BREAKING NEWS

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar se të prekur me koronavirus, ja 3 qytetet me numrin më të madh të infektimeve

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar
x

Politike

Romeo Kara trondit Metën e Berishën: Kongresi Amerikan ka marrë në dorë dosjet e aferës së CEZ, janë të tronditur nga heshtja e drejtësisë përballë korrupsionit

Romeo Kara trondit Metën e Berishën: Kongresi Amerikan ka marrë

Dosja e aferave me CEZ është në duart e amerikanëve. Juristi Romeo Kara, ishte ai i cili denoncoi me fakte skandalin e privatizimit të ish-OSSH nga CEZ ku ishte përfshirë qeveria “Berisha”, si dhe skandalin e mëpasshëm CEZ-DIA, ku kompania e DIA e drejtua nga Kastriot Ismaili u kontraktua për të mbledhur borxhet e CEZ dhe në fakt rezultoi një skemë korrupsioni. Kara për këto dy dosje ka paditur presidentin aktual dhe ish-kryeministrin Berisha. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai ka treguar se dosjet në fjalë kanë shkuar në Uashington dhe janë marrë nga disa kongresmenë. Po ashtu ai ka folur dhe për aktualitetin politik.

 

-Jemi rreth 2 muaj para zgjedhjeve dhe duket se ka plot zhvillime në politikën shqiptare. Rasti më i fundit është krijimi i koalicionit opozitar. Si e shihni koalicionin Aleanca për Ndryshim? Kemi ballistë, legalistë, çamë, grekë, etj?

Koalicioni fare mirë mund të vetëquhej Aleanca për Rikthim, Aleanca për Riciklim, Aleanca për Pushtet apo Aleanca për Mosndryshim. Të gjithë eksponentët e kësaj aleance janë veteranë mëkatarë të kësaj politike 30-vjeçare dhe për më tepër ish-pushtetarë të lartë, të provuar e sprovuar në pushtet dhe të larguar me votë prej tij. Krijimi i kësaj aleance, e cila paradoksalisht ka bashkuar ballistin me komunistin, legalistin me republikanin, çamin me grekun, të përzënin me atë që e ka përzënë etj., provon katërcipërisht se çdo kartë politike e tyre ka qenë thjesht një demagogji, ndërsa synimi për pushtet qëndron mbi çdo dallim, mospëlqim apo diferencë që ata pretendojnë se kanë pasur mes tyre. Turpshëm ata u zhvlerësuan moralisht dhe u distancuan nga vetë programi, ideali dhe pozicioni i tyre tradicional në politikë. Dëshira për pushtet, fitoi mbi dallimet e tyre, i sheshoi ato dhe i bëri bashkë në mënyrën më qesharake të mundshme.

Kur shoh këtë lloj aleance, natyrshëm vizualisht rikujtoj gjithë të kaluarën kur këta predikues për ndryshim ishin pushtetarë arrogantë ashtu si edhe Rama sot, të pangopur në përvetësimin e parave publike dhe zullumqarë të pandreqshëm. Këta duhet t’i përkisnin historisë, por ndërkohë këta po kërkojnë paradoksalisht të rishkruajnë historinë e Qeverisë Berisha 4. Në kohë të ndryshme, këta janë pikërisht stafi i qeverive Berisha qëkur ai ishte president e më pas kur u rikthye si kryeministër. Kjo aleancë vjen realisht era piramida, ‘97, Gërdec, CEZ, DIA, Shqipëria 1 euro, Albpetrol, Armo, Rruga Durrës-Kukës-Morinë, naftë Virgin dhe qindra e mijëra krime të tjera pushteti. Pikërisht kjo aleancë, paturpësisht sot kërkon të rikthehet në pushtet edhe pse përfaqëson vetëm ish-pushtetin më skandaloz të këtyre 30-viteve. Ata po synojnë jo vetëm pushtetin, por çimentimin e këtij sistemi politik kriminal, i cili realisht forcohet shumë nëse ne do të lejojmë riciklimin e tyre. Kjo gjë është edhe më e dëmshme se ardhja e tyre në pushtet. Kështu shpjegohet edhe servirja e disa rraqeve të vjetra si aleance për ndryshim, ndërkohë që si qëllim kryesor ka pikërisht mosndryshimin e sistemit. Nuk ka më ironi se sa voton për të ardhmen dhe të shfaqet pikërisht e shkuara. Vota për këtë lloj aleance është realisht votë për të shkuarën. Ky do të jetë ndryshimi real, nga sot do rikthehemi aty ku ishim. Dy mandate në opozitë nuk vlejnë për ta ndryshuar opozitën, prandaj uroj të marrë me votë mësimin e radhës.

