BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve në vend, Ministria tregon sa persona kanë dalë pozitiv me Covid-19 në 24 orët e fundit (BILANCI)

Ulet numri i të infektuarve në vend, Ministria tregon sa persona
x

Politike

Rikthehet ankthi në radhët e ministrave, Asambleja mblidhet javën e parë të tetorit, Rama gati të ndryshojë skemën e spastrimeve në qeveri

Rikthehet ankthi në radhët e ministrave, Asambleja mblidhet javën

Partia Socialiste ka shtyrë për në javën e parë të tetorit mbajtjen e Asamblesë Kombëtare. Edhe pse u përfol që mbledhja e Asamblesë do të thirrej në fund të korrikut, më pas u tha se ajo të mblidhej në gusht ose në shtator, diçka e tillë pritet të ndodhë në fillim të muajit tjetër. Gazeta ka mësuar se për shkak të pandemisë së Covid-19, rritjes së numrit të të infektuarve dhe në kuadër të masave anti-Covid, PS ka menduar që në javën e parë të tetorit të mbledhë asamblenë e Partisë Socialiste. Kjo e fundit nuk ishte mbledhur deri tani për shkak se kryeministri Edi Rama kërkonte që Asambleja të mblidhej fizikisht dhe jo online për shkak të pandemisë së Covid-19. Por një gjë e tillë duket se nuk është bërë e mundur.

Asambleja mblidhet javën e parë të tetorit

Ndërkohë që gazeta ka mësuar se Asambleja Kombëtare e PS do të mblidhet në javën e parë të tetorit, ndërsa do të organizohet në 3 rajone, një në Shkodër, Fier dhe Tiranë për të bërë të mundur respektimin e masave anti-covid , të cilat do të lidhen me njëra-tjetrën on line, ku do të njoftohen dhe vendimet. Mirëpo në kushtet kur ka zëra se në mbledhjen e Asamblesë do të njoftoheshin dhe ndryshime në qeveri, këto takime kanë rikthyer edhe ankthin në radhët e ministrave të qeverisë “Rama”. Disa prej ministrave aktualë janë lakuar shpesh që pritet të bëhen “kurban” nga kryeministri Edi Rama, për shkak se edhe vetë i pari i qeverisë ua ka thënë edhe publikisht atyre se do të shkojnë në stol nëse nuk janë aktivë. Kështu që, afrimi i kësaj mbledhje ka rritur edhe ankthin tek anëtarët e kabinetit qeveritar.

Rama gati të ndryshojë skemën e ndryshimeve në qeveri

Por nga ana tjetër burime nga selia rozë i pohuan gazetës se për shkak se mbledhja e Asamblesë Kombëtarë të Partisë Socialiste pritet të bëhet online dhe në tre rajone dhe tradita e ka lipsur që të gjitha ndryshimet në qeveri të ndodhin apo bëheshin publike në këtë takim, zoti Rama ka edhe një plan B. Për momentin ujërat duken disi të qetësuar me largimin e Besa Shahinit nga Ministria e Arsimit dhe emërimin në vend të saj të Evis Kushit. Mirëpo kryeministri Rama pritet që ta ndryshojë skemën e ndryshimeve në qeveri, duke i bërë ndryshimet tek e tek dhe jo breshëri. Pra, për t’i frikësuar dhe iu dërguar mesazh në distancë ministrave se nuk janë të pazëvendësueshëm, mësohet se ai mund t’i bëjë ndryshimet një e nga një, jo vetëm në mbledhje Asambleje, por ato mund të ndodhin edhe në ditë të zakonshme siç ishte rasti i zëvendësimit të Shahinit nga Kushi. Kjo do të thotë se Rama, jo vetëm që është gati të ndryshojë skemën e ndryshimeve në qeveri, por po i mban edhe në ankth ministrat, duke iu treguar se kush nuk punon, do të largohet. Megjithatë, mbetet për t’u parë se kush do të jenë ministrat që do të bëhen “kurban” nga Rama, kur na ndajnë më pak se 7 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku socialistët kërkojnë mandatin e tretë qeverisës. Kujtojmë që gjatë punimeve të Asamblesë, socialistët do të zgjedhin Kryesinë e re, sekretariatin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, ndërsa mësohet se në këtë takim do të ketë edhe një raportim nga ana e deputetëve, kryetarëve të degëve dhe kryebashkiakëve se si ka shkuar riorganizimi i partisë, por edhe takimet me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Më të lexuarat