Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rikonstruktohet Shkolla e Baletit, Veliaj: Ka ndryshuar si dita me natën, turp si e gjetëm para dy vitesh

Postuar: 12/08/2017 - 12:23

Me fillimin e vitit të ri shkollor, 230 artistët e rinj, nxënës të Shkollës së Baletit në Tiranë, do mund të studiojnë në një godinë moderne dhe me mjedise të rikonstruktuara. Kjo do t’i japë fund praktikës së mësimit në shkolla të tjera të këtyre nxënësve, të cilët ishin të detyruar të ndiqnin orët e mësimit diku tjetër për shkak të gjendjes së rrënuar ku ndodhej Shkolla e Baletit para se Bashkia e Tiranës të niste nga puna për rikonstruksionin e saj.

Punimet, të cilat janë drejt fundit, u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh i kënaqur me ritmet dhe cilësinë. “Jam vërtet i kënaqur që kolegët e bashkisë punuan shumë fort gjatë gjithë verës, edhe në temperatura të larta, që të dilnim faqebardhë dhe teksa afron shtatori, të kemi një Shkollë Baleti që ndoshta ka cilësi edhe më të mirë se Liceu Artistik. Sigurisht, pas çdo pune, mësojmë se puna e radhës është akoma më e mirë. Kjo është ndoshta një nga të vetmet shkolla në Shqipëri e cila është e gjitha e kondicionuar, me foni të brendshme, me parket Harlequin dhe 6 salla kërcimi”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë e cilësoi të turpshme gjendjen në të cilën ishte lënë Shkolla e Baletit dy vite më parë, pavarësisht se ndër vite ka nxjerrë talente që na kanë nderuar kudo në botë. “Mbaj mend ditën e parë kur nisëm punimet këtu, binte shi dhe i gjithë uji derdhej në parket. Sot është si dita me natën. Ne po bëjmë detyrën tonë dhe pastaj është detyra e mësuesve të talentuar, që talentin e këtyre të rinjve, ta çojnë më lart. Vetëm kur qyteti dhe shkolla bëjnë detyrën e tyre, besoj se realisht mund të jemi krenarë për këta të rinj sepse kemi dhënë edhe ne një kontribut modest. Është shumë kollaj të thuash “o sa mirë me qenë shqiptar”, por t’i lësh shkollat tona në gjendjen që i gjetëm para dy vitesh, është vërtet turp. Unë besoj se mund të themi “o sa mirë me qenë shqiptar” kur secili ka bërë detyrën e tij”, u shpreh ai.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ndërtimit të amfiteatrit dhe sistemimit të mjediseve të jashtme të shkollës, duke krijuar një hapësirë të denjë në shërbim të komunitetit. “Kemi ofruar një shkollë jashtëzakonisht dinjitoze, komuniteti gjithashtu ka përfituar një hapësirë e cila do të jetë për koncerte, për aktivitete, për shfaqje, që mund të përdoret gjithashtu edhe nga komuniteti në kohën e lirë dhe besoj i ka shtuar vlerën gjithë kësaj zone”, theksoi Veliaj.

 

Investimi i ri ka dhënë rezultatet e para, ku si pasojë e përmirësimit të kushteve dhe cilësisë së mësimdhënies, janë rritur edhe kërkesat e prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në këtë shkollë. “Prindërit shikojnë që nuk janë më ato kushtet spartane ku janë trajnuar yjet e baletit shqiptar, por tani edhe kushtet janë në të njëjtin nivel si talenti i atyre që vijnë dhe konkurrojnë për Shkollën e Baletit. Ndaj, mezi pres që të kemi dy gëzime: hapjen e vitit të ri shkollor, por edhe 60-vjetorin e Shkollës së Baletit. Detyra jonë në bashki është që të bëjmë çmos që talentet të kenë shansin të shkëlqejnë”, shtoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tregtarëve të cilët janë vendosur pranë oborrit të shkollës, që të zhvendosen në tregjet e licencuara nga Bashkia e Tiranës. “Perimetri i kësaj shkolle fatkeqësisht është kthyer në një hapësirë tregtimi rrobash të përdorura. 

Kjo nuk është dinjitoze, ndaj Policia Bashkiake do të bëjë detyrën e vet, por unë shpresoj shumë që do të kemi mirëkuptim që ata që shesin dhe tregtojnë në ambientet e Shkollës së Baletit, të kuptojnë që kjo është një shkollë, një institucion arsimor, dhe jo treg rrobash. Nëse duan treg, ai është vetëm 50 metra më larg, ndaj nuk e mirëkuptoj histerinë e atyre që sulmojnë Policinë Bashkiake. Vetëm duke respektuar secili hapësirën e vet mund të kemi edhe shkollë cilësore, edhe treg cilësor, edhe lagje cilësore. Kjo është ëndrra për Tiranën moderne”, theksoi kryebashkiaku.

Në Shkollën e Baletit është bërë rikonstruksioni i fasadës, hidroizolimi i tarracës, rikonstruksioni total i nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik dhe i dhomave të zhveshjeve. Gjithashtu, është shtruar parketi i ri i përshtatshëm për sallat e kërcimit si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/08/2017 - 18:15

Të shtunën më datë 26 gusht do të mbahet një takim joformal mes kryeministrave të Ballkanit perëndimor.

Postuar: 22/08/2017 - 17:58

Partia ZGJIDHJA, e drejtuar nga Koço Kokëdhima në një postim në “Facebook” deklaroi se thirrja e autoriteteve holandeze për ndërprerjen e lëvizjes së lirë për shteta

Postuar: 22/08/2017 - 15:36

Burime nga selia e Kryeministrisë tregojnë se është përfunduar struktura e qeverisë së re, e cila mesa duket do të ketë disa bashkime të ministrive aktuale.

Postuar: 22/08/2017 - 14:07

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli, zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Dedë Prenga si dhe përfaqësues të lartë

Postuar: 22/08/2017 - 13:55

Në një takim zhvilluar me drejtorët vendorë të Policisë, shefat e Komisariateve dhe të stacioneve policore, si dhe me drejtorët rajonalë të kufirit dhe migracionit, drejtori i p

Postuar: 22/08/2017 - 13:39

Partia Socialiste do të mbledhë të dielën, më 27 gusht, Asamblenë Kombëtare, organi i dytë më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve.