BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Rajoni

Debate në Kosovë, Albin Kurti sulmon Prokurorinë Speciale për akuzat ndaj UÇK, PDK reagon ashpër ndaj liderit të LVV

Debate në Kosovë, Albin Kurti sulmon Prokurorinë Speciale

Një deklaratë e djeshme e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish kryeministrit të Kosovës Albin Kurti lidhur me akt akuzat e ngritur nga Gjykata Speciale me seli në Hagë ndaj katër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nxitur reagime nga politika kosovare. Në një konferencë për mediat, Albin Kurti deklaroi se Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale, njëherë UNMIK-un, Tribunalin e Hagës pastaj EULEX-in, por kjo fundit në Hagë, thotë se është më speciale, duke e konsideruar më tej edhe si të padrejtë dhe të njëanshme. “Jo çmimin e lirisë por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani – në njërën anë UÇK-ja është lënë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës, ndërkaq kjo gjykatë që iu sipërvendos shtetit me votat e 82 deputetëve, u pranua të bëhet pjesë e Kosovës përmes amandamentimit të Kushtetutës me 3 gusht 2015”, tha Kurti. Më tej ish kryeministri Kurti ka marrë në mbrojtje UÇK-në duke u shprehur se ajo nuk ka qenë një strukturë kriminale dhe nuk ka shanse të ketë qenë një strukturë paralele. “Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup Kriminal përbrenda, apo siç e quajnë ata ndërmarrje kriminale. Prokuroria e ka gabim s’ka pasur strukturë paralele kriminale, lajmi për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së nuk është i vërtetë”, tha më tej ai. Në fjalën e tij përpara gazetarëve Kurti tha se arsyetimi i Speciales se kjo ndërmarrje ka ushtruar veprime nga viti 1998 është i pabesueshëm, derisa ka thënë se po të bëhej fjalë për vitet e mëvonshme edhe do të ishte e besueshme. “Sipas gjykatës qëllimi i kësaj ndërmarrje na paska qenë të fitoj dhe ushtroj kontroll gjithandej në Kosovë. Madje, kjo qysh nga marsi 1998. Po të thuhej se ndokush prej tyre ka pasur qëllim kontrollin në mars 2008 apo 2018, edhe mund të besohej por kurrsesi në 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi e jo ushtrimi i kontrollit”, tha ai. Në përfundim të fjalës, Kurti kërkoi nga qeveria e Kosovës që të organizojë një mbrojtje të fuqishme ndaj të akuzuarve dhe të bëhet një mbrojtje e koordinuar. “Në Hagë nuk po përndiqen vetëm individët por nuk mund të mbrohen as të pandehurit si individë. Shteti duhet ta organizoj e ta koordinoj mbrojtjen e të pandehurve. E pamë se ata i kanë avokatët e tyre por nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK nuk ka qenë e asnjërit, por të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë. Kjo është sidomos punë qeverie”, tha ai, duke shtuar se qeveria e tanishme nuk mund të mbrojë veten e jo më të tjerët. “Kjo qeveri e paligjshme që varej nga fillimi nga lista serbe e që tash është e pakicës, nuk mund ta mbrojë e të shpëtojë as vetveten e lëre më dikë tjetër”, deklaroi Kurti.

Reagimet kundër Kurtit

Ish-këshilltari politik i Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi, e ka cilësuar populist fjalimin e ish-shefit të tij në paraqitjen e sotme publike kur foli për zhvillimet e Gjykatës Speciale, duke mbrojtur luftën e UÇK-së. Në njërën nga replikimet e tij në llogarinë e aktivistit të shoqërisë civile, Rron Gjinovcit në facebook, Shkëlzen Gashi, e quan demagog Albin Kurtin dhe madje shprehet se Kurti flet palidhje. Teksa një komentues ka pyetur se a është bërë Kurti populist me konferencën e sotme, Gashi ka replikuar: “Ndoshta s’është bërë, por është, vetëm i doli në pah edhe një here”.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar fjalën e Albin Kurtit për deklaratat e djeshme duke u shprehur se liderit të LVV i janë dashur 2 javë që të japë reagime për aktakuzën ndaj liderëve të UÇK-së. “Dy javë pas ngritjes së aktakuzave ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më në fund, Albin Kurti gjeti kurajo për të folur rreth këtij zhvillimi. Por përkundër kësaj, as sot, nuk e fshehu dot logjikën e ngjashme me atë çfarë ka thënë tashme për më shumë se një dekadë. Për shtatë vite, ai ka folur në Kuvend dëngllat e njëjta me ato që sot i vishen drejtuesve të UÇK-së në aktakuzë. Atë çfarë e ka përkufizuar Prokuroria në Hagë si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, Albin Kurti e ka pasur gjuhë të përditshme ndaj figurave kryesore të luftës sonë për liri, kurdo që ka pasur një mikrofon para vetes. Dërdëllisja e sotshme si qëllim për të kamufluar dërdëllitjet e kamotshme, është tregues i gjykimit të mbrapshtë që ka Albin Kurti ndaj UÇK dhe figurave drejtuese të saj. Mbi të gjitha, në këtë liturgji fundjave, Albin Kurti i dha vulë të plotë koordinimit si me pahir me logjikën që ndjek Serbia, se Gjykata Speciale është produkt i gabimeve tona politike”, është shprehur ai.