BREAKING NEWS

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas gabimit të pafalshëm që...

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas
x

Rajoni

Hoti dhe Vuçiç takim për ecurinë e dialogut, kryeministri i Kosovës: Ka përparim, po diskutojmë në çështje konkrete

Hoti dhe Vuçiç takim për ecurinë e dialogut,

Dita e djeshme ka qenë vazhdimi i procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Liderët e dy shteteve kanë zhvilluar takimin e parashikuar në Bruksel nën udhëheqjen e Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe emisari i posaçëm i BE për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajcak. Borrell ka bërë një deklaratë përpara takimit, ku ka theksuar se ndjehet i lumtur që drejtimin e procesit të dialogut e ka marrë Bashkimi Europian. Ai tha se ka inkurajuar të dy palët që t’u qasen bisedimeve me frymën e kompromisit dhe pragmatizmit për të ardhmen evropiane. Më pas, në orën 16:00 pas më shumë se një viti ndërprerje, dialogu Kosovë-Serbi rifilloi duke hapur rrugën për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Reagimi i Hotit dhe Vuçiçit pas takimit

Kryeministri Hoti ka bërë me dije se në kuadër të rinisjes së dialogut, kanë arritur progres dhe se javën e ardhshme pritet të bëhen të qarta detajet e çështjeve. “Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajizojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale duhet vullnet të dy palëve dhe dedikim mbështetës”, tha ai. Hoti ka thënë se janë të angazhuar që të arrihet marrëveshja me Serbinë. “Mund të ketë biseda të natyrës teknike. Jemi plotësisht të angazhuar dhe besojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që na japin. Çështja me objektivë të qartë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Aq sa mund të them e di që ka komunikim të ngushtë mes palës së SHBA-së dhe BE-së”, pohoi ai. “Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre”, sqaroi Hoti takimin e djeshëm me anë të një postimi në Facebook.

Reagon presidenti serb

Ndërsa presidenti serb Vuçiç tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës nuk kanë qenë të lehta. Ai tha se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë. “Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik”, tha Vuçiç, ndërsa për vazhdimi i bisedimeve me kryeministrin Hoti, ai tha se do të mbahet brenda dy javësh. Vuçiç gjithashtu deklaroi se gjatë takimit, Kosova kërkoi që të hapen arkivat e policisë së Serbisë, dhe Serbia në anën tjetër ka kërkuar që Kosova të hapë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ne jemi të gatshëm t'i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve. Kudo që ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku atyre u duket, ose ku mendojnë se është e mundur që të ketë ndonjë varrezë me shqiptarë, ne jemi të gatshëm së bashku me ta dhe me praninë e evropianëve të tregojmë nëse ka diçka apo jo. Por, ne kërkuam të njëjtën të drejtë për ne. Sepse deri më tani nuk kemi pasur qasje në Llapushnik, Gjakovë, Koshare dhe në disa lokacione të tjera”, tha Vuçiç. Edhe Hoti i ka cilësuar si të vështira bisedimet. “Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezantuar në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë. Ndërkohë ka pasur edhe një ngjarje të quajtur më shumë se incident diplomatik, si provokim nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës. Vuçiç para takimit me Hotin është pritur nga Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në zyrën e Misionit serb në Bruksel. Aty është parë një libër i titulluar: The Christian Heritage of Kosovo and Metohija, libër që përfaqëson mendime shoviniste dhe të spastrimit etnik.