BREAKING NEWS

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po ushtron terror mbi psiqikën e shqiptarëve nën regjinë e supernovës të Surrelit

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po
x

Politike

Yuri Kim mesazh politikës shqiptare: Çdo rotacion politik i shërben demokracisë, drafti i 5 qershorit nuk preket, Ardian Dvorani meriton respekt

Yuri Kim mesazh politikës shqiptare: Çdo rotacion politik i

Ambasadorja amerikane ka lëshuar dje një sërë deklaratash të fortë në drejtim të politikës shqiptare. Në një intervistë ndryshe për Sokol Ballën nga qyteti i Vlorës, ambasadorja foli për shumë çështje. Për reformën zgjedhore ajo u shpreh e qartë se drafti i 5 qershorit është i panegociueshëm. Po ashtu foli dhe për rotacionet politike, duke deklaruar se një gjë e tillë i shërben demokracisë. Ambasadorja dërgoi dhe një mesazh në Presidencë, ku u shpreh se Ardian Dvorani gëzon respektin e saj.

-Shumë njerëz mendojnë se është koha për ndryshim. Edhe pse, ndryshimi këtu interpretohet thjesht si rotacion normal i pushtetit. Ndonjëherë edhe unë dyshoj për këtë- a është rotacioni ndryshim apo është ndryshimi rotacion?

Varet nga ju që ta vendosni.

- Si e shihni ju?

 Mendoj se rotacioni i pushtetit, nëse kjo është ajo që duan njerëzit, nëse kjo është ajo që njerëzit vendosin, është gjithmonë diçka e mirë në një demokraci. Është si qarkullimi i gjakut. Por është patjetër një nga ato gjërat ku, e dini, edhe në vendin tim, në fare pak muaj do të ketë zgjedhje. Dhe në pak muaj në këtë vend, do të ketë zgjedhje, shpresoj, dhe do të shohim çfarë do të vendosin njerëzit.

-Çfarë mendoni se do të ndodhë me reformën zgjedhore? Duket shumë e ndërlikuar kur vjen tek votat. Sepse, ironikisht, kemi shumicën që thotë i pëlqejnë ndryshimet por nuk ka votat. Keni opozitën jashtë parlamentit që thotë i pëlqejnë ndryshimet por nuk i ka votat. Kemi dhe ata që kanë votat por nuk janë dakord. Opozita parlamentare. Si do shkojë mendoni?

 Është e ndërlikuar sepse, mendoj, opozita që është jashtë Parlamentit bëri një gabim. Nuk duhet të kishin ikur. Thënë kjo, ata fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit pra qartësisht përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë. Pra duhet të jenë pjesë e diskutimit, ndaj mendoj se ishte diçka shumë e mirë që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e reformës zgjedhore. Në të njëjtën kohë, opozita që qëndroi në parlament bëri saktësisht gjënë e duhur. Në një kuptim, ata shpëtuan demokracinë shqiptare. Dhe sigurisht, shumica është shumica. Ajo që di është se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe, me sa di, kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën dhe kjo është diçka e mirë. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme.

-Ajo që është arritur, doni të thoni marrëveshja?

5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit. Tani, e di po ashtu që për shumë njerëz, 5 qershori nuk mjafton.

 -Po...

Sepse kur njerëzit flasin për ndryshim dhe reformën zgjedhore, duan sistemin e hapur. Dhe unë e kuptoj këtë, por siç e kam thënë më parë, e dini, synimi ynë i menjëhershëm është shumë specifik. Është që të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE. Pjesa tjetër, nëse mund të arrihet një marrëveshje, mrekulli. Të bëhet. Por ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme.

-E kuptoj.

Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë.

-Pra, është një lloj mesazhi që shkon kryesisht për qeverinë sepse ata kanë votat, ata kanë aftësinë të luajnë me votat në parlament. Por ju thoni që tek marrëveshja nuk ndërhyhet, po?

Po them që marrëveshja e 5 qershorit është mbyllur dhe nuk mund ta hapim përsëri.

 -Por e dini, kur flasim për rotacion dhe ndryshim, njerëzit duan ndryshim dhe i shohin listat e hapura si shenjë e marrjes së pushtetit nga politikanët tek vetja e tyre?

Po.

-Dhe ky është çasti më i trishtë i situatës, sepse politikanët e arrijnë atë që duan të arrijnë, ndërsa atë që duan njerëzit, nuk e arrijnë dot. Prandaj ndihen të trishtuar.

Të shohim çfarë do të ndodhë.

 -OK, meqenëse po arrijmë një destinacion të caktuar, si e shihni procesin e integrimit evropian?

Mendoj se është një projekt historik dhe përgëzoj popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare që kanë arritur në këtë pikë në histori. Do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë dhe po i thoja Luigi Soreca-s, Ambasadorit të BE-së, se ne jemi miqtë e Shqipërisë për 100 vitet e fundit dhe duhet të shtoni BE-në si një tjetër mik për 100 vitet e ardhshme. E di që flasim për atë që mund të fitohet nga procesi. Nuk është vetëm çfarë fitohet, por në fakt, ajo që duhet bërë. Dhe kjo do të kërkojë që qeveria shqiptare dhe populli shqiptar dhe udhëheqësit politikë shqiptarë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë të bashkojnë forcat për ta bërë reformën në drejtësi realitet. Është e vështirë. E di që jo të gjithë e duan. Jo të gjithë duan të gjitha pjesët e saj, por është vërtet e nevojshme dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar e do dëshpërimisht. Tjetra që di është që biznesi amerikan me të cilët flas e do dëshpërimisht. Askush nuk do të investojë në Shqipëri nëse nuk kanë ndjesinë se kontratat do të zbatohen, që nëse ka një mosmarrëveshje dhe nëse shkojnë në gjykatë, do të marrin një gjykim transparent dhe të ndershëm. Po ju jap një shembull: situata me duty free në aeroport. Çfarë turpi! Kur mendoj këtë, më vjen turp për të gjithë njerëzit e përfshirë në atë rast. Ishte një mundësi e madhe dhe përkundrazi, mendoj se mënyra se si situata shkoi ku një kontratë nuk u zbatua si duhej, jep pikërisht mesazhin e gabuar. Shpresoj që kjo të ndryshojë.

-Si mund të ndryshojë?

Sepse shembulli… Reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi. Vetingu. Gjyqtarët që janë qartësisht të korruptuar duhet të dalin që aty. Nuk duhet të ulen në ato salla gjyqi. Nuk duhet të marrin vendime për asgjë. Duhet të jenë jashtë që aty.

-Në fakt duhen futur në burg.E them unë këtë. Por gjithsesi, kur sheh ç’po ndodh me Gjykatën Kushtetuese, të gjithë njerëzit rreth saj në konflikt interesi me të, njerëzit humbin jo vetëm durimin, por edhe besimin.

 Po

-Sepse përpara se të përfshihej Dvorani, gjërat shkonin keq. Tani që Dvorani nuk është aty, gjërat shkojnë mirë. Pra duket sikur në momentin që institucionet e drejtësisë arrijnë balancën politike, politikanët janë OK me të. Në momentin që duhet ndryshuar, luftojnë. Dhe ky është momenti kur ne themi, okay, Shtetet e Bashkuara u përfshinë, pse pranojnë kompromise në fund?

Mendoj duhet të shohësh se si...

-Se unë nuk mendoj që për këtë reformë na duhen kompromise.

Mendoj duhet parë se u mbaron historia dhe jemi larg fundit të historisë. Do t’ju them se unë e marr procesin e vetingut shumë seriozisht. Dhe mendoj gjyqtari Dvorani është një nga gjyqtarët që e kaloi qartësisht këtë proces shumë të vështirë. Kam besim tek procesi dhe kam respekt për gjyqtarin. Se çfarë ndodh nga tani dhe kush e di se kur, të shohim. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por mendoj se pika kyçe tani, në këtë çast, është që kemi opinionin e Komisionit të Venecias dhe mendoj se është një mundësi dhe duhet t’i mbajmë sytë tek rezultati pozitiv fundor dhe të kërkojmë mënyra se si mund të ecim përpara. Nuk më pëlqen të ngec në pyetje teologjike. Nuk më pëlqen të ngec në çështje filozofike. Siç e kam thënë më parë, nuk jam prift që të gjykoj kush është i përlyer e kush i papërlyer, nuk jam polic që të vendos kush duhet të jetë në burg dhe kush jo. Jam vetëm një diplomate amerikane dhe jam këtu për të përfaqësuar interesat e vendit tim, të cilat ka qëlluar të përfshijnë një të ardhme për Shqipërinë si një vend i forte, sovran dhe demokratik. Prandaj jam këtu dhe ky është misioni im.

-Mendoni se nga mënyra si po shkon do të kemi një Gjykatë Kushtetuese të pavarur?

Mendoj që nëse e doni dhe luftoni për të, dhe i kushtoni pak kohë dhe përpjekje, po, e besoj. Mendoj që ajo që nuk ka për të ndodhur është një proces i menjëhershëm. Nuk ndodh. Nuk është që papritur, do keni një sistem gjykatash 100% të përsosur. Nëse prisni këtë, do të zhgënjeheni. Ajo që do të ndodhë është që do të shihni përparim, pastaj do të shihni diçka të tmerrshme, pastaj përparim përsëri. Siç e thashë, është si të shohësh baticën dhe zbaticën. Nuk është një proces i thjeshtë, i qartë linear.

-Teksa jemi në ujëra, le të flasim për peshqit, peshqit e mëdhenj. Po presim që të kapen, por ju sugjeroni që të presim?

E dini për çfarë e kam fjalën, apo jo? Peshqit e mëdhenj? E dini, sapo kam arritur gjashtë muaj më parë dhe e di cila është puna ime. Dhe siç ju kam thënë, dhe mendoj se populli shqiptar e di këtë, unë jam njeri shumë praktik. Dhe ajo që kam thënë është që reforma në drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të këmbëngulim, dhe reforma në drejtësi duhet të tregojë rezultate. Nuk jam sistemi gjyqësor.

-Epo…

Shtetet e Bashkuara nuk janë sistemi gjyqësor. Dhe nëse këmbëngulni se jemi, e keni keqkuptuar projektin.

-Jo, absolutisht jo. Por e dimë që pa ju, as nuk do kishim ardhur deri në këtë pikë. Dhe ndoshta prandaj pritshmëritë tona janë pak më të larta kur vjen fjala këtu…

Ne do t’ju mbështesim gjithmonë me gjithçka kemi. Por në fund të ditës, është vendi juaj.

-Po, po...

Nuk është vendi im.

 -Thjesht po. Nuk po sugjeroj që keni ju përgjegjësi, por pastaj sheh që SPAK e ka marrë punën kaq ngadalë. Dua të them, nuk ka rezultate. Pastaj sheh që Byroja Kombëtare e Hetimit nuk po…

Në fakt pamë javën e kaluar që bënë përparim me çështjet ku përfshihej krimi i organizuar Italian dhe krimi i organizuar shqiptar. Pra, po ndodh. Dhe mendoj se duhet të vazhdojmë të këmbëngulim me projektin sepse ky është momenti kur ata që nuk e duan do të përpiqen të bindin botën se nuk po funksionon dhe prandaj duhet ta hedhim të gjithë tutje dhe të shpallim se humbëm. Epo, unë nuk jam gati të deklaroj se u mundëm dhe nuk mendoj që populli shqiptar duhet të jetë gati të shpallë humbjen. Jemi në mes të betejës. Është koha për të qenë trima, është koha për të luftuar. Nuk është koha për të hequr dorë.

-Po, mos kini merak.

Unë nuk do hidhem në ujë ende. Ndjej se është aty, e dini, kur takoj shqiptarë, sidomos të rinjtë dhe kur shkoj në vende si Kruja, kur shkoj në vende si shtëpia ku sapo ishim, në Vlorë, më jep shpresë dhe më bën të besoj se ka shumë kurajë dhe shumë këmbëngulje tek populli shqiptar. Dhe mendoj se iu është thënë të heqin dorë shumë herë dhe ata kanë vendosur edhe më shumë herë se aq që të mos dorëzohen. Ky është një tjetër nga ato çaste. Duhet thjesht të vazhdoni.

-Pra, duhet të kenë një të ardhme këtu.

Por nuk mund të kesh një të ardhme ku krimineli ulet me mua në të njëjtën tavolinë, zgjidhet në parlament, ose sponsorizon gjyqtarë apo prokurorë të caktuar. Kjo duhet të marrë fund. A mendoni se reforma në drejtësi do ta arrijë atë pikë kritike? Mendoj se reforma në drejtësi është thelbësore për të arritur ndryshimet për të cilat flisni. Dhe e thashë në fjalimin tim më të parë kur arrita këtu në Shqipëri se është e tmerrshme të shohësh gjithë ata të rinj që kërkojnë një të ardhme jashtë Shqipërisë. Mendoj se është përgjegjësi e udhëheqësve politikë; mendoj se është përgjegjësi e gjyqtarëve, avokatëve, gazetarëve, kushdo që ka qoftë edhe një gram pushtet në Shqipëri për ta bërë më të mirë. Ne do të mbështesim, por në themel, është puna juaj ndaj do t’ju pyes, çfarë do të bëni për ta bërë Shqipërinë më të mirë në mënyrë që të rinjtë të qëndrojnë këtu. Çfarë do të bëni? Jua kam thënë çfarë do të bëj unë. Dua të di çfarë do të bëni ju.

-Nuk e di, duket sikur që nga 2019 me krizën politike, Z. Basha ka bërë le të themi disa gabime, që janë konsideruar gabime nga SHBA, por ju prapë e falni.

 Nuk jam e sigurt çfarë nënkuptoni me këtë, por detyra ime nuk është të vendos kush është drejtuesi i secilës parti. Këtë e vendosin partitë. Detyra ime nuk është të vendos kush e udhëheq vendin. Këtë e vendos populli shqiptar. Dhe, si diplomate, unë angazhohem me këdo që është në pushtet, në mënyrë legjitime, dhe angazhohem me këdo është në gjendje të ndikojë ngjarjet në mënyrën e duhur.

-Thoni se nuk është detyra juaj se kush e udhëheq vendin. Pastaj, pse ishte ai reagimi i fortë më 2 mars? Ishte vetëm për të mbrojtur flamurin amerikan?

Mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë të qartë se cili është pozicioni i SHBA. Nuk përfaqësoj askënd tjetër përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk flas në emër të askujt tjetër përveç Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe kur mendoj se mund të ketë ndonjë keqkuptim se ku qëndrojnë Shtetet e Bashkuara ose ku qëndron Presidenti, atëherë është detyra ime të sigurohem që shprehet perceptimi korrekt.