BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Rajoni

Deklaratat e Daçiç sjellin reagime në Kosovë, Prishtina zyrtare thirrje Hagës dhe ndërkombëtarëve të flasin

Deklaratat e Daçiç sjellin reagime në Kosovë, Prishtina

Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka ndërmarrë dje një hap për të reaguar kundrejt ministrit serb të Punëve të Jashtëm Ivica Daçiç. Ministri serb deklaroi ditën e premte se serbët janë duke bashkëpunuar me shqiptarët dhe janë duke treguar se ku ndodhen trupat e shqiptarëve të Kosovës që janë varrosur në varre masive në territorin serb gjatë luftës Kosovë -Serbi. Madje ai edhe i kërcënoi këto “bashkëpunëtore”. Në lidhje me këtë ministrja u ka shkruar letër ambasadorëve të vendeve të QUINT-it. Me një postim në Twitter kryediplomatja kosovare bëri publike letrën ku konsideronte se Serbia është duke minuar frymën e dialogut. “Megjithëse po kalojmë një kohë sfiduese pandemie, dhe të gjitha qeveritë demokratike po tregojnë shenja të respektit dhe solidaritetit më të madh reciprok, Serbia po minon frymën e dialogut, marrëdhëniet fqinjësore dhe proceset e një pajtimi të mundshëm pas marrëveshjes së Uashingtonit dhe dialogut aktiv në Bruksel”, shkruante ajo. Më tej në letër është kritikuar heshtja e ndërkombëtarëve mbi rastin dhe bëhet një rikujtim i shkurtër të krimeve gjatë luftës. “Ndjehem e detyruar të shpreh zhgënjimin tim të thellë për një indiferencë totale të bashkësisë ndërkombëtare në dënimin e gjuhës së turpshme të qeverisë Serbe kundër viktimave të luftës së fundit dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Më lejoni të kujtoj se Kosova ende pret drejtësinë për veprimet gjenocidale të Serbisë ndaj më shumë se 13,000 shqiptarëve të Kosovës të vrarë, përfshirë foshnje 18 muajshe, më shumë se 1,300 fëmijëve, më shumë se një milion të dëbuarve nga Kosova, më shumë se 400 masakrave të kryera sistematikisht, më shumë se 20,000 grave të dhunuara dhe shumë pasuri e objekte të tjera kulturore, fetare dhe historike të vjedhura ose shkatërruara!”, vijon letra.

Pasojat

Më tej ajo ka vijuar me shpjegimin se kërcënimet e Daçiç kanë shkaktuar dhimbje të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës e hapje të plagës së vjetër, dhe veçanërisht për familjet e viktimave dhe atyre që ende rezultojnë të zhdukur 21 vjet pas luftës. Në letër është përmendur edhe deklarata e ministrit serb të mbrojtjes, i cili është shprehur se shqiptarët mund të bashkohen dhe mund të marrin territoret e njerëzve të tjerë, ndërsa serbët nuk mund të bashkohen as në tokën e tyre dhe se ekziston rreziku i krijimit të Shqipërisë së Madhe. “Vetëm serbët e bashkuar mund të ndalojnë “Shqipërinë e Madhe” dhe sa më shpejt të bashkohemi institucionalisht, aq më shpejt do të fillojë koha e paqes në Ballkan”,  është shprehur ministri serb duke theksuar se edhe këtë herë BE do të qëndrojë e heshtur ndaj kësaj deklarate dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim. Në letrën drejtuar vendeve të QUINT-it, kryediplomnatja kosovare ka shprehur se deklarata të tilla nga zyrtarë serbë meritojnë dënimin e fuqishëm, pasi sipas saj janë akte të turpshme dhe shoviniste. Haradinaj-Stublla është ndalur edhe tek Gjykata Speciale dhe tek situata që është krijuar së fundmi në Kosovë. “Agresori dhe viktima do të mund të kenë trajtim të barabartë vetëm atëherë kur të vendoset drejtësia për të gjitha mizoritë dhe krimet e së kaluarës. Pa këtë premisë, trajtimi asimetrik është për fat të keq, gjithmonë i favorshëm për agresorin. Ju ftoj të dënoni ashpër gjuhën jashtëzakonisht ofenduese të qeverisë Serbe, duke u mbështetur në bazamentin e fortë të paqes dhe sigurisë që ju keni siguruar për ne në Kosovë, por edhe në Serbi”, përfundon ajo. Mbi letrën e ministres ka reaguar edhe Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku dhe Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, me anë të Marko Gjuriç. Çitaku tha se Daciç kërcënoi publikisht serbët që dëshirojnë të tregojnë për varret masive të shqiptarëve, pastaj Vulin ofendon shqiptarët në komunikata zyrtare dhe komuniteti ndërkombëtar po hesht. Ndërsa Gjuriç, me anë të një postimi në Twitter ka thënë se për herë të parë pajtohet me Vlora Çitakun, por heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është shurdhuese për serbët. “Për herë të parë pajtohemi, heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është vërtetë shurdhuese – 20 vjet pa drejtësi për mijëra serbë të vrarë dhe të pastruar etnikisht nga Kosova, qindra kisha të krishtera të djegura dhe rini e vjedhur”, ka shkruar ai. Gjuriç tha se Serbia ofron mbështetjen e plotë për Dhomat e Specializuara Ndërkombëtare për gjoja krimet e luftës së UÇK.