BREAKING NEWS

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri në 24 orët e fundit

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri
x

Politike

S'ka pushim për komisionerët e vetingut, mbyllen dosjet për prokurorët që hetuan Gërdecin, CEZ dhe ish-ministrat e PD, vjeshta sjell spastrime masive

S'ka pushim për komisionerët e vetingut, mbyllen dosjet për

Komisionerët e vetingut dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë thelluar përpjekjet për të çuar përpara rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Edhe pse janë pezulluar seancat dëgjimore, gazeta ka mësuar se shumica e komisionerëve bashkë me përfaqësuesit e ONM janë në krye të detyrës. Mësohet se ata janë duke mbyllur dosjet e listës së dytë prioritare. Gazeta pak ditë më parë deklaroi se janë 36 emra që do kalojnë në skaner në shtator, por mësohet se tashmë është mbyllur procesi i verifikimit për 36 emra të tjerë, ku janë disa anëtarë të KED, anëtarë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe përfaqësues të gjykatave prokurorive të apelit. Një burim pranë KPK i tha gazetës se për këta emra ka nisur procesi i verifikimit që prej muajit janar 2018 dhe tashmë janë kopsitur dosjet për secilin prej tyre. Sapo të nisë shtatori të gjithë do të dalin në seanca dëgjimore dhe do të japin llogari për të gjitha parregullsitë. Mësohet se ata që po ushtrojnë më shumë presion janë ndërkombëtarët. ONM ka kërkuar që puna të vijojë me ritme të shpejta, ndërkohë që ILDKP, DSIK, KLD, Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Pastrimit të Parave, Tatimet, Doganat, etj, kanë dorëzuar të dhënat për secilin emër. Gazeta po publikon më poshtë listën e plotë të emrave për të cilët është mbyllur verifikimi dhe ajo që bie në sy është se ka emra shumë të njohur. Në shtator do japin llogari përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme. Momentalisht ky institucion nuk ka më rol hetues, por kur në krye të tij ishte Adriatik Llalla kishte për detyrë të hetonte korrupsionin në nivele të larta. Të gjithë prokurorët janë angazhuar në hetimin e disa ish-ministrave. Në Prokurorinë e Përgjithshme ka dosje Lulzim Basha, për aferën me rrugën Durrës-Kukës dhe abuzimin me lejet e ndërtimit. Po ashtu pas tij janë Sali Berisha për aferën e CEZ, Arben Imami për abuzime si ministër i Mbrojtjes, Ridvan Bode, Genc Ruli, e shumë emra të tjerë. Për të gjithë këta u pushuan hetimet nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme. Mes emrave të mëposhtëm ka dhe nga ata që kanë hetuar aferën e CEZ, 21 janarin dhe dosje të tjera. Por asnjë prej tyre nuk u ndëshkua dhe prokuroria dështoi. Tani të gjithë do kalojnë në skaner për të parë sesa korrekt kanë qenë me detyrën.

Organet e reja

Fakti që komisionerët e vetingut janë duke punuar, tregon se vjeshta do të sjellë spastrime akoma më të shumta në sistemin e drejtësisë. Pritet që në shtator të vijohet po me 4-5 seanca në ditë dhe deri në fund të vitit 72 emrat e dy listave të dyta prioritare të kenë kaluar në skaner. Por gazeta ka mësuar se ONM po ushtron presion që të ecet sa më shpejt me vetingun me qëllim që të ngrihen organet e reja të drejtësisë. Ndërkombëtarët kërkojnë që KLGJ, KLP dhe SPAK të jenë funksionale para se Bashkimi Europian të japë vendimin për integrimin e Shqipërisë. Në qershor Brukseli vendos për negociata dhe dy kushtet bazë ishin: Lufta e korrupsionit në nivele të larta dhe ngritja e SPAK. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë negociata vihen në rrezik. Për këtë arsye SHBA e BE janë duke punuar që të mbyllet sa më shpejt vetingu. Momentalisht KLGJ e KLP nuk kanë anëtarë nga apelet dhe ajo që bie në sy është se në emrat që KPK ka mbyllur dosjet, një pjesë e madhe u përkasin gjykatave prokurorive të Apeleve. Nëse vijohet të ketë vakanca, ata që kalojnë vetingun mund të kandidojë për këto organe dhe merr fund ngërçi i krijuar. Çdo ditë e më tepër po jepen sinjale se të korruptuarit nuk do kenë shpëtim./Kliti TOPALLI