Zbardhen takimet e Drejtorit të Zgjerimit të BE me zyrtarët e lartë në Tiranë

Postuar: 19/05/2017 - 17:07
Pas arritjes së marrëveshjes mes kreut të mazhorancës, Edi Rama dhe atij të opozitës, Lulzim Basha, për zgjidhjen e krizës politike, drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson, vizitoi sot Tiranën. Ai u takua me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ministren e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ministren për Integrimin Evropian, Klajda Gjosha, si dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, presidenti i zgjedhur, dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Danielsson përgëzoi udhëheqësit politikë për shfaqjen e pjekurisë demokratike me arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngërçit politik. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit pa probleme të marrëveshjes.
Danielsson përsëriti se fillimi i shpejtë i procesit të vetingut është tani kyç për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Evropian.
Drejtori i Përgjithshëm i KE shkëmbeu gjithashtu mendime me autoritetet shqiptare për përgatitjet për Samitin e Triestes dhe në veçanti, për forcimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik në rajon. U diskutua gjithashtu sesi të nxitet zbatimi i agjendës ndërlidhëse.
Danielsson shprehu gjithashtu gatishmërinë e Komisionit për të mbështetur zbatimin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Sakaq, ai përgëzoi Kreun e Kuvendit, Ilir Meta për zgjedhjen e tij si President i Republikës.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/