BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Rajoni

Hoti pranon përfundimet e Kushtetueses: Do vijojmë të kryejmë detyrat, aktet e qeverisë nuk preken nga vendimi

Hoti pranon përfundimet e Kushtetueses: Do vijojmë të

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar dje në një konferencë të organizuar përballë gazetarëve, se e pranon plotësisht vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese dhe se do ta respektojë këtë vendim. “Jeni në dijeni që vendimi i Gjykatës është bërë publik, sigurisht unë e pranoj plotësisht këtë vendim dhe do ta respektoj pa asnjë diskutim. Nuk do ta vë fare në diskutim. Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se vendimet e qeverisë aktuale mbeten në fuqi dhe qeveria mbetet në detyrë. Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrat. Tani është obligim kushtetues që të ndiqen procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne do t’i kryejmë obligimet tona, dëshiroj t’i siguroj të gjithë qytetarët se do të jemi në krye të detyrës karshi obligimeve”, tha ai. Më tej Kryeministri ka folur edhe për faktin nëse vendimet e marra nga kjo qeveri do të qëndrojnë në fuqi, një fakt ky që ka ngritur shumë shqetësim që nga marrja dijeni mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se në bazë të parimit të sigurisë juridike dhe faktit që ky aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e qeverisë aktuale mbesin në fuqi dhe qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ne do të vijojmë të kryejmë detyrën tonë. Ne do ti kryejmë obligimet tona që lindin nga Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Dua të qetësoj qytetarët se do vijojmë të merremi seriozisht me situatën e pandemisë, luftë që deri tani kemi pasur rezultate të mira, me një punë të jashtëzakonshme të bëra nga të gjitha institucionet të kombinuara”, ka sqaruar i pari i qeverisë kosovare.

Hoti kërkon mos pengimin e punës së qeverisë

Në vijim të fjalës së tij në konferencën për shtyp ku deklaroi pranimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Hoti bëri me dijë se dëshira e tij, ashtu si edhe kërkesa e komunitetit të biznesit, është që Kuvendi të mos shpërndahet pa u kryer më parë miratimi i buxhetit për vitin 2021. “Tani kemi përpara një detyrë shumë të rëndësishme siç është buxheti për vitin 2021. Unë bëj thirrje këtu para jush, që Kuvendi të mos shpërndahet pa u kryer miratimi i buxhetit të vitit të ardhshëm. Edhe në takim me Komunitetin e biznesit, ka qenë kërkesë e tyre që buxheti të miratohet pa u shpërndarë Kuvendi. Të gjithë institucionet do të vijojnë punën dhe agjendën e tyre dhe unë si Kryeministër i vendit do kujdesem personalisht që asnjë punë të mos mbetët prapa, deri në formimin e një qeverie të re me mandat të plotë”, ka thënë Hoti.

Hoti lë të hapur mundësinë për të kandiduar sërish

Kryeministri është shprehur edhe në lidhje me koalicionin dhe mbi faktin se sa e ndjen veten të gatshme LDK që të kandidojë e vetme në zgjedhje. “Koalicioni ka funksionuar, ndoshta jo perfekt, por gjithsesi goxha mirë. Jemi duke bërë të gjitha përgatitjet për të shkuar të vetme si LDK në zgjedhje. Kemi përvojën e duhur si parti dhe bagazhin e duhur nga kaq muaj qeverisje që të jemi fitues potencialë në zgjedhje”, tha ai. I pyetur nga gazetarët se a do të jetë sërish kandidat për kryeministër, Hoti tha se kjo do të diskutohet brenda partisë dhe strukturave të saj. “Do të diskutojmë brenda strukturave të partisë, jemi në pozicion të mirë duke parë edhe arritjet e kësaj qeverie. Kemi marrë qeverinë në një situatë kur ekonomia ishte e mbyllur dhe bëmë të pamundurën që ta hapnim. E gjetëm vendin në një situatë të ngrirë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Me qindra dhe mijëra euro dhe dollarë amerikanë të ngrira si pasojë e sjelljes së qeverisë paraardhëse. Kemi hapur dyert me të gjithë partnerët ndërkombëtar pa përjashtim. Kemi arritur marrëveshjen e Uashingtonit ”, tha Hoti, duke bërë një bilanc të muajve që ka qenë në qeveri. Në përfundim Hoti ka siguruar mbi faktin që të gjitha pikat e marrëveshjes së Uashingtonit do të zbatohen, madje sipas tij në disa prej pikave është shënuar tashmë progres.