Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Politike

Reme Lala: Reforma në drejtësi në rrugën e duhur, hapja e listave të deputetëve e domosdoshme, do kandidoj edhe në 2021

Reme Lala: Reforma në drejtësi në rrugën e duhur, hapja e

Deputetja e pavarur e Qarkut Dibër, Reme Lala ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek reforma në drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja të dala prej saj, reforma zgjedhore, zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, investimet e qeverisë në zonën e saj elektorale dhe problemet që shqetësojnë ata, si dhe menaxhimi i situatës së pandemisë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deputetja Lala është shprehur se ndihet e lumtur që Rruga e Arbërit është në ndërtim e sipër, ndërsa theksoi se ajo do të jetë gjithmonë zëri i qytetarëve dibranë në Parlament dhe kudo. Sa i takon reformës në drejtësi, ligjvënësja e Qarkut Dibër theksoi se ajo është në rrugën e duhur, ndërkohë që nënvizoi se hapja e listave për deputet është e domosdoshme, pasi sipas saj, qytetarët kanë nevojë të zgjedhin deputetin që duan.

-Zonjushë Lala, ju prej disa kohësh jeni deputete e pavarur, ndërsa keni “braktisur” kështu PDIU, parti nën siglën e së cilës dolët deputete nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. A mund ta dimë se nën siglën e kujt partie dhe ku do të kandidojë znj. Reme Lala në zgjedhjet e 2021-shit?

Unë siç e thatë dhe ju vazhdoj të jem deputete e pavarur, paçka se mbështetja është dukshëm në anën e Partisë Socialiste. Megjithatë për zgjedhjet e 2021-shit do doja të mos prononcohesha, nuk është momenti i duhur për të shfaqur se nën siglën e kujt partie do të kandidoj.

-Nëse do të kandidonit sërish në zonën elektorale nga ku dhe keni dalë deputete, çfarë do t’iu ofronit banorëve atje si alternativë dhe përse ata duhet t’u besojnë votën?

Të gjithë ata që më njohin dhe e kanë ndjekur fushatën time nga afër e dinë se unë kam bërë një fushatë pa premtime konkrete. Isha thjesht 22 vjeç dhe e vetmja gjë që kam thënë në çdo derë që kam trokitur, në çdo fshat e në çdo mbledhje, ishte që do të jem zëri i tyre në foltore, kurrë nuk do të lejoja që të cenohej dinjiteti i dibranëve, do t’i bëja të ndiheshin krenarë që kanë një përfaqësuese që nuk ndihet inferiore në asnjë moment, por ngre zërin kurdoherë që Dibrës i bëhen padrejtësi. Nuk premtova të ndërtoja urë dhe aty ku nuk ka lum, nuk dola jashtë mundësive që mund të ofroja. Në zgjedhjet e 2021-shit dhe kurdoherë, votën do ta kërkoj vetëm në sajë të asaj çfarë realisht më takon të bëj, të jem zëri i shqetësimeve të tyre në sallën e Parlamentit dhe të mundohem të jap kontributin tim në mënyrë të drejtë e të ndershme në punën me projektligjet, duke mos cenuar interesat e qytetarëve të mi e të gjithë shqiptarëve.

-Por para 3 vitesh ju sapo kishit marrë mandatin e deputetes dhe mbajtët një fjalim të fortë në Parlament, duke i dhënë një "shuplakë" kastës 30-vjeçare të politikës që për qytetarët kujtohen vetëm kur vijnë votimet. Çfarë iu shtyu të bënit atë deklaratë asokohe?

Ajo deklaratë ka dalë nga shpirti, nga nevoja për ta parë Dibrën ndryshe. Unë kam qenë shumë e vogël kur derën e shtëpisë e mbanim të hapur për çdo dibran, për të dëgjuar problemet dhe hallet e tyre. Ashtu ishte e gatuar familja ime, për të qenë në krah të njerëzve që kanë nevojë. Dhe unë e bëra pjesë timen në prani të familjes sime afër vendlindjes. Nuk u rrita kurrë me dëshirën për të bërë karrierë në politikë, as me ndikimin partiak që shpesh e gjejmë në familjet shqiptare. U rrita me një frymë te vetme, dashurinë për njerëzit e mi dhe vendin ku jam rritur. Politikën e pashë si instrument për të pasur më shumë mundësi për t’i dhënë një faqe të re historisë së Dibrës të lënë në harresë. Isha shumë e vogël kur iu futa kësaj rruge, por dëshira buronte nga rrënjët e mia, e qëllimi ishte njerëzor. Pra si mund t’i thoja JO partisë në pushtet që do më siguronte që Dibrës do i hapej dera për zhvillim, për frymëmarrje? Si mund t’i thoja JO rrugës që do më dërgonte drejt asaj që më frymëzoi që në krye të herës? E kam thënë dhe në atë kohë dhe vazhdoj ta them, partia ime është Dibra.

