BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Rajoni

Hoti: Dialogu me Serbinë duhet të mbyllet me njohje reciproke, kontakte me SHBA për të siguruar një tjetër takim

Hoti: Dialogu me Serbinë duhet të mbyllet me njohje reciproke,

Kryeministri Kosovës Avdullah Hoti, ka deklaruar dje se dialogu me Serbinë nuk ka shanse të arrijë në një pikë përfundimtare, ne rast se nuk arrihet njohja reciproke. Në një intervistë për Deutsche Ëelle Hoti siguroi se njohja reciproke është qëllimi kryesor i dialogut dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes të dy shteteve është pasojë e saj. “Dialogu zhvillohet për njohje reciproke dhe asgjë tjetër, sigurisht zhvillohet edhe për normalizim të marrëdhënieve në të gjitha fushat, por duke filluar nga njohja reciproke, sepse vetëm njohja reciproke siguron normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kemi rishikuar të gjithë punën që është bërë në qeveritë paraprake, sa u përket temave të tjera të dialogut, por ajo që është qenësore është që ka një mirëkuptim të partnerëve që ky dialog zhvillohet për njohje reciproke dhe ky është qëndrimi i qeverisë së Kosovës”, tha ai. I pyetur nëse do të ketë një takim të radhës në Washington pas anulimit të takimit të parë të 27 qershorit, si pasojë e ngritjes së akuzave nga Gjykata Speciale ndaj Presidentit Thaçi, Hoti u përgjigj që është në kontakte të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara për caktimin e datës së re.

 

Akuzat ndaj Thaçit

Lidhur me situatën e krijuar nga aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Hoti siguroi se një gjë e tillë nuk do të ndikonte në dialog, përderisa qeveria e Kosovës ka një platformë të mirë strukturuar dhe është më se e përgatitur për të përballuar procesin dhe gjithçka që mund të dalë gjatë tij. “Kjo ka krijuar një situatë të re në një moment jo të përshtatshëm për vendin. Ajo që është e rëndësishme dhe që ne e kemi prezantuar edhe para partnerëve ndërkombëtarë është që sigurisht dialogu nuk ka alternativë. Ne jemi të përgatitur për të hyrë në këtë proces, ju e keni parë qëndrimin e qeverisë sa i përket qasjes për të hyrë në këtë dialog, kemi një platformë që është e qartë e strukturuar, e konsultuar me fushën akademike, me shoqërinë civile, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës, mekanizmat që kemi krijuar nga forumi i liderëve, këshilli i ekspertëve që tashmë është themeluar me vendim të qeverisë, dhe rezoluta e Kuvendit që pres të miratohet në seancat e ardhshme ku kërkohet raportim i rregullt i kryeministrit lidhur me procesin e dialogut. Pra, jemi të përgatitur në këtë drejtim”, ka siguruar Hoti. Kreu i qeverisë ka theksuar rëndësinë që ka për Kosovën fakti që në procesin e dialogut duhet të ketë një paraqitje të unifikuar si shtet, si institucione, si shoqëri. Ndërsa për datën e përfundimit të dialogut, Hoti ka deklaruar se nga komunikimet me partnerët ndërkombëtarë, pritshmëritë janë që të arrihet në një pikë përfundimtare brenda disa muajve, por që një faktor ndikues sigurisht që do të jetë edhe qëndrimi i palës serbe.

Ndarja SHBA-BE

Një ndasi është vënë re midis strategjisë së ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, që çoi edhe në një “ Luftë të ftohtë” mes tyre në atë që u kthye në një luftë për ndikim në rajon. Edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, janë shprehur për këtë gjë, ndërsa për Kryeministrin e Kosovës kjo është jo reale. Ai e ka përcaktuar rolin e SHBA si më shumë për ndërmjetësimin e anës ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa roli i BE është më shumë sipas tij politik. “Unë nuk kam përshtypjen që ka ndarje të tillë. Siç e keni parë, takimi që ishte planifikuar të ndodhte në Uashington, ishte fokusuar në agjendën ekonomike, në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve, duke hyrë në projekte të mëdha infrastrukturore që kanë ndikim në ekonomitë jo vetëm të të dy vendeve, por të mbarë rajonit, duke e lidhur Kosovën me Evropën Qendrore dhe më tutje, dhe më pas pjesa politike në Samitin e Parisit, për të cilin po presim për ftesën formale dhe aranzhimet e nevojshme, dhe të shkojmë më tutje. Unë e shoh rolin e BE-së dhe SHBA-së komplementar në këtë proces”, ka përfunduar Hoti.