Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Vjen deklarata tronditëse e Bamir Topit që “rrëzon” Berishën, rrëfen bisedat e fshehta dhe nxjerr fakte për Gërdecin: Si ma trashte zërin Saliu në telefon...

Postuar: 21/05/2019 - 20:10

Në vitin 2008, pozita dhe opozita e atëhershme ranë në një mendje për të bërë disa ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë, çka nuk do të kalonte pa ndikim në jetën politike të vendit.

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tregon në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press”, prapaskenat e këtyre ndryshimeve, thellimin e hendekut mes institucionit të Presidentit dhe të Kryeministrit, bisedat me ish-Kryeministrin dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, qëndrimin e Ramës, votimin në Parlament, dekretimin nga ana e tij dhe reagimin e menjëhershëm të Berishës.

Pas gjashtë muajsh në krye të shtetit, gjërat po ecnin si mos më mirë. Klima politike kish gjetur qetësi dhe stabilitet, takimet ndërkombëtare ishin shtuar ndjeshëm. Vështirë se gjendej ndonjë ditë që të mos takoje delegacione, të cilat në fokus të bisedimeve kishin çështjen e hyrjes së vendit në NATO dhe Kosovën. Në të gjitha anketimet në Shqipëri, emri im ishte më i kuotuari dhe kanali televiziv “Top Channel” në shpalljen e anketës së njeriut të vitit më nxori fitues. Krahas gëzimit që gjërat po shkonin mirë, fillova të parandiej që kjo do të zgjonte edhe xhelozinë njerëzore, e pashmangshme për mjediset e politikës dhe medias në Shqipëri.

Më 15 mars 2008, rreth orës 11:00 të paradites, kishte shpërthyer municioni brenda fabrikës së demontimit të armëve, duke shkaktuar një tragjedi të përmasave të mëdha me 26 të vrarë, burra, gra e fëmijë, të plagosur të shumtë dhe dëme të mëdha në bizneset e zonës. Përveçse solli humbje jetësh, kjo ngjarje kishte ndodhur dy javë para Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia prisnin të merrnin ftesën për anëtarësim. Dukej që pas kësaj ngjarjeje, për më tepër që kishte ndodhur në një poligon ushtarak, ëndrra për marrjen e ftesës mund të ndërlikohej, por falë Presidentit Bush dhe miqve të tjerë perëndimorë, Shqipëria arriti të marrë ftesën.

Sinjalin e parë publik e jep një deputete demokrate e Qarkut të Shkodrës, Arenca Trashani, anëtare e Komisionit të Ligjeve, shumë afër Jozefina Topallit dhe e shquar për besnikëri të verbër ndaj Sali Berishës. Gjatë një mbledhjeje të komisionit, papritur nxjerr nga çanta një propozim aventuresk, ndoshta për gjënë më të rëndësishme që bën ndarjen dhe kontrollin e pushteteve në demokraci. Propozimi, natyrisht, doli nga çanta e saj, por ideatori dhe formuluesi ishte shefi i vet. Sipas këtij propozimi, të gjitha dekretet presidenciale duhet të kundërfirmoseshin nga Kryeministri, veprime këto nga të cilat nënkuptohej se i gjithë shteti do të ishte nën komandën e qeverisë dhe Kryeministrit. Natyrisht e quajta shashkë për të krijuar një debat publik të rremë, me qëllim që ndryshimet e tjera të kalonin pa u marrë kush me to.

Të vetmit që kundërshtonin ishin disa deputetë të Partisë Demokratike, të cilët Berisha i quante mbështetësit e mi, ndonëse vërejtjet e tyre ishin parimore. Po ashtu vinin kundërshtime nga deputetë të LSI-së dhe PDK-së, të cilët shikonin një prapavijë të qartë për eliminimin e partive të vogla dhe kthimin e jetës politike në bipolarizim, ku nuk ka zgjidhje tjetër, ose komandon njëri ose tjetri. Bipolarizimin e kanë vetëm shtetet demokratike të konsoliduara me kulturë dhe formim tradicional, ndërkohë që politika në Shqipëri kishte shembuj të gjallë që krijonte pa shumë barriera liderë politikë, të cilët nisen nga premisa demokratike dhe përfundojnë të larguar si diktatorë.