 -Më konkretisht asokohe ju i kërkuat publikisht qeverisë "Rama" nga foltorja e Parlamentit që të kthejë sytë nga dibranët, duke i kërkuar më shumë investime për këtë zonë. Dhe si duket thirrja juaj ka rezultuar e suksesshme, pasi vepra më e madhe infrastrukturore që është Rruga e "Arbrit" tashmë ka nisur dhe aty po punohet. Sa e kënaqur jeni me këtë fakt dhe me ritmet e punimeve?

Shumë e lumtur, aq sa nuk e shpjegoj dot ndoshta me fjalët e duhura. Punimet, falë zotit po ecin shumë mirë, me ritme të shpejta dhe jam e bindur që nëse vazhdohet me të njëjtin ritëm verën e 2021-shit të gjithë shqiptarët do ta vizitojnë Dibrën duke kaluar nga Rruga e Arbërit. Emocionohem shumë kur flas për të, kur mendoj që më në fund ëndrra shekullore e dibranëve nuk do jetë më thjesht një ëndërr. Për mua do të thotë shumë, sepse realizimi i asaj rruge më motivon të jem sërish zëri i dibranëve, të qëndroj e fortë e mos lëkundem kundrejt asaj që e dëshiroj me zemër e me mendje.

-Si paraqitet situata në zonën tuaj elektorale dhe kush janë disa nga shqetësimet e banorëve që ju do t'i përcillni publikisht përmes qeverisë "Rama"?

Ajo që kam kuptuar në fakt është që shqetësimet nuk kanë fund, ndryshojnë trajtë, ndryshojnë si pasojë e rrethanave dhe politikave që ndërmerren si nga pushteti vendor dhe ai qendror. Jam e lumtur që në Dibër aktualisht i është dhënë më shumë prioritet punësimit të të rinjve, duke i motivuar të mos e braktisin vendlindjen e tyre. Por mbeten shtyllat kryesore, arsimi, shëndetësia, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, sektori i turizmit me disa boshllëqe, me disa hallka të paplotësuara siç duhet. Ajo që ka nevojë Dibra është vëmendje që këto hallka të funksionojnë si një e tërë. Dibra ka plot vajza e djem të mirëarsimuar, të gatshëm për t’i shërbyer vendit të tyre. Kam bindjen se me Rrugën e Arbërit të përfunduar, do marrin një drejtim më të qartë problematikat e zonave si rrjedhojë e zhvillimit që do marrë e gjithë zona.

-Në 30 korrik Parlamenti votoi ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapin rrugë hapjes së pjesshme së listave për deputetë dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore. Si ju duket ky vendim?

Vendimi në këndvështrimin tim ishte shumë i nevojshëm për shkak se situata politike në vend është disi e paqartë për shkak të vendimeve që partitë morën në një kohë kur duhej bashkëpunim dhe dialog. Me votimin e ndryshimeve kushtetuese, tashmë bëhet e mundur që të gjithë aktorët politikë, në zgjedhjet e ardhshme të garantojnë një nivel të duhur duke siguruar përfaqësim sa më dinjitoz të popullit në sallën e Parlamentit.

- Ju jeni një nga firmëtarët e ndryshimeve kushtetuese. Çfarë ju shtyhu që të mbështesnit këtë nismë të nxitur nga opozita parlamentare dhe që u mbështet edhe nga mazhoranca socialiste?

Unë e fitova mandatin si deputete, në sajë të votës që më dhanë dibranët si Reme Lala dhe jo në sajë të partisë nën siglën e së cilës kandidova. Ky fakt më ka sjellë shpeshherë ndërmend se ç’vlerë ka vota ndaj individit e ç’vlerë ka vota ndaj partisë. Kam qenë partizane e listave të hapura qysh në krye të herës sepse kam menduar se në këtë mënyrë lidhja midis qytetarit dhe votuesit është më e drejtpërdrejtë dhe më frytdhënëse. Ndaj dhe nuk kisha si të mos bëhesha pjesë e kësaj nisme që për mua i jep mundësi Parlamentit të ketë deputetë më të kualifikuar, më me integritet dhe më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve që i votojnë.

