BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Rajoni

Dialogu, Albin Kurti refuzon takimin me Vuçiç, nuk pranon kërkesat e drejtuesve të Bashkimit Europian

Dialogu, Albin Kurti refuzon takimin me Vuçiç, nuk pranon

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka filluar dje vizitën e tij dy ditore në Bruksel, vizitë e cila është e programuar  me vizita dhe takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian. Edhe pse zhvilloi vizita të shumta, ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte fakti që i pari i qeverisë së Kosovës ka refuzuar një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, takim që u njoftua dy ditë më parë nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell pas takimit të tij me Vuçiç. “Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti duke shtuar se bisedimet duhet të jenë të përgatitura mirë dhe me parime “pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja Gjatë së mërkurës, kryeministri Kurti është takuar me kryeministrin belg Aleksander De Croo ashtu siç edhe ishte parashikuar, takim që është pasuar nga takimi me Komisionerin për Bujqësi dhe Zhvillimi Rural, Wojciechowski. Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit me De Croo kanë diskutuar për prioritet e tyre për vendet e punës dhe drejtësinë, si dhe liberalizimin e vizave. “Fillova vizitën time dy ditore në Bruksel, shtëpinë e institucioneve të BE-së, me një takim bilateral me Kryeministrin e Belgjikës, Aleksander De Croo. Unë ndava prioritet tona për vendet e punës dhe drejtësinë, angazhimin tonë drejt BE-së si dhe kërkova liberalizimin e vizave. Ne ramë dakord të rrisim bashkëpunimin ekonomik”, ka shkruar Kurti në Twitter. Takimet e tij ndoqën atë me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak menjëherë pas mbërritjes së tij në Bruksel ditën e martë. Gjatë ditës së djeshme, zoti Kurti ka pasur një takim edhe me  Komisionerin e Bashkimit Evropian për Drejtësi Didier Reynders, të cilin e ka njoftuar në lidhje me planet e Qeverisë për reformë në drejtësi, të tilla si vettingu në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, si dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së paligjshme dhe të pajustifikueshme. “Sundimi i ligjit është parakusht i një shoqërie demokratike dhe të zhvilluar. Ajo është vlerë e Bashkimit Evropian. Drejtësia dhe reforma në drejtësi është prioritet bazë i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Kurti në takim, ndërkohë që shtoi se reforma do të bëhet në bashkëpunim me institucionet dhe ekspertët nga Bashkimi Evropian.

Kurti për “non paper”

Për herë të parë pas kaq ditësh që politika rajonale dhe europiane është duke zierë mbi dy dokumentet “non paper” të publikuara nga mediat, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dha ditën e djeshme një deklaratë duke sqaruar qëndrimin e tij dhe të qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë temë. Të tilla dokumente Kurti i ka konsideruar si ringjallje e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe përpjekje për bosnjezim të Kosovës, veprime të cilat tha me shumë bindje se nuk do të lejohen që të realizohen. “Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-papers’ është më së miri t’iu përgjigjemi me ‘no comment’ sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë në kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjezimin e Kosovës”, tha Kurti. Sipas tij, Kosova duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe se raportet në Ballkan mund të rregullohen vetëm më dialog parimor.