Debati rreth Kushtetutës kishte marrë përmasa politike, mediatike dhe kishte futur në diskutime jo vetëm politikanë, por edhe ekspertë kushtetues, shoqata dhe analistë, të cilët shikonin me shqetësim dhe takoheshin në një pikë, që kjo do të shtonte arrogancën e pushtetit të Kryeministrit. Tashmë ishte krijuar fronti i bashkuar kundër Presidentit dhe institucioneve të pavarura, ku dëmin më të madh do ta pësonte institucioni i zgjedhjeve, që do të binte nën kontrollin e partive politike, që shpesh janë përfaqësuar nga njerëz të dhunshëm me precedentë penalë, që në fund kanë rezultuar si hajdutë votash dhe shkaktarë të ngjarjeve tragjike pranë qendrave të votimit. Tashmë, kishte ardhur çasti i duhur i një pozicionimi të qartë dhe publik, ku më shumë se cilido tjetër, roli garantues i Kushtetutës i njihej Presidentit. Ndërsa po bëhesha gati të nisesha për një vizitë pune në Korçë, i telefonova me urgjencë gazetarit Sokol Balla me idenë e një interviste në lajmet e “Top Channel”, një televizion kombëtar, i cili nuk ishte futur në asnjë rast nën kthetrat e interesave të Sali Berishës.

Kjo intervistë dhe debatet në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike po thellonin përçarjen midis Presidentit dhe maxhorancës, aq sa në mënyrë paradoksale Berisha po e merrte mbështetjen nga kundërshtari i tij politik, pa të cilin nuk mund të arrinte 94 votat që duheshin për ndryshimet kushtetuese, por edhe për faktin se pas kësaj të dy do të merrnin në dorë fatin e Shqipërisë, duke e alternuar pushtetin herë te njëri e herë te tjetri. Pas kësaj, çdo qeverisje do të shkonte në dëm të demokracisë së shpresuar dhe qytetarëve, siç rezulton të ketë qenë këto 10 vjet. Madje, edhe sot, ndonëse mund “të nxjerrin” sytë e njëri-tjetrit për gjithçka, veç riparimin e vendimeve të 2008-s janë të vendosur të mos e bëjnë.

Përplasja me deputetët kundërshtues shkoi e fortë deri më 21 prill, kur Kuvendi vendosi me 115 vota pro të ndryshojë Kushtetutën, duke hapur një periudhë konfliktuale politike, veçanërisht midis institucioneve, ku edhe kreu i shtetit do të zgjidhej me procedurë fyese edhe me 36 vota, duke zbehur rëndësinë e tij si përfaqësues i interesit të gjerë publik.

 

Gjatë rrugës për në zyrë vjen një telefonatë nga Saliu, i cili tashmë ishte çliruar nga makthi i zgjedhjeve të parakohshme dhe po e trashte më shumë zërin.

— Alo, Saliu jam! — u dëgjua zëri i tij.

— Mirëmëngjesi, urdhëro! — ia preva shkurt.

— Shiko, Kreshnik Spahiu po e kthen KLD-në në parti politike! — vazhdoi duke përdorur sharje të rënda dhe vulgare në adresë të tij.

— Dëgjo, — i thashë, — jam në makinë dhe do t’ju telefonoj pas pak nga zyra!

Me të hyrë në zyrë, i telefonova duke i thënë:

— Së pari, po ju kujtoj nevojën e një komunikimi korrekt, për më tepër që sot jam këtu ku jam. Së dyti, Kreshnikun e keni zgjedhur ju dhe mos e paragjyko për asgjë, duke e sulmuar brutalisht. Nëse ke gjë për t’i thënë, thuaja drejtpërdrejt pa qenë nevoja të kalosh nëpërmjet meje. Së treti, sa të jem unë, do të punoj për pavarësinë e institucioneve! Më dëgjoi pa më kundërshtuar.

Në orën dhjetë të asaj dite ishte parashikuar një xhiro me biçikleta, së bashku me ambasadorin e BE-së, z. Lohan, dhe një grup të rinjsh përgjatë bulevardit të Tiranës. Të veshur sportivë, filluam ecjen me biçikleta në bulevard, me një nostalgji nga sporti im i preferuar, i filluar që në moshën 5-6- vjeçare. Në të njëjtën kohë, Kryeministri dhe kryeparlamentarja ishin në një aktivitet në hotel “Tirana”. Para se të nisesha në ceremoninë e organizuar nga zyra e BE-së në hotel “Sheraton”, firmosa dekretin e ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që informacionet nëpër televizione po e lajmëronin këtë gjë.