-Ta lëmë për një moment reformën zgjedhore dhe le të përqendrohemi tek reforma në drejtësi, e cila ka hyrë në shinat e duhura, pasi shumica e organeve të reja të dala prej saj, si SPAK apo BKH tashmë kanë marrë jetë. A besoni se reforma në drejtësi do të sjellë një drejtësi të pavarur dhe të pakontestuar?

Po e besoj në fakt dhe e them me bindje se kjo reformë është në rrugën e duhur për ti dhënë Shqipërisë atë imazhin e plotë të një shteti demokratik, i cili vlerëson dhe i çon reformat deri në fund, sidomos atë në drejtësi. Jam shpresëplotë se produkti i kësaj reforme të thellë do të këpusë zinxhirin e disa fenomeneve negative që prej vitesh rëndojnë mbi shqiptarët e imazhin e Shqipërisë.

-Shumë qytetarë, por edhe politikanë i kanë sytë nga drejtësia e re, në mënyrë që shumë dosje të bujshme dhe sensitive të hapen. A mendoni se ka ardhur koha që SPAK dhe BKH t’i zbardhë këto dosje?

Për të përforcuar atë çfarë thashë më sipër, është e domosdoshme që si SPAK ashtu dhe BKH të zbatojnë detyrën e ligjin pa dallim. E nevojshme për vendin, po dhe për qytetarët që të fitojnë besimin, se institucionet po punojnë në mënyrë të pavarur dhe në zbatim të drejtë të ligjit.

-Prej 6 muajsh vendi po përballet me një krizë për shkak të pandemisë së Covid-19, ku për fat të keq po shohim se nga dita në ditë po rritet numri i qytetarëve të infektuar nga ky virus. Si ju duket menaxhimi i situatës nga institucionet shtetërore?

Me këtë situatë të vështirë po përballen gjithë vendet e botës, jo vetëm Shqipëria. Mendoj se nuk e përcaktojmë dot për asnjë vend, aq më tepër për Shqipërinë e cila akoma nuk ishte rimëkëmbur nga tërmeti i frikshëm i nëntorit, menaxhimin e situatës si të mirë apo jo shumë të mirë. Unë personalisht mendoj se mënyra sesi zgjodhën institucionet të veprojnë ishte e drejtë dhe masat që u ndërmorën ishin të nevojshme. Me bashkëpunimin e qytetarëve dhe mirëkuptimin e kësaj situate aspak të zakonshme për të gjithë, mendoj se menaxhimi bëhet më i lehtë për çdo palë.

-Ju jeni në profesion ekonomiste, si ju duket mbështetja e qeverisë për sektorët ekonomikë të goditur nga pandemia?

Gjatë gjithë periudhës kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëz që ishin të paqartë për sa i përket ndihmës që merrnin nga pagat e luftës dhe nuk dua të lë pa përmendur faktin se komunikimi me një pjesë të mirë të tyre më ka ndihmuar të kuptoj se situata u menaxhua në kohën e duhur për të mos i lënë njerëzit pa mbështetje. Shqipëria nuk e pati aspak të lehtë dhe sigurisht që ka vend për të ndërhyrë për të përmirësuar situatën, mirëpo u ofrua ndihmë në të gjitha drejtimet. Pavarësisht mbështetjes, ende ka probleme dhe shpresoj se situata do të vijë duke u përmirësuar e duke u rimëkëmbur.

-Keni një mesazh për qytetarët?

Më shumë sesa një mesazh do doja të bëja një thirrje. Thirrje për të lënë mënjanë paragjykimet që na shoqërojnë në çdo moment të jetës. E di që politika ndër vite i ka lodhur qytetarët e ndaj dhe neve të rinjve që akoma nuk i jemi futur rrugës siç duhet, na shoqëron e na komplekson imazhi i të qënurit deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Unë dua të jem krenare për kontributin që jap në politikë e me punën që bëj, ndaj duhet që dhe qytetarët të mos jenë përgjithësues, por të besojnë vërtet se nuk është e largët koha kur do të mbizotërojë meritokracia në këtë vend.

Më të lexuarat