BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Politike

Rindërtimi, miratohen ndryshimet për subvencionimin e qirasë, MFE: Mbi 13 mijë familje përfituan në 2020

Rindërtimi, miratohen ndryshimet për subvencionimin e qirasë,

Komisioni i Ekonomisë miratoi ditën e djeshme aktin normativ për zgjatjen e afatit të subvencionimit të qirasë deri në momentin e strehimit të familjeve të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019. Akti i mëparshëm parashikonte subvencionim e qirasë vetëm 1 vit pas dëmtimit të shtëpisë nga tërmeti, ndërsa me miratimet e aktit të ndryshuar ky bonus do t’u jepet familjeve deri në momentin që të përfundojë rindërtimi. Teksa sqaroi se tjetër ndryshim kryesor i këtij akti normativ është edhe lehtësimi në procedura që i mbante të angazhuar për një vit aplikantët për dokumentacione, drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, tregoi se për këtë vit shuma e vënë në dispozicion kap vlerat e 1.5 miliardë lekëve. “1,5 miliardë lekë janë parashikuar nga buxheti i shtetit në 2021 për subvencionim e qirasë për familjet të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019. Ky akt normativ është propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si ministri përgjegjëse për strehimin dhe është marrë miratimi nga Ministria e Rindërtimit. Akti synon të përshpejtojë procedurat e subvencionit të qirasë. Akti i mëparshëm përcaktonte një afat fiks prej 1 viti për kryerjen e procedurave. Ne propozuam ta shtynim këtë afat për trajtim të familjeve që janë të pastrehë deri në momentin e strehimit të tyre”, shpjegoi drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit. E pranishme në komision, drejtoresha e Përgjithshme e Strehimit, Doris Andoni, bëri me dije se në 2020 kanë përfituar më shumë se 13 mijë familje, ndërsa për këtë vit 300 familje në Durrës nuk përfitojnë pasi janë akomoduar në shtëpitë e reja. Sipas saj për 2021 janë alokuar si fond për bonuset e qirasë 1.5 miliardë lekë. “Në 2020 në total përfituan subvencionimin e qirasë 13,914 familje. Shifra është dinamike dhe ne presim që të ndërtohen banesat e këtyre familjeve. Nga Durrësi 300 familje janë larguar nga skema, pasi janë strehuar Në këtë qytet janë trajtuar me qira rreth 4 mijë familje të prekura nga tërmeti”, theksoi ajo. Ndërsa, kryetari i Komisionit tha se ndryshimet e bëra janë të domosdoshme sepse izolimi i shkaktuar nga pandemia krijoi vonesa në nisjen e procesit të rindërtimit. “Rindërtimi tashmë ka filluar në plan të gjerë. Në buxhetin e këtij viti qeveria ka parashikuar fondet e nevojshme për përfundimin e procesit. Asnjë qytetar i dëmtuar nga tërmeti nuk do të mbetet pa u rimbursuar shuma e qirasë që paguajnë deri në momentin e ndërtimit të shtëpive”, u shpreh ai.

Më të lexuarat