndërsa ambasada e saj në Shqipëri organizoi një aktivitet ku

Postuar: 22/07/2019 - 22:10

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është ndaluar këtë të hënë me stru