BREAKING NEWS

Basha bën lëvizjen e papritur, rikthen në Partinë Demokratike ish-ministrin dhe i jep postin e rëndësishëm

Basha bën lëvizjen e papritur, rikthen në Partinë
x

Politike

Vetingu në polici i dështuar, vetëm 29 persona janë futur në skaner gjatë 2 viteve, vihet në lëvizje Kuvendi

Vetingu në polici i dështuar, vetëm 29 persona janë futur

Vetingu në polici mund të quhet i dështuar. Ligji për të futur në skaner efektivët e policisë u miratua në 2018 dhe prej më shumë se dy vitesh janë verifikuar vetëm 29 persona. Ndonëse vetingu në sistemin e drejtësisë po ecën me ritme të shpejta, hetimi i uniformave blu për tre kriteret ka ngecur prej një kohe të gjatë. Për këtë arsye, Kuvendi është vënë në lëvizje dhe ka vendosur ngritjen e nënkomisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Vetingun e Policisë. Mbledhja që do të organizohet ditën e sotme ka në fokus shqyrtimin e çdo detaji mbi vijueshmërinë e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nga momenti i fundit i raportimit. Numri kaq i ulët i punës nga stafi për vetingun në polici është evidentuar edhe në Planin e Integrimit Europian 2021-2023, i cili tregon se nga viti 2018 deri në fund të 2020 Komisioni i Jashtëm të Vlerësimit ka dhënë vendime vetëm për 29 efektivë policie, nga të cilët 3 ishin punonjës të Gardës së Republikës. Gjithashtu, vlen të theksohet se 4 punonjës nuk kanë pritur përfundimin e procesit, por janë dorëhequr pa u raportuar hetimet nga Komisioni. “Deri më tani janë vlerësuar me vendimmarrje të trupave të vlerësimit 29 punonjës nga të cilët: 4 punonjës të policisë janë dorëhequr gjatë procesit kryesisht pas dërgimit të relacionit të vlerësimit dhe është ndërprerë procesi i vlerësimit me vendimmarrje nga trupa e vlerësimit me pasojë të njëjtë përjashtimin nga policia;4 zyrtarë janë përjashtuar me vendimmarrje të rezultuar nga procesi i vlerësimit (nga të cilët tre punonjës të SHÇBA dhe punonjës së Gardës së Republikës)”, thuhet në raport.

Çështjet në proces

Në vijim të planit tregohet se Komisioni për hetimin e reformave blu ka disa çështje në shqyrtim, që pritet të merret vendimi në muajt në vijim. Konkretisht, raportohet se, deri më tani Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka shqyrtuar 92 punonjës, por më pak se gjysma e tyre ka përfunduar, ndërsa 45 çështje të tjera janë në proces shqyrtimi. Gjithsesi edhe këto shifra nuk tregojnë ecuri të mirë të punës nga Komisioni kur bëhet fjale për dy vite në dispozicion. “KJV ka shqyrtuar deri më tani 92 punonjës dhe po përfundon vendimmarrjen për 45 punonjësit e parë të shqyrtuar me grada dhe funksione të larta në Polici, SHÇBA dhe Gardën e Republikës, si dhe po shqyrton 45 punonjësit e SHÇBA në mënyrë që të nisë vlerësimin e tyre me qëllim zbatimin e ndryshimeve ligjore me ligjin Nr. 74/2020 që i jep mundësi procesit të vlerësimit të kryhet paralelisht edhe nga SHÇBA për kategoritë e mesme dhe të ulta”, thuhet në dokument. Pikërisht, numri i ulët i çështjeve në proces shqyrtimi ka bërë që të reagojë nënkomisoni i posaçëm për këtë çështje.

Dështon kontrolli

Fakti që nënkomisioni për vetingun në polici do të ngrihet sot nuk e bën atë me më pak përgjegjshmëri për punën e ngadaltë të vetingut. Shifrat e publikuara tregojnë se, përveç vetingut në radhët e policisë, ka dështuar edhe nënkomisioni parlamentar, i cili është ngritur pikërisht për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji. Gjatë vitit 2019, nënkomisioni parlamentar ka zhvilluar vetëm 3 mbledhje. Në një raport të publikuar nga Komisioni i Sigurisë theksohet se dështimi i këtij nënkomisioni ka ardhur si pasojë e mungesës së një mjedisi të përshtatshëm pune për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, si dhe dorëheqja e disa komisionerëve. “Nënkomisioni ka zhvilluar gjithsej 3 mbledhje, për periudhën janar-dhjetor 2019, si dhe një vizitë në institucion në 25 Janar të vitit 2020. Ky komision në fillimet e veta ka funksionuar vetëm me anëtarët e maxhorancës, sepse ndonëse një pjesë e opozitës kërkoi që ligji të parashikonte ngritjen e këtij nënkomisioni, në qëndrimet e mëvonshme nuk u përfaqësua me asnjë anëtar. Ardhja e opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë, bëri të mundur edhe plotësimin e numrit të këtij nënkomisioni”, thuhet në raportin e Komisionit të Sigurisë.

Më të lexuarat