Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

SHBA mesazh Metës: Gjykata e re Kushtetuese do jetë e paanshme, nuk e bllokojnë dot as Presidenti e as Kuvendi, iku koha e pazareve

Postuar: 14/08/2019 - 07:56

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë dje një mesazh shumë të qartë për politikën dhe akuzat e saj për Gjykatën Kushtetuese. Teksa prej disa muajsh vendit i mungon kjo gjykatë, ambasada amerikane, përmes një videoje në rrjetet sociale, shpjegoi të gjithë hapat që duhet të ndiqen për ringritjen e saj. Në video ambasada u kujdes të theksonte se Gjykata e re Kushtetuese do të jetë e paanshme. Sipas SHBA, në të shkuarën Presidenti dhe Kuvendi bënin kompromise politike për një gjyqtar të Kushtetueses. “Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë në Shqipëri e cila vendos se çfarë do të thotë Kushtetuta. Ajo vendos nëse një ligj përputhet me Kushtetutën apo nëse e shkel atë. Ajo mund të vendosë edhe kundër Presidentit, Kryeministrit si dhe agjencive qeveritare. Po ashtu garanton që autoritetet të respektojnë të drejtat kushtetuese. Por cili ishte problemi me këtë gjykatë në sistemin e vjetër? Në të kaluarën Parlamenti dhe Presidenti duhet të binin dakord, për një kandidat që ky të bëhej gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Por shpesh nuk binin dot dakord dhe shkaktonte një pritje të gjatë ndërsa kur binin dakord gjyqtari ishte si pasojë e një kompromisi mes politikanëve, por nuk ishin të përqendruar tek kualifikimi i personit”, thuhet në postimin e ambasadës.

Iku koha e pazareve

Për Amerikën, koha e pazareve për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka ikur. Në videon e shpërndarë dje, SHBA sqaron se tani nuk ka më asnjë shans për kompromise politike mes Presidentit dhe Kuvendit sepse çdo gjë bëhet me standarde nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. “Gjykata Kushtetuese ka 9 vende. Pasi gjyqtarët iu nënshtruan vlerësimit, vetëm 1 prej tyre kaloi. Kjo do të thotë se janë 8 vende për t’u plotësuar. Pas reformës në drejtësi, Kushtetuta përcakton standardet për të qenë gjyqtar i kësaj gjykate. Këto standarde vihen në zbatim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i cili është grup gjyqtarësh dhe prokurorësh me provojë të cilët kontrollojnë kualifikimet e kandidatit. Ky Këshill rendit tri kandidatë kryesorë për çdo vend në gjykatë bazuar në kualifikimet e tyre. Me sistemin e ri nuk duhet ujdi nga Presidenti dhe Kuvendi për të emëruar një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Tani kjo kalon me rotacion mes Kuvendit, Presidentit dhe Gjykatës së Lartë. Por këta mund të zgjedhin vetëm nga lista me tre gjyqtarëve të kualifikuar për këtë post. Kjo do të thotë se nuk do të ketë ngecje, por edhe që politikanët nuk mund të emërojnë më thjesht kë të duan ata”, vijon më tej postimi i ambasadës.

Shanset për bllokim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan dje se askush nuk e bllokon dot më emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Nëse më parë do të duhej të gjendej kompromisi mes Presidentit dhe Kuvendit, tani ata thjesht zgjedhin mes emrave që ju dërgon Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. E nëse as kjo nuk arrihet, sipas ambasadës, atëherë automatikisht zgjidhet i pari i listës. “Nëse Presidenti, Parlamenti apo Gjykata e Lartë nuk arrijnë të zgjedhin dikë, atëherë zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lart nga lista e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky sistem i ri siguron që gjyqtarët e zgjedhur të jenë të kualifikuar, ndihmon për të parandaluar boshllëqet për kohë të gjatë si dhe nuk lejon një person që të ketë më tepër pushtet në procesin e përzgjedhjes. Së shpejti KED do t’i dërgojë listën Presidentit që ka radhën i pari të zgjedhë një gjyqtar të ri me këtë sistem. Dhe kështu mund të fillojë të ndërtojë Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane. Ky mesazh i Amerikës vjen në një kohë kur Ilir Meta vazhdimisht e kritikon mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Madje për të, kjo mungesë tregon dështimin e reformës në drejtësi. Por SHBA tregoi se puna për ringritjen e saj po vijon dhe do të jetë gati shumë shpejt.

Mimoza Ibra

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/08/2019 - 09:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu dërguan dje një mesazh shumë të qartë të gjithë pushtetarëve të korruptuar shqiptarë, se nuk do të shpëtojnë dot nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion.

Postuar: 21/08/2019 - 09:10

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë përditë mesazhe ndaj të korruptuarve.

Postuar: 21/08/2019 - 07:56

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Schutz do të zëvendësohet nga gjermani Peter Zingraf.

Postuar: 21/08/2019 - 07:50

Me ngritjen e SPAK, hapi i radhës që do të vijojë është Byroja Kombëtare e Hetimit.

Postuar: 20/08/2019 - 23:58

Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me procesverbalin e publikuar nga ish-kryeministri Sali Be

Postuar: 20/08/2019 - 23:46

Ministrja Elisa Spiropali shprehet se rritja e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë është

Postuar: 20/08/2019 - 23:33

Pronari i një lokali në Sarandë, Spiro Iljadhi replikon me ish-kryeministrin Sali Berisha pas den