BREAKING NEWS

Kuvendi merr vendimin më të fundit, miraton Komisionin e Posaçëm Hetimor për çështjen që ndezi politikën shqiptare

Kuvendi merr vendimin më të fundit, miraton Komisionin e
x

Politike

Yuri Kim plas “bombën”: SPAK ka në dorë disa dosje të bujshme, po asistohet nga një agjent i FBI, ja si rrëzuam “puçin” kundër shefes së BKH

Yuri Kim plas “bombën”: SPAK ka në dorë disa dosje

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka deklaruar dje se shumë shpejt do të shihen rezultate konkrete nga lufta kundër korrupsionit. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ajo tha se SPAK ka në dorë disa dosje të bujshme dhe do ketë rezultat shumë shpejt. Po ashtu Kim deklaroi se SHBA ka sjellë një agjent të FBI-së në Tiranë që po punon ngushtë me SPAK. Nga ana tjetër ambasadorja deklaroi se ka pasur një puç për të bllokuar emërimin e Aida Hajnajt në krye të BKH, por që amerikanët e rrëzuan. Ajo foli dhe për politikën, ku këmbënguli se pakti i 5 qershorit nuk është prekur.

-Dua t’ju pyes drejtpërdrejt. Ditët e fundit, Parlamenti miratoi disa ndryshime në ligjin zgjedhor, Kodin Zgjedhor, por ndryshimet nuk u bënë me kompromis, me konsensusin që patëm në 5 qershor. Më pas, pamë deklarata nga Ambasada e SHBA dhe Bashkimi Europian. Të dyja palët thonë se mbështetja e Ambasadës së SHBA ishte për ta. Opozita tha “mbështetje për ne” dhe qeveria tha “mbështetje për ne”. Kush e ka gabim dhe kush ka të drejtë në këtë rast?

Mendoj se deklarata që nxori Ambasada e SHBA ishte shumë e qartë, pra që metoda me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit ishte një mënyrë e mirë dhe që duhet të ishte përdorur si model për marrëveshjet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mohojmë kompetencën e Parlamentit për të miratuar legjislacion. Lidhur me pyetjen nëse 5 qershori u shkel apo jo, njerëz të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Nëse më pyet mua…

-Po, dua mendimin tuaj …

Edhe opinioni im është shumë i qartë për këtë. Ajo që ndodhi përtej 5 qershorit shkon përtej 5 qershorit, por nuk e shoh si shkelje të 5 qershorit.

-Por në fakt, në 30 vitet e fundit, ose 28 a 29, gjithmonë kemi pasur kompromis, një konsensus le të themi, për Kodin Zgjedhor. Është hera e parë pas 30 vjetësh kur kemi një ndryshim të Kodit, sigurisht që në Parlament, që nuk është produkt i konsensusit. A është ky një problem për Shqipërinë apo për komunitetin ndërkombëtar?

Mendoj se është shumë zhgënjyese që pjesa e dytë e reformës zgjedhore nuk u arrit në të njëjtën mënyrë, sepse pjesa e parë, 5 qershori u bë mirë. Dhe duhet të ishte përsëritur. Mendoj se është diçka e pafat që opozita kryesore nuk ishte e pranishme në Parlament dhe mendoj se kjo nënvizon përgjegjësinë e cilitdo për të mbetur i angazhuar.

-Mendoj se ka shumë komente në median shqiptare, nga analistë apo gazetarë, madje edhe nga Presidenti i Republikës, që thonë se ambasadat apo komuniteti ndërkombëtar pretendon të jetë i pavarur, por në fund, mbështet qeverinë. A është e vërtetë kjo?

Unë mendoj se ky është një keqkuptim i diplomacisë. Si diplomate, në rastin tim, më ka dërguar Presidenti i Shteteve të Bashkuara që të përfaqësoj qeverinë time dhe vendin tim dhe, kuptimi i kësaj është që, në radhë të parë, angazhohem me qeverinë që është zgjedhur në mënyrë legjitime, apo jo? Kjo përfshin kryeministrin, presidentin, por përfshin edhe pjesën tjetër të vendit, pra flas me qytetarë të zakonshëm, flas edhe me opozitën. Nuk është mbajtje ane. Nuk është kjo ajo që bëjmë.

-Ambasadore, le të flasim për reformën në drejtësi. Ajo u bë nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e tyre financiare. Tani, katër vjet e katër muaj pasi reforma u votua në Parlament, kemi ngecur. Çfarë ka ndodhur?

Nuk jam dakord me karakterizimin që bëni. Nuk mendoj se kemi ngecur. E dini çfarë është? Ke të drejtë: katër vjet e katër muaj është një kohë e gjatë, ama më duhet të them që është bërë përparim. Katër vjet e katër muaj më parë, u hartuan ligje me mbështetje unanime nga të gjitha partitë, apo jo? Nga ajo kohë, gjykatat janë ngritur, gjyqtarë dhe prokurorë janë marrë në punë, gjyqtarë dhe prokurorë i janë nënshtruar vetingut. Në muajin e fundit, në javët e fundit, edhe Gjykata Kushtetuese po ecën përpara. Tani ka kandidatë për dy vendet bosh. Ndaj mendoj se është karakterizim i gabuar të thuash se kemi ngecur. Mendoj se ka njerëz që duan të besojnë se kemi ngecur, që duan të na bëjnë të ngecim, por nuk do të thotë se kemi ngecur.

-Në fillim, ideja ishte se duhej shumë kohë për zbatimin e reformës?

Mendoj që sa më shpejt aq më mirë, por mund t’ju them që edhe në vende të tjera, kur sheh diçka kaq madhore sa reforma në drejtësi, rindërtimi i një sistemi të tërë gjyqësor, merr kohë, nuk është e lehtë, nuk është e shpejtë dhe nuk është e përsosur. Ndaj, unë nuk e humbas shpresën për situatën në Shqipëri. Por, është po ashtu e vërtetë se jemi në një çast kritik. Ata që janë kundër reformës në drejtësi po intensifikojnë përpjekjet dhe mendoj se ne që e mbështesim reformën, dhe këtu përfshij Shtetet e Bashkuara, miqtë tuaj europianë, popullin shqiptar, është koha të këmbëngulim dhe të shtyjmë fort përpara.

-Ambasadore, reforma në drejtësi largoi nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë, por aktualisht është shumë e vështirë të zëvendësohen. Kjo do të thotë që nuk kemi burimet për t’i zëvendësuar. Çfarë do të bëjmë në këtë rast?

Mendoj se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që u gjetën si të korruptuar ishte shumë më i lartë në përqindje se sa ishte parashikuar. Deri tani, mbi 60% janë larguar nga sistemi. Mendoj se Shkolla e Magjistraturës po punon fort për të prodhuar më shumë gjyqtarë dhe prokurorë. Mendoj po ashtu se gjyqtarët dhe prokurorët që e kanë kaluar vetingun tashmë po dalin përpara për të bërë më shumë ndaj, mendoj se po ecim përpara. Edhe një herë, nuk është e lehtë, nuk është e shpejtë, nuk është e përsosur, por po ecim përpara.

-Por ambasadore, kemi dëgjuar për shumë kohë që peshqit e mëdhenj do të kapen dhe do dalin para gjykatës. Deri tani, asnjë peshk i madh nuk po shkon në gjykatë dhe peshqit e mëdhenj që ishin në burg po dalin për shkak të vendimeve të fundit të gjykatave. Çfarë ndodhi me peshqit e mëdhenj?

Blendi, ndonjëherë kam përshtypjen që këto shprehjet që përdorni, përdoren si shpërqendrim. Ajo ku do të përqendrohem unë janë faktet. Për më tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kësaj kohe po i afrohet fundit.

-Ç’doni të thoni se po i afrohet fundit?

-Do të thotë që në muajt e fundit, kemi parë SPAK të deklarojë aktpadi në raste të nivelit të lartë. Tani, nuk mund të flasin për këtë publikisht, sepse kjo është natyra e punës së tyre si prokurorë, por mendoj se do fillojmë të shohim disa rezultate.

-Po, por faktet janë që ne jemi vendi më i korruptuar në Europë, sipas raporteve. Kemi pasur shumë probleme deri tani dhe asnjë nga njerëzit e fuqishëm nuk është dënuar në 30 vitet e fundit. Kur do fillojmë të kemi rezultate konkrete të këtyre hetimeve, nga SPAK, nga reforma në drejtësi?

Mendoj që njerëzit kanë të drejtë të jenë të frustruar. Më herët theksuat “katër vjet e katër muaj” është një kohë e gjatë, por në javët dhe muajt e fundit kemi parë çështje që janë ngritur, që po ndiqen penalisht, dhe mendoj se do të shohim disa rezultate.

-Në fillim, kishte shumë shpresa kur u krijua SPAK, se ai do të luftonte korrupsionin dhe implikime të tjera të zyrtarëve të lartë, por njerëzit tani ndihen sikur SPAK nuk është ku duhet. Është e vërtetë? A besoni ju tek SPAK?

