BREAKING NEWS

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj, ndërkombëtarët marrin në patronazh gjurmimin e parave të korrupsionit dhe burgosjen e politikanëve

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj,
x

Rajoni

Hoti: Deklaratat kërcënuese të liderëve serbë nuk i shërbejnë dialogut, po e dëmtojnë akoma më tepër

Hoti: Deklaratat kërcënuese të liderëve serbë nuk i

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe raportuesi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Peter Beyer, kanë zhvilluar ditën e djeshme një takim. Temë e takimit kanë qenë mes të tjerash edhe liria e medias, gjendja e pakicave si edhe zhvillimet në vend. Takimi është bërë edhe në kuadër të përpilimit të raportit “Situata në Kosovë”, raport që prezantohet për Këshillin e Europës. I pari i qeverisë së Kosovës, me anë të një postimi në Facebook, njoftoi se në takim është biseduar edh rreth pandemisë dhe situatën e krijuar në vend prej saj. “Biseduam edhe për situatën aktuale në vend, sfidat që ka shkaktuar pandemia Covid-19 dhe masat të cilat i ka marrë Qeveria deri më tani për të menaxhuar sa më mirë gjendjen e krijuar”, njofton Hoti. Në përfundim të postimit të tij, Hoti ka bërë me dije se në takim është folur edhe për çështjen e dialogut dhe faktit që pas kaq kohësh më në fund u zhvillua një takim. Kujtojmë se bëhet fjalë për takim që gjithsesi ka qenë në nivel ekspertësh dhe që nuk ka prodhuar asnjë zhvillim apo afrim mendimesh mes dy delegacioneve. Hoti është shprehur me Beyer se deklaratat kërcënuese të bëra nga zyrtarë të lartë të shtetit serb, përveçse përkeqësojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ashpërsojnë retorikat e politikanëve respektive, ndikojnë edhe në procesin e dialogut duke e vështirësuar më shumë atë. “Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi, i cili aktualisht po zhvillohet në nivel ekspertësh, theksova se deklaratat kërcënuese nga zyrtarë të lartë të Serbisë nuk e ndihmojnë këtë proces”, shkruan Hoti.

Hoti mbi presidentin dhe zgjedhjet

Kryeministri Hoti ngriti në bashkëbisedimin me raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Peter Beyer, edhe çështjen e Presidentit. Ai theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkoj në zgjedhje. “Kryeministri Hoti ngriti edhe çështjen e Presidentit, ku theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkoj në zgjedhje”, thuhet në njoftimin për mediat të Kryeministrisë. Një deklaratë të tillë, kryeministri e ka dhënë edhe disa ditë më parë. Lidhur me rastin e presidentit, Hoti ka sqaruar se sipas tij Kosova ka vetëm dy mundësi, ose partitë politike të ulën në tavolinën e bisedimeve dhe të marrin një vendim mbi emrin e presidentit të ri, ose vendi duhet që të fillojë përgatitjet për zgjedhjet e reja duke filluar me marrjen e një vendimi për datën e zgjedhjeve. “Jemi para një sfide për zgjedhjen e presidentit dhe ky është fakt dhe me këtë duhet të merri tash dhe jemi duke punuar që të ulemi së bashku të gjitha forcat politike të shqyrtojmë gatishmërinë tonë për të tejkaluar këtë situatë nëse ka gatishmëri pra ose dakordohemi për presidentin ose për datën e shkuarjes në zgjedhje”, është shprehur Hoti. Kryeministri është deklaruar edhe në lidhje me pretendimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se nuk votojnë asnjë emër tjetër për postin e të parit të shtetit, përveç kreut të tyre Ramush Haradinaj. Hoti shtoi se në marrëveshjen e koalicionit çështja e presidentit nuk është e përfshirë. “Marrëveshja që kemi me partnerët e koalicionit nuk përfshinë çështjen e presidentit. Ajo që është e qartë është se votat e jetik koalicioni qeverisës nuk mund ta zgjedhin presidentin. Do të shohim a ka gatishmëri nga opozita për të diskutuar për zgjedhjen e kësaj çështje dhe cilat janë kushtet e tyre. Në këtë rast edhe të AAK-së e cila është bukur e betonuar por do të shohim si do ta zgjidhim”, tha Hoti.