-Si e shihni ndarjen PD-LSI? A ishte një strategji e Bashës për t’u distancuar nga partia e presidentit?

Basha nuk duhet marrë seriozisht si arkitekt dhe llogaritar. Për të dhënë një përgjigje më të saktë do të duhet të llogarisim edhe Berishën, Metën dhe Kryemadhin. Nuk besoj se PD ka luksin të ndahet nga LSI, ndërkohë që e di mirë se në 2005 erdhi në pushtet pikërisht prej krijimit të saj, dhe në 2009 e mori mandatin e dytë përsëri prej saj. Më tepër duket si strategji elektorale për maksimizim votash. Për momentin janë bashkë.

-Një zhvillim i bujshëm ishte ai i futjes së Ardian Dvoranit mes 12 personaliteteve që kanë kontribuuar në luftën ndaj korrupsionit. A ishte ky një mesazh për presidentin Meta? Pasi ky i fundit e sulmoi disa herë, madje e paditi dhe në prokurori. Po ashtu dhe Berisha e ka akuzuar disa herë.

Pikërisht ashtu duket. Më shumë se sa një dekorim i Dvoranit, duket si një mesazh ndaj Metës dhe këtë e tregoi edhe sëkëlldisja e plotë që kapi Presidencën menjëherë pas këtij dekorimi. Ky është realiteti: Dvorani dekorohet, Meta diskreditohet. Këtë radhë medalja realisht pati dy anë.

-Nëse rendisim disa fakte, kemi ish-deputetin e LSI, Gledion Rehovica që tha se ambasadorët po takojnë njerëz të LSI dhe iu kërkojnë të braktisin Kryemadhin. Kemi dekorimin e Dvoranit. SHBA mbështeti heqjen e koalicioneve, etj. A po tentojnë ndërkombëtarët “eliminimin” politik të Ilir Metës dhe partisë së gruas së tij?

Padyshim që ndërkombëtarët po e vlerësojnë riskun e vazhdimit të mëtejshëm të kësaj politike korrupsioni edhe në planin gjeopolitik rajonal. Ata nuk mund të lejojnë që sistemi të kompromentohet më tej dhe Shqipëria të bjerë nën influenca të padëshiruara. Unë nuk e di sa të vërteta janë këto që thotë Rehovica, por që aleatët tanë duan një rikthim të besimit tek sistemi dhe një pastrim të tij, këtë e di. Pika më e dobët e sistemit të korruptuar politik shqiptar, natyrisht që është Meta, prandaj si duket prej aty po fillon çmontimi i gangsterizmit politik. Përkrahësit dhe militantët zakonisht përdoren për shantazh, prandaj duhet parë si shenjë e mirë zvogëlimi i forcës shantazhuese të Metës edhe pse ai do kërkojë të përdorë turmat e Berishës, si vjet në 2 mars.

-Mendoni se ndërkombëtarët e kanë kuptuar se kush janë kokat e korrupsionit në Shqipëri?