Unë besoj tek SPAK. Taksapaguesit amerikanë besojnë tek SPAK. Kemi investuar sasi të stërmëdha kontributesh për t’u siguruar që SPAK të ngrihet dhe të funksionojë. Ka njerëz që do të jenë gjithmonë pesimistë për këtë projekt. Pesimizmi është i lehtë, por unë shoh faktet dhe ajo që shoh është që kemi gjëra, si Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila nuk ekzistonte dhe tani ekziston. Pati një përpjekje për të mos e lejuar drejtoreshën të merrte rolin e saj. E kapërcyem këtë. Kishim pak njerëz që aplikuan për vendet e hetuesve; në fakt, në fund, aplikuan më shumë se 600 persona për 60 vende. Ndaj, ka përparim. Këta njerëz tani po testohen. Dua që njerëzit të mos heqin dorë nga shpresa. Ata që duan që reforma në drejtësi të dështojë duan që të hiqni dorë. Duan që të besoni se asgjë nuk ka ndodhur dhe asgjë nuk do të ndodhë ndonjëherë. Është false, është propagandë. Shihni faktet.

-Në fakt, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë vetëm mbështetjen tuaj apo edhe asistencën tuaj? Pra, a ka asistencë të SHBA në ato dy institucione dhe nëse po, çfarë lloj asistence po u jepni?

Kemi ofruar mbështetje shumë të forte në formën e asistencës teknike, këshillave eksperte, trajnimit, si dhe asistencës materiale, për shembull kompjutera, duke u siguruar që të kenë pajisjet që iu duhen për të bërë punën. Ne i vendosim paratë aty ku themi. Nuk themi thjesht që mbështesim SPAK dhe BKH apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë.

-A ka hetues amerikanë të përfshirë në çështje konkrete në SPAK apo BKH?

Ata janë aty për të ofruar asistencë teknike dhe këshilla eksperte. Kam një ish-agjent të FBI-së që është pjesë e personelit në ambasadë që ofron një pjesë të kësaj asistence. Por të jeni të sigurt, jemi aty për të mbështetur në maksimumin e mundshëm.

-A mund të jetë më i shpejtë se sa është tani SPAK? Aq sa duam ne?

Mendoj se duam që çdo gjë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur por duhet edhe të sigurohemi që, teksa ecin përpara, ta bëjnë këtë me themele të forta, sepse nëse nxiton ekziston rreziku për të dështuar. Dhe nuk duam të dështojnë. Përsëris edhe një herë: propagandë. Ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin pritshmëri tepër të larta që nuk mund të arrihen tani; mendoj se po krijojnë këtë përshtypje sikur reforma në drejtësi, BKH, Prokuroria e Posaçme, janë si ndonjë film aksion.

-Po, të gjithë e mendojnë…

-Po, një ditë zgjohesh dhe të gjithë kriminelët janë në rrjetë ose pas hekurave. Jeta reale nuk është ashtu. Reforma në drejtësi do të jetë e vështirë. Do të kërkojë kohë. Do të jetë e papërsosur. Do të ketë gabime rrugës, por e dini, duhet të këmbëngulim për të sepse ka të bëjë me të ecurit përpara, një gur mbi një gur për ta ndërtuar këtë sistem.

-Por po flasim në përgjithësi sepse kemi edhe një rast konkret, për shembull. Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës ka dërguar dy dosje për çështjen e inceneratorëve. Kanë ngritur padi kundër Ramës, ministrit Ahmetaj, ministrit Gjiknuri, dhe disa të tjerë. Është hera e pare që SPAK ka dokumente, nuk e di cilësinë e dokumenteve, SPAK do t’i verifikojë, kundër atyre që quhen peshq të mëdhenj në vend. A mendoni që SPAK do të reagojë sa më shpejt që të jetë e mundur në këtë rast?

Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do bëjë pjesën e vet. Pretendimet janë ngritur, provat janë paraqitur dhe tani është detyra e SPAK që të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej.

-Dhe këshilla juaj për Lulzim Bashën?

-E njëjta gjë, përsëri, nuk kam detyrë për të dhënë këshilla, por mendoj se është e rëndësishme për të gjithë udhëheqësit politikë që të jenë transparentë dhe të ndershëm me votuesit, të qëndrojnë të angazhuar në proces, të mos largohen dhe të mbajnë premtimet që iu japin njerëzve.

-Dhe nëse të pyes për një këshillë për presidentin Meta?

-E njëjta gjë.

-Ai nuk do të jetë në zgjedhje sepse është president, por është shumë aktiv në politikë në muajt e fundit...

Një pike shumë me vend. Mendoj se ka një rol shumë unik dhe shumë të rëndësishëm që presidenti mund të luajë si bashkues i vendit. Dhe kur e luajti atë rol në fillimet e pandemisë Covid-19 dhe thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke bërë bashkë jo vetëm kryeministrin, por edhe udhëheqësin kryesor të opozitës, mendova se ishte një shembull vërtet i fuqishëm dhe pozitiv. Dhe shpresoj që kjo është diçka që do ta përsërisë. E di që ky është një rol që do ta vlerësonte populli shqiptar. Di që është një rol që Uashingtoni sigurisht e vlerëson ndaj pres me kënaqësi ta shoh të luajë një rol shumë pozitiv.

Më të lexuarat