Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Studentët aksion të ri kundër qeverisë, marshim masiv para Kryeministrisë, rritet presioni për përmbysjen e ligjit

 Studentët aksion të ri kundër qeverisë, marshim masiv para Kryeministrisë, rritet presioni për përmbysjen e ligjit

Postuar: 08/11/2015 - 07:57

Pas sulmit me vezë ndaj kryeministrit Edi Rama, studentët kanë paralajmëruar nisjen e një aksioni masiv kundër qeverisë. Ditën e mërkurë në orën 11:00, me qindra studentë, pedagogë, por dhe qytetarë të thjeshtë do të zhvillojnë një marshim masiv nga sheshi “Nënë Tereza” drejt Kryeministrisë. Një reagim ky kundër masave të qeverisë, por dhe sjelljeve të policisë dhe deklaratave e ironive për sulmin me vezë. Ashtu siç ishte paralajmëruar nga përfaqësues të Lëvizjes për Universitetin se pavarësisht miratimit të ligjit për arsimin e lartë, ata nuk do të ndalen. Duket se po rinisin reagimet dhe aksionet e para. Kjo e mërkurë shënon dhe fillimin e rezistencës masive të studentëve dhe të botës akademike për të ndaluar zbatimin e ligjit, duke shtuar presionin ndaj qeverisë për t’u tërhequr nga reforma në arsimin e lartë. “Prej disa ditësh, studentët dhe shoqëria shqiptare kanë qenë dëshmitarë të një dhune të paprecedentë kryeministrore ndaj studentëve protestues në mjediset shkollore. Kjo dhunë, e shoqëruar me rrëmbim dhe terror psikologjik policor, vazhdon të zgjerohet përmes gënjeshtrave publike të kryeministrit dhe vendimeve dhunuese të tij për rritjen rrjepëse të tarifave”, thuhet në një deklaratë të Lëvizjes për Universitetin. 

Arsyet e protestës
 
Përfaqësuesit e Lëvizjes për Universitetin kanë renditur të gjitha arsyet e marshimit në protestë. Studentë kanë deklaruar se do protestojnë: “Kundër dhunimit policor e kryeministror të studentëve në mjediset universitare; kundër dhunimit dhe metodave shantazhuese ndaj studentëve në komisariate; kundër dhunimit psikologjik, mohimit të së drejtës për mjek dhe avokat; kundër rritjes dhunuese të tarifave për studentët në bachelor dhe master; kundër reformës së dhunshme në arsim dhe kundër reformave dhunuese qeveritare në shoqëri”. Duke qenë se pas shoqërimit të tetë studentëve për sulmin me vezë pati reagime të shumta nga shoqatat dhe organizma të ndryshme, pritet që të kenë një sensibilizim të lartë shoqëror në këtë protestë, pasi përveç studentëve, përfaqësues të Lëvizjes për Universitetin presin që të bëhen pjesë dhe qytetarë të thjeshtë apo pjesëtarë të shoqërisë civile. “Ftojmë të gjithë studentët, pedagogët, familjarët, qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile të indinjuar prej veprimeve të pushtetit të bashkohen në marshimin tonë protestues, për të thënë se ne nuk kemi më frikë dhe jemi të bashkuar rreth kauzës për arsim publik për të gjithë”, është shprehur më tej Lëvizja për Universitetin.
 
Reagimet 
 
Pedagogë dhe përfaqësues të Lëvizjes për Universitetin kanë dënuar deklaratat e bëra nga politikanët ndaj studentëve që qëlluan me vezë ndaj kryeministrit. Një ndër ta është dhe pedagogu Arlind Qori, i cili dje është shprehur se studentët protestojnë për të drejtat e tyre. “Nuk qëlluan as studentët e dobët, as marsianët, as PD-istët, as komunistët, as mjaftistët. Nuk ishin as “lavire bulevardi”, siç do i quante Berisha në kohë të vet, por bij “kokëpalarësh”. Ata që qëlluan ishin bij dhe bija punëtorësh, fshatarësh, të papunë. Studentë periferie që erdhën dhe i dërguan në Tiranë me plot ëndrra, kurse sot nuk ua lejojnë as që të ëndërrojnë. Bij prindërish që rropaten në punë, që heqin bukën e gojës, madje shumë herë marrin dhe borxh për të shkolluar fëmijët si e vetmja shpresë”, tha ai. Qori ka deklaruar se aktualisht diploma nuk ka asnjë vlerë, pasi shumica punojnë kamarierë. Kliti Topalli 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/05/2019 - 23:59

Kryeministri Edi Rama e quan një lajm fantastik zbulimin e burimeve të reja të naftës në Shqipëri, pas testeve të para të kryera nga kompania SHELL.

Postuar: 24/05/2019 - 23:57

 Një ditë para protestës së opozitës së bashkuar, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi bën thir

Postuar: 24/05/2019 - 23:49

 Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku ka nxjerrë një udhëzim, ku i ngarkon Prokurores së

Postuar: 24/05/2019 - 23:23

Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike gjatë emisionit “Zonë e Lirë” edhe p

Postuar: 24/05/2019 - 23:05

Opozita e re e kryesuar nga Rudina Hajdari i ka bërë një kërkesë Kuvendit për të ulur në tryezë t

Postuar: 24/05/2019 - 22:56

I pyetur në “Zonë e Lirë” nëse do të donte të bëhej kryeministër,  Astrit Patozi

Postuar: 24/05/2019 - 22:38

Gazetari Arian Çani nuk i ka kursyer kritikat Astrit Patozi lidhur me vendimin për të krijuar par