Nuk ka dyshim se ndërkombëtarët e kanë kuptuar këtë gjë. Ata nuk janë as naivë dhe as të pakujdesshëm. Ata e njohin mirë se si funksionon sistemi dhe njëkohësisht janë të mirinformuar nga agjencitë ligjzbatuese. Nuk shoh asnjë mundësi dhe arsye që ata të mos jenë në dijeni të situatës këtu. Edhe vetë këmbëngulja e tyre për reformën në drejtësi, flet për njohjen e plotë që ata kanë lidhur me realitetin shqiptar.

-Në dijeninë time ju keni dorëzuar në ambasadën e SHBA dosjet për aferat e CEZ. Keni pasur ndonjë reagim prej tyre?

Unë kam dorëzuar dosje pranë Ambasadës së USA dhe pranë asaj të Delegacionit Europian.

Ata kanë shumë fakte, por një dosje të plotë nga A tek Zh lidhur me korrupsionin, Delegacioni Europian nuk kishte. Ato dy dosje unë ua kam nisur edhe disa kongresmenëve të USA.

Në heshtje dhe publikisht, unë kam pasur një mbështetje prej tyre. Kongresmenët amerikanë, por edhe ish-ambasadori i USA këtu, më kanë shprehur habinë për sjelljen e papranueshme të gjykatave si dhe të strukturave shtetërore ndaj meje. Kjo flet për rrezikshmërinë që krijoi precedenti im për të gjithë llojin e korrupsionit, të djeshëm e të sotëm. Ambasada e USA në dijeninë time është e informuar zyrtarisht se cilët persona janë aksionarë të kompanisë DH Albania, prapa të cilës fshihet si mi grusht bashkuar, korrupsioni i sotëm dhe i djeshëm. Duket e pabesueshme, por një ish-zyrtar i lartë i qeverisë Berisha rezulton aksioner në këtë fëlliqësi off-shore, e cila tentoi të përvetësojë paratë e shqiptarëve duke ua ofruar 20 mil euro km e rrugës.

Pikërisht këtë zyrtar unë e kam kallëzuar penalisht edhe për aferën e privatizimit të CEZ-it.

Ka vepruar jo i vetëm duke u fshehur pas një kompanie off-shore dhe pas falsifikimeve të shumta, por mjaftoi një deklaratë me shkrim e dhomës së noterëve të Shtetit të Delaware të USA-s, që të zbulohej emri i këtij personi. Jo rastësisht PD nuk e ka goditur si aferë korrupsioni çështjen e Unazës së Re. Jo vetëm kaq, por ky person rezulton edhe në listë si kandidat për deputet i PD-së. Është e turpshme që ne nuk e kemi ndaluar me ligj, pjesëmarrjen e kompanive off-shore në realizimin e kontratave publike. Korrupsion dhe pastrim parash njëkohësisht realizojnë këto lloj kompanish.

-Në Kosovë u përmbys klika e vjetër politike dhe sot një pjesë e tyre janë në burg. Mendoni se te ne do të ndodhë e njëjta gjë nëse nisin arrestimet e politikanëve?

Kosova realisht arriti një sukses duke dalë nga qerthulli i rotacionit dhe riciklimit politik.