Në pritje të njoftimit nga protokolli për të dalë nga Presidenca, një nga këshilltarët e mi, që kishte një të njohur në stafin e Kryeministrit, më thotë diçka që kishte ndodhur tek ata, duke më ndryshuar si me magji humorin, si dhe duke shkaktuar një të qeshur te të gjithë.

— Shef, — më thotë këshilltarja, — pas kthimit nga aktiviteti për në Kryeministri, pasi ju ka parë në televizion gjatë xhiros me biçikletë është bërë keq dhe u është turrur të vetëve duke u thënë: “Pse nuk më njoftuat që të isha edhe unë në bulevard me biçikletë!”

— Aftësia për të mbuluar defektet dhe kompleksin e provincës e kishte nxjerrë qesharak në këtë rast. Dihej nga të gjithë që ai nuk dinte të ecte me biçikletë, por donte të demonstronte të kundërtën. Ishte e njëjta gjë që ndodhte në rekordet e imagjinuara të notit sa herë shkonte në Dhërmi, duke më kujtuar një film të famshëm francez me aktorin Luis de Fines, “Marrëzia e Madhështisë”. Me këtë gjendje humori arrita në ceremoninë që zhvillohej te “Sheratoni”, ku natyrisht ishim sërish afër duke bërë sikur bisedonim për të demonstruar përpara televizioneve që gjithçka ishte korrekte midis nesh. Vetëm pak ditë më vonë unë i paraqita Kuvendit të Shqipërisë dekretet për pesë vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në vijim të një procedure kushtetuese dhe të hapur, duke përzgjedhur emra të njohur të jurisprudencës dhe njerëzve që gëzonin respekt në

komunitetin e gjyqtarëve. Ndaj tyre filloi një sulm i paparë politik, pasi konsideroheshin njerëz të zgjedhur nga unë dhe nuk mund të ishin të besuar për Sali Berishën, i cili kishte kritere të tjera në përzgjedhje, me kushtin themelor që gjithkush që do të merrte miratimin e tij politik, duhej të vendosej në shërbim të tij.

Tashmë ngjarjet që implikonin pushtetin e tij po merrnin rrugën e gjykimit. Mbi të gjitha, Gërdeci ishte i freskët dhe ai ishte i zbuluar, kështu sido që të vinte puna, duhej të kontrollonte verdiktin. Dhe kështu ndodhi, njeriu që kishte marrë pushtet të fortë i rrëzoi politikisht kandidaturat, pa asnjë motiv, duke thelluar në mënyrë përfundimtare krizën, e cila do të arrinte kulmin në janar të vitit 2011, për një prishje pa kthim. Në një dalje publike e quajta ekzekutim politik, midis të cilëve edhe gjykatësin e Strasburgut, z. Kristaq Traja, i cili kish marrë vlerësime dhe rekomandime nga Këshilli i Europës. Ky ishte preludi i një përplasjeje të gjatë e të vështirë, ku Kryeministri në vazhdimësi do të pengonte njerëzit me integritet, për të shtrirë influencën e emërimeve të tij, sidomos në sistemin e drejtësisë.

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/06/2019 - 23:55

Një ditë para protestës së opozitës ka ardhur një tjetër reagim i fortë nga Ambasda e SHBA-së.

Postuar: 20/06/2019 - 23:51

Kryetarja e grupit parlamentar Demokratik, Rudina Hajdari është shprehur se nëse Presidenti Meta

Postuar: 20/06/2019 - 23:20

Një debat me tone të larta është zhvilluar në emisionin e Open ndërmjet Ervin Saljanjit dhe Spart

Postuar: 20/06/2019 - 23:11

Deputetja Rudina Hajdari ka treguar nëse do të krijojë një forcë të re politike.

Postuar: 20/06/2019 - 23:01

Deputeti Lefter Maliqi thotë se është e pamundur të mbahen zgjedhje në Shqipëri në 30 qershor.

Postuar: 20/06/2019 - 23:00

Në një reagim në Facebook, Glauk Olldashi shkruan se në qofte se nuk bashkohemi, gjaku e lotët ta

Postuar: 20/06/2019 - 22:56

Pas reagimit të Ambasadës Amerikane e cila bëri thirrje që qytetarët shqiptarë të distancohen në