BREAKING NEWS

Momente dramatike/ Udhëtimi dhe lamtumira e fundit drejt shtëpisë, mbërrijnë në Portin e Durrësit trupat e pajetë të shqiptarëve që humbën betejën nga COVID, makinat funerale njëra pas tjetrës

Momente dramatike/ Udhëtimi dhe lamtumira e fundit drejt
x

Politike

Trembet Basha, pas presionit të Berishës i dorëzon partinë Metës, mesazh degëve të mbështesin presidentin për 2 marsin

Trembet Basha, pas presionit të Berishës i dorëzon partinë

Kryedemokrati Lulzim Basha i është nënshtruar presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ka paralajmëruar se në dy mars do të mbajë një protestë kundër qeverisë, ndërsa e vetmja që i ishte bashkuar kësaj thirrje nga partitë e opozitës ka qenë Lëvizja Socialiste për Integrim. Por ditën e djeshme krah presidentit Meta është rreshtuar edhe Partia Demokratike. Lideri demokrat ka qenë i dyzuar nëse do të dilte apo jo në manifestimin e thirrur nga kreu i shtetit dhe për këtë arsye ndaj tij kishin nisur presionet nga Berisha, Kryemadhi dhe Meta. Gazeta ka mësuar se të martën në mbrëmje Basha ka pasur një takim në selinë blu me ish-kryeministrin Sali Berisha, ku në fokus të diskutimit ka qenë pikërisht tubimi i thirrur nga Meta. Sipas informacioneve, mësohet se ky takim ka qenë tejet i tensionuar, gjë që ka sjellë edhe ndryshimin e kursit nga ana e zotit Basha, i cili i është bindur “urdhrit” të treshes Berisha, Meta, Kryemadhi për të mbledhur sa më shumë njerëz për manifestimin e dy marsit.

Basha i dorëzon partinë Ilir Metës

Ditën e djeshme kryedemokrati Basha i ka dhënë urdhër strukturave të partisë që të jenë në shesh krah presidentit Meta në tubimin anti-qeveritar të thirrur në datë 2 Mars. Përmes një mesazhi që ka shkuar në telefonat e të gjithë krerëve të degëve të PD, Basha thekson se demokratët duhet t’i përgjigjen çdo thirrjeje në mbrojtje të Kushtetutës, ndërsa lë edhe dy porosi për vartësit e vetë, të cilët për më shumë detaje do të informohen nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. “Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën. Dy porosi: Ky mesazh të shpërndahet tek të gjitha strukturat e partisë; Mbi këtë çështje do të keni gjatë ditës bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm, për masat organizative”, thuhet në mesazhin e Bashës dërguar krerëve të degëve. Pra, duket qartë se kryedemokrati Lulzim Basha ka ndryshuar kurs dhe është rreshtuar krah presidentit Ilir Meta, pasi takimit me ish-kryeministrin Sali Berisha. Madje, mësohet se një nga arsyet se përse Basha pranoi që t’i nënshtrohet Metës, është fakti se ai ka marrë garanci se kur opozita të vijë në pushtet, do të jetë ai kryeministër dhe se kreu i shtetit aspiron për një mandat të dytë në krye të shtetit, ndërsa LSI do të kënaqet me kreun e Kuvendit të Shqipërisë. Kujtojmë që, Basha reagoi për protestën e thirrur nga kreu i shtetit edhe këtë të dielë, teksa shkruante në rrjetet sociale se thirrja për tubim e Metës nuk është për partitë politike, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë Kushtetutën. “Thirrja e Presidentit nuk është për partitë politike, apo për të djathtët apo të majtët, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë themelin e demokracisë që është Kushtetuta. Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën”, nënvizoi Basha.