Elektorati kosovar dëshironte një ndryshim dhe me pjekuri ia arriti atij. Po ata njerëz që deri dje votuan për PDK apo LDK, po ata votuan sot për VV. Pra, elektorati kosovar është modern krahasuar me ne, logjikon, vlerëson dhe ndryshon kur ia kërkon interesi i tij. Tek ne vazhdon akoma ngujimi i përjetshëm në një parti apo pas një lideri, duke e bërë të pamundur apo të vështirë ndryshimin dhe kapjen e ritmit. Ne heshtim për korrupsionin brenda partisë sonë, ndërkohë që na sikletos vetëm korrupsioni i kundërshtarit politik. Thënë troç, militantët që zvarriten pas partive, nuk duan gjë tjetër përveçse shansit për të punuar diku ku mund të bëjnë korrupsion. Në Kosovë, brenda dy muajsh Albin Kurti goditi realisht korrupsionin nëpër bordet drejtuese, gjë që u vlerësua nga shumica e qytetarëve. Albin Kurti nuk është një politikan tipik i listave tona, rrugaç, trafikant i kthyer në tregtar, me pasuri e prona të shumta dhe i pashkollë njëkohësisht, por që i pret shpata në shtet, drejtësi e kudo nga të dy krahët. Ai është një besnik i idealit të tij, i vërtetë, këmbëngulës dhe i denjë për t’u përballur me korrupsionin. Pikërisht njerëzit në Kosovë vlerësuan objektivisht çdo alternativë dhe votuan sipas logjikës dhe sipas interesit të vendit. Ata shfrytëzuan edhe mundësinë që ua jep Kodi i tyre Zgjedhor, shumë më i mirë se i yni. Ne kemi një Kod Zgjedhor që nuk e lejon ndryshimin e shumëpritur dhe që t’i shërbejë pengmarrjes së vendit. Me këtë Kod Zgjedhor nuk do të shkohet shumë larg dhe unë parashikoj zgjedhje të parakohshme pas zgjedhjeve të 25 prillit. Duhet të ndryshojmë qasjen ndaj politikës në tërësi, të ndryshojmë vetveten dhe pastaj Shqipërinë.

-Si e shini të ardhmen e Sali Berishës dhe presidentit? Ju jeni i vetmi që keni guxuar t’i padisni në prokurori.

Prapa Aleancës për Ndryshim, unë shoh fytyrën e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ata patjetër që do të mundohen të ruajnë këtë sistem, këtë Shqipëri, këtë parajsë krimi, pavarësisht se shprehen demagogjikisht për ndryshim. Ata vetëm ndryshimin nuk e duan. Megjithatë do ta kenë shumë të vështirë të mbahen me thonj pas fatit të tyre. Koha ka sfiduar njerëz shumë më të fuqishëm se ata. Ata do të duan të ruajnë atë çfarë kanë arritur, por kjo është e pamundur, sidomos kaq afër Europës. Askush nuk do të lejojë për më gjatë një pengmarrje të tillë kriminale të këtij vendi.

Ata e kanë mbyllur ciklin e tyre dhe tashmë pritet largimi, dënimi dhe shpronësimi i tyre që vendi të dali nga ky cikël mizerje. Ata nuk kanë asgjë për të ofruar për të ardhmen e këtij vendi. Çdo gjë për të cilën ka nevojë ky vend, luftë kundër korrupsionit, krimit, trafiqeve, rishpërndarje të të ardhurave dhe pasurive, instalimin e sigurisë juridike, reformë në drejtësi etj, bie në kundërshtim me interesat e këtyre dy oligarkëve të politikës. Shqipëria pret të çlirohet pikërisht prej tyre.

-Zoti Kara, ju ditët e fundit jeni infektuar nga Covid-19. Si ishte përballja me virusin dhe si arritët ta mposhtnit?

Kam qenë i përgatitur që një ditë do të përballesha me këtë virus edhe pse mendoj që mund ta kem kaluar një përballje me të që në 2019. Nuk i kam lënë vend aspak panikut, por u jam drejtuar mjekëve, sidomos atyre që kam të njohur mes tyre. Ka qenë doktori kirurg Arben Ruca, që punon në disa spitale në Milano, ai i cili më ka kushtuar realisht shumë kohë e vëmendje, duke më orientuar për të gjitha analizat dhe mjekimet e duhura, pas konsultimeve që edhe ai ka bërë me shefin e pavijonit përkatës atje. Unë hyja tek grupimi i riskut, por konsultat e përditshme online, bënë punën e tyre dhe them se e kam kaluar rrezikun më të madh me pasojat më minimale. Shpresoj të arrij një rikuperim sa më të shpejtë.

Intervistoi: Kliti TOPALLI

 

Më të lexuarat