BREAKING NEWS

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora
x

Rajoni

Albin Kurti: Projekti për shkëmbimin e territoreve dështoi, por ideja për të ende nuk ka vdekur

Albin Kurti: Projekti për shkëmbimin e territoreve dështoi, por

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për gazetën prestigjioze gjermane “Suddeutsche Zeitung” për shumë tema, por theksi është vënë në idenë e shkëmbimit të territoreve, temë që ditët e fundit ka shkaktuar një kakofoni reagimesh për sa i përket edhe Shteteve të Bashkuara. Kreu i ekzekutivit të Kosovës është pyetur nëse plani për shkëmbimin e territoreve ka ngelur përgjithmonë jashtë tryezës së dialogut. “Nuk jam kundër dialogut me Serbinë, por ai duhet të zhvillohet me parime të qarta, të cilat janë të obligueshme për të dy palët. Serbia duhet të pranojë realitetin: Kosova është shtet i pavarur. Dhe ne nuk mund të kthehemi në kohën e Millosheviçit. Sa më parë që e pranojnë këtë, aq më mirë për të dy palët”, është përgjigjur Kurti. Kjo përgjigje e tij duket se ka vënë dhe pikat mbi “i” duke sqaruar se Republika e Kosovës është e përcaktuar në kufijtë e saj dhe nuk mund të jetë temë bisedimi me Serbinë çështja e shkëmbimit territorial. “Ky projekt ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhjet e tilla me shkëmbim territori mund të hapin Kutinë e Pandorës”, ka sqaruar Kryeministri. Përveç shkëmbimit territorial, Kurti është pyetur edhe për tema të tjera si për rolin që po luan në Ballkan ambasadori amerikan në Berlin, i cili nga Donald Trump u emërua në postin e drejtorit në detyrë të inteligjencës kombëtare, për luftimin e korrupsionit, raportet me Serbinë, për largimin e njerëzve nga Kosova, për krijimin e vendeve të punës dhe për dembelinë e skeptikëve. Mbi marrëveshjen për lidhjen hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Mynih, Kurti tha se negociatat për marrëveshjen janë bërë nga qeveria paraprake dhe se nënshkrimi i saj nuk është miratuar as nga ai si Kryeministër dhe as nga Ministri aktual i Infrastrukturës. “Çfarë është nënshkruar është një deklaratë për shprehje të synimit, pa shumë detaje. Sigurisht na duhen më shumë rrugë dhe vija hekurudhore. Por negociatat janë zhvilluar nga qeveria paraprake, ne nuk kemi qenë të përfshirë. Kam rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në pajtim me Kushtetutën. Versionin final (të marrëveshjes) nuk e kam parë. As ministri i infrastrukturës, as unë si kryeministër nuk e kemi miratuar nënshkrimin”, sqaroi ai.

Roli i SHBA

Kurti ka vlerësuar mes të tjerash edhe rolin e Grenell dhe energjinë e re të sjellë prej tij në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se nuk beson se Grenell ka qëllime të këqija por tani kur Kosova ka qeveri të re, sipas Kurtit negociata të tilla nuk mund të zhvillohen mes presidentëve. “Negociatat duhet të bëhen nga qeveritë e zgjedhura”, ka theksuar Kryeministri. I pyetur mbi pritshmëritë për luftimin e korrupsionit nga qeveria e tij Kurti e ka konsideruar Korrupsionin si një sistem e jo si një kulturë. Si e tillë Kurti ka shprehur besimin se duhet të jemi optimist për luftimin e tij. Aq më tepër që sipas tij në një studim të publikuar para dy viteve vetëm dhjetë për qind e familjeve të anketuara kanë thënë se kanë paguar ryshfet për ndonjë shërbim publik ndërkohë që në njërin nga vendet fqinje korrupsionin e kanë pranuar 34% e të anketuarve. Kjo e bën të ndjehet besimplotë se lufta ndaj tij nuk është e pamundur. Një nga temat e prekura ka qenë edhe largimi i të rinjve nga Kosova. “Njerëzit janë të dëshpëruar, sepse politikanët e korruptuar janë bërë njerëzit më të pasur në vend. Zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë një votë e zemërimit, por edhe e shpresës. Qeveria jonë do të forcojë drejtësinë për të luftuar korrupsionin, do të përkrahim talente dhe tregun e punës do ta ndërlidhim më mirë me arsimin. Sigurisht edhe më tutje të rinjtë do të braktisin vendin. Por ne do të punojmë me ngulm që disa edhe të kthehen”, ka thënë Kurti. Në fund Kurti është shprehur dhe mbi mundësinë e bashkimit me Shqipërinë. “T’i lësh njerëzit të zgjedhin është diçka tjetër se sa të sillesh si gjeneralët e Luftës së Parë Botërore, të cilët qëndronin mbi hartat e tyre. Gjithçka do të duhej të ndodhte në mënyrë paqësore, demokratike dhe transparente”, ka thënë ai.