
Postuar: 20/07/2019 - 14:51
Anëtari i Kryesisë së PDK në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka lëshuar akuza në drejtim të Ramush Haradinajt se ka ikur nga përgjegjësia politike kur ka dhënë dorëheqje. Ka thënë se Shefi i AAK i ka harxhuar të gjitha rezervat shtetërore dhe pastaj ka vendosur të ikë.
Ky reagim i Cakollit, i cili është edhe Zëvendësministër i Inovacionit, ka ardhur pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje.
“Dorën në zemër, duhet me qenë shumë idiot për me ju gëzu lajmit për shkuarjen e Kryeministrit në Hagë. Ama me fol drejt ka del shpirti, me i harxhu komplet rezervat shtetërore në korrik, e me lëshu qeverinë, nuk është tjetër veq ikje nga përgjegjësia politike!”, ka shkruar Cakolli.
Kohëve të fundit, lideri i AAK Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.
Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.
Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.
Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.
Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.
Ish-Komandanti i UÇK për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.
Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/
Na Beni Like Ne Facebook: