BREAKING NEWS

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e
x

Politike

Yuri Kim lëshon bombën e radhës: Politika t’u japë fund lojërave, harrojini pazaret kundër reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi, asnjëra s’preket

Yuri Kim lëshon bombën e radhës: Politika t’u japë

Ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka dhënë dje klasës politike shqiptare një tjetër shuplakë të fortë. Pas deklaratës ditën e enjte, se në prapaskenë po gatuhej një plan për të zhbërë reformën në drejtësi, dje ambasadorja ka qenë edhe më e fortë. Gjatë një vizite në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Yuri Kim ndaloi për gazetarët, ku deklaroi prerë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë që të bëhen pazare kundër reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, që sipas saj janë dy nga reformat e domosdoshme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ambasadorja tha se politika shqiptare duhet t’u japë fund lojërave dhe të realizojnë reformat kyçe që u janë premtuar qytetarëve shqiptarë. Në fjalën e saj para medieve, ambasadorja tha se SHBA është duke pritur realizimin e plotë të këtyre reformave sa më parë që të jetë e mundur. “Mesazhi im është shumë i qartë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të njëjtën gjë që shqiptarët duan. Duam që Shqipëria të jetë aleat i fortë, i aftë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ju të jeni pjesë e familjes europiane. Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e familjes europiane pa reformë në drejtësi. Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e familjes europiane pa reformë zgjedhore. Dhe dua t’iu them se me këto të dyja nuk bëhen pazare as lojëra, këto janë domosdoshmëri. Është koha që të realizohet reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi, ashtu siç është premtuar nga drejtuesit. Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët po presin këtë gjë prej tyre”, u shpreh ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Deklaratat e ambasadores

Por ndonëse deri tani ambasadorja nuk ka përmendur emra se kush po luan në prapaskenë kundër reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi, duket se deklaratat e saj janë në drejtim të presidentit Ilir Meta. Ky i fundit dy ditë më parë i prezantoi opozitës jashtëparlamentare një platformë për të ngritur një Këshill Politik për të bërë ndërhyrje në reformën në drejtësi, gjë që nuk lejohet nga ambasadorja Yuri Kim, duke e thënë hapur se pa këto 2 reforma s'ka aleancë me SHBA, por mbi të gjitha as integrim në Bashkimin Europian. Dy ditë më parë, Yuri Kim ka bërë të ditur se shpreson që zërat për një marrëveshje të fshehtë për të vrarë reformën në drejtësi të mos jenë të vërteta. Madje, ajo theksoi se procesi i reformimit të gjyqësorit duhet të ecë përpara. “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekt, por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, u shprehuri Kim. Por në krah të ambasadores së SHBA doli edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca. “Zbatimi i reformës në drejtësi duhet të vazhdojë dhe të ruhet. Nuk është koha që të rihapet diskutimi mbi bazat e tij, por për të rritur efikasitetin e tij dhe forcimin e burimeve që disponon. Për të ofruar drejtësinë e pavarur që qytetarët shqiptarë meritojnë dhe për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj të integrimit", tha Soreca. Reforma në drejtësi është rikthyer sërish në skenën politike, e cila ka sjellë edhe lëvizjen e ndërkombëtareve. Brenda një harku kohor prej një jave, Kim ka zhvilluar një sërë takimesh më kryeministrin Edi Rama, në Presidencë, por jo me kreun e shtetit Ilir Meta, e ndërsa ka paralajmëruar takim edhe me kryedemokratin Lulzim Basha.