BREAKING NEWS

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: Ja sa persona janë konfirmuar pozitivë në 24 orët e fundit

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë
x

Rajoni

Hoti tregon fushat ku do investohet pas paktit në SHBA: Mbi 1 miliardë dollarë do të shkojnë për infrastrukturën

Hoti tregon fushat ku do investohet pas paktit në SHBA: Mbi 1

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim virtual me ambasadorët e Bashkimit Europian. Gjatë bisedës, përveçse është diskutuar për situatën e përgjithshme në Kosovë, kryeministri Hoti ka falënderuar ambasadorët e vendeve mike për ndihmën që i është dhënë Kosovës nga këto shtete, në përpjekje për të fituar luftën me Covid-19. Më tej kryeministri Hoti ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për parandalimin dhe menaxhimin sa më efikas të kësaj pandemie, si dhe për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e saj. Gjatë takimit, ambasadorët u njohën edhe me zhvillimet në procesin e dialogut me Serbinë, ndërkohë që iu bë e qartë nga zoti Hoti se e vetmja mënyrë që ky proces të përmbyllet është që në marrëveshjen përfundimtare të bëhet realitet njohja reciproke. Sakaq, kryeministri Hoti, pas takimit me Odën Ekonomike të Kosovës dhe asaj amerikane në Prishtinë, për të diskutuar mundësitë e shfrytëzimit të investimeve e paralajmëruara amerikane, vlerësoi se zhvillimet e fundit politike dhe marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, kanë krijuar mundësi të reja për zhvillimin e Kosovës. “Nga kjo marrëveshje janë së paku 1 miliard dollarë amerikanë financim për projekte infrastrukturore që janë të listuara në marrëveshje; hekurudha, autostrada, studimi i fizibilitetit për hekurudhën për Durrës dhe projekte tjera infrastrukturore, një skemë e veçantë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilën do ta zhvillojmë së bashku me odat ekonomike dhe në konsultim me partnerët amerikanë edhe projekte të ndryshme të Partneritet publiko-privat që mund të zhvillohen. Disa prej tyre janë të gatshme, siç është projekti i Brezovicës ose stacioni intermodal këtu në dalje të Prishtinës që e kthen Kosovën në qendër të infrastrukturës në nivel të regjionit duke lidhur portin e Durrësit, portin e Selanikut, Stambollin dhe gjithë Evropën Qendrore”, tha ai.

Liberalizimi i vizave

Gjatë takimit virtual me ambasadorët e vendeve të BE, kryeministri Hoti ka vënë theksin në faktin që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe do të krijonte mundësi reale që qytetarët dhe bizneset kosovare të zhvillohen edhe më tej. Lidhur me temën e liberalizimit të vizave për Kosovën, është folur edhe në videokonferencën midis ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Takimi virtual u bë në kuadër të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ministrja tha se homologu grek i ka konfirmuar mbështetjen e madhe të Greqisë në përmbylljen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit të gjerë rajonal politik dhe ekonomik, për të ruajtur qëndrueshmërinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe fuqizuar perspektiven e rajonit për tu integruar në union. “Me Ministrin Dendias biseduam edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit, që i hapë rrugë marrëveshjes finale të njohjes reciproke në kufijt ekzitues, dhe që respekton rendin kushtetues e karakterin unitar të Republikës së Kosovës”, tha ajo. Shefja e diplomacisë kosovare sqaroi gjithashtu se në bisedën me Dendias është theksuar domosdoshmëria e një bashkëpunimi më të madh midis dy shteteve, duke thelluar edhe më tej dialogun praktik midis Kosovës dhe Greqisë.

Lajçak mbi dialogun

Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka vazhduar diskutimet lidhur me procesin e dialogut. Gjatë ditës së djeshme Lajcak ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Sekretarin çek të Shtetit për Çështjet Evropiane. Pas takimit, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Lajcak ka bërë me dije së BE është shumë i interesuar në Ballkanin Perëndimor dhe